Një sqarim për zotin Mërgim Korça dhe për shokët e tijNga Kristo FrashëriNdonëse me vonesë, zoti Mërgim Korça ndërhyn në pamfletin që unë i drejtohesha zonjës Ledi Shamku, alias Enkelejda Shkreli, në lidhje me një shkrim të saj mbi Formulën e Pagëzim
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një sqarim për zotin Mërgim Korça dhe për shokët e tijNga Kristo FrashëriNdonëse me vonesë, zoti Mërgim Korça ndërhyn në pamfletin që unë i drejtohesha zonjës Ledi Shamku, alias Enkelejda Shkreli, në lidhje me një shkrim të saj mbi Formulën e Pagëzimit. Në atë pamflet, unë e përmenda Mërgim Korçën, vetëm se zonja Ledi Shamku sillte si argument një pohim të tij. Madje, siç po kuptohet, zonja Ledi Shamku kishte sjellë një citat të shkëputur nga një artikull i Mërgim Korçës, sikur unë, Kristo Frashëri, paskam rënduar në dënimin me vdekje që gjykata i ka dhënë Lef Nosit në vitin 1945. Unë e përgënjeshtroja këtë pohim. Tani po del se Ledi Shamku e paska lexuar gabim Mërgim Korçën. Megjithatë, ai vazhdon ta besojë njoftimin që jep zonja Ledi Shamku, se unë e paskam rënduar në gjyq fajin e Lef Nosit. Është për t’u habitur. Në vend që të sulmojë këtë falsifikatore, M. Korça më sulmon mua me një arrogancë të jashtëzakonshme në një shkrim të botuar në dy numra të gazetës “TemA”. Është gjithashtu për t’u habitur se zonja Shamku, e cila arrin të më fyejë si një “përbindësh”, për Mërgim Korçën është një zonjë me kulturë qytetare, kurse unë, Kristo Frashëri, meqenëse i vë në dukje se nuk e lexon drejt Formulën e Pagëzimit, qenkam njeri pa kulturë, arrogant, historian komunist e me radhë. Jemi mësuar të dëgjojmë çudira të tilla. Por një nga çuditë më të mëdha është këmbëngulja e M. Korçës se unë kam ndikuar në dënimin e rëndë të Lef Nosit më 1945. Lexuesi pret të shohë se ku ai mbështetet për këtë akuzë. Ju lutem, lexojeni me kujdes argumentin e M. Korçës. Ja ç’shkruan:
“Në një letër drejtuar Nermin (Vlorës), si dhe Renzo Falaschi-t, kur vij te Kristo Frashëri shprehem: Lidhur me të, një kujtim personal i imi. (Fatkeqësisht këtë kujtim timin nuk kam mundur akoma ta bëj botërisht të njohur, sepse nuk kam ndeshur në ndonjë person që të ma vërtetojë… kur kanë kaluar jo pak, por 60 vite nga ngjarja)”. Pastaj vazhdon: “Dhjetëra vite të shkuara, koh e ngjarje thuajse të mbuluara nga tisi i harresës, ke parë që thuajse për ironi të fatit u zhvillua gjyqi, përgjatë të cilit u dënua me vdekje me pushkatim si kolaboracionist e tradhtar i atdheut, një farë (sic!) Lef Nosi. Ndërmjet dëshmitarëve të akuzës ishte dhe një djalosh i zjarrtë, i cili vetëm vrer i shtoi kupës tashmë plot e përplot me akuza të pavërteta kundër të shkretit të hamendësuarit fajtor. Dhe a mundeni ju të kuturisni e ta gjeni se kush kishte qenë ky bukëshkalë (sic!)? Asnjeri tjetër veçse ky dijetar i sotëm i shkencave historike, Kristo Frashëri! Megjithatë, mos u shtendosni, miqt e mi të dashur. Ka edhe më. Mbajuni tani fort mbas mbështetëseve të kolltukëve tuaj, nëse të vërtetën ta dëgjoni do të dëshironi: ndërsa profesori i ardhshëm po dëshmonte, u dëgjua një zë femre nga radhët e publikut që bërtiti: ‘Shokë të trupit gjykues, mos i kushtoni vëmendje gënjeshtrave të thëna nga im bir. Ai është një shpërbetar (dëshmues i rremë - shënim i M. K.)…” M. Korça e mbyll këtë çështje me këto fjalë: “Ndonëse ky fakt asokohe diskutohej në familjet tona të përndjekura nga regjimi, unë e kam shtruar dyshimin tim se koha shumë e gjatë e kaluar, si edhe mosgjetja e ndonjë personi që ta mbante mend të njëjtin fakt, më ndrydh dhe më bën të stepem ta quaj fakt historik e në vazhdim ta trajtoja siç i takon. Shtoj se, nëse zoti Kristo Frashëri është i bindur se pohimi im nuk i përgjigjet së vërtetës historike dhe sjell fakte duke zbardhur protokollin gjyqësor të Lef Nosit të ndjerë, sinqerisht do t’i kërkoja ndjesë”. (“TemA”, po aty, f. 12).
Sikurse shihet, zoti Mërgim Korça ka gjashtëdhjetë e ca vjet që përpiqet të gjejë dëshmi të sigurta që ta vërtetojnë këtë fakt dhe që ende nuk ka gjetur. Unë i them jo gjashtëdhjetë, por gjashtëqind e ca vjet të vazhdojë të kërkojë nuk ka për të gjetur as shenjën më të vogël se Kristo Frashëri paska bërë një deponim të tillë, madje as dëshminë se ka qenë i pranishëm në atë proces gjyqësor. Si rrjedhim, as nuk kam pse të lodhem për të kërkuar argumente që të hedh poshtë shpifje kaq banale që vetëm nga goja e një rrugaçi mund të dalin. Unë, Kristo Frashëri, nuk kam dalë as si dëshmitar i akuzës, as si dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor të Lef Nosit. Nuk kam pranuar të dal dëshmitar i akuzës as në procesin gjyqësor që u zhvillua më 1945 kundër Seit Mates, përgjegjës për pushkatimin e vëllait tim më 28 shkurt 1944, as për arrestimin prej tij të prindërve të mi të moshuar, në kohën kur pushkatohej biri i tyre. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe nëna ime, e zhuritur nga pushkatimi i birit të saj në një nga rrugët e Tiranës. Madje, mund të them se ajo ka marrë pjesë vetëm në dy procese gjyqësore, jo për të rënduar fajin, por për të lehtësuar akuzat që u bëheshin dy qytetarëve, sipas saj të tepruara. Si rrjedhim, nuk kam nevojë që Mërgim Korça të kërkojë ndjesë. Si më i moshuar, kam të drejtë t’i jap një këshillë: të mos ngutet, jo vetëm kur akuzon, por edhe kur shkruan, sepse në artikullin që ka botuar ai provon se nuk di as të shkruajë.
Që nuk di të shkruajë, po e dëshmoj me logjikën e mbrapshtë që ai ka përdorur në rreshtat e shkrimit të tij. Tashmë dihet se midis parimeve juridike të përdorura nga regjimi komunist dhe atyre të përdorura nga regjimi demokratik ka, në lidhje me proceset gjyqësore, një ndryshim jashtëzakonisht të madh. Prokurorët e shteteve demokratike, për çdo padi që i bëjnë qytetarit, numërojnë faktet dhe parashtrojnë dëshmitë që vërtetojnë fajin. Trupi gjykues është i detyruar që para se të japë dënimin të dëgjojë të pandehurin dhe të administrojë faktet e parashtruara nga prokurori. Përkundrazi, prokurorët e regjimeve komuniste formulojnë padinë ndaj të pandehurit, kurse gjykata, në vend që të administrojë provat e paraqitura nga prokurori, kërkon nga i pandehuri që ai të sjellë prova për të rrëzuar akuzat dhe të provojë pafajësinë e tij. Mërgim Korça për fatin e keq të tij, është i ngërthyer ende nga mentaliteti i procedurës juridike komuniste, pse jo dhe fashiste. Në vend që të sjellë dëshmi se Kristo Frashëri paska folur në gjyq kështu apo ashtu dhe dëshmi se e ëma paska përgënjeshtruar të birin përpara trupit gjykues - veç kësaj meqenëse ai vetë pohon se nuk ka gjetur deri sot, pas 60 vjetë kërkimesh, fakte që të vërtetojnë fantazinë e tij, kërkon që fantazinë e tij ta vërtetojë Kristo Frashëri. O Perëndi! Mos rri fshehur, por dil sheshit dhe mëshiroje këtë mjeran, që nuk di se çfarë shkruan dhe lundron ende në mentalitetin e së drejtës procedurale komuniste apo fashiste.
Besoj se çdo lexues është në gjendje të shohë se në shkrimin e tij të gjatë nuk sheh asnjë dokument të shkruar, që të vërtetojë pohimet e këtij mjerani. Përsëris, asnjë dokument, por vetëm pohime se filani që ka vdekur i paska thënë kështu, se filania, e cila nuk jeton më, i paska thënë ashtu, se fistëku të cilin nuk kemi mundësi të pyesim, paska thënë kështu ose ashtu. Ai mjerani kujton se lexuesi mund të bindet me broçkulla që ai thotë për Mustafa Krujën, pale pastaj për Xhevat Korçën. Kulmi i pjellave të imagjinatës arrin, kur trajton ballafaqimin midis Kadri Hazbiut dhe Xhevat Korçës në burgun e Burrelit. Në këtë ballafaqim nuk del të ketë qenë i pranishëm ndonjë dëshmitar. Nuk del që të jetë regjistruar ndonjë akt apo procesverbal. As nuk na njofton se kush ia ka thënë atij bisedën midis Kadri Hazbiut dhe Xhevat Korçës. Shikoni se ç’shkruan: “Dëgjomë me vëmendje o Kadri Hazbi, - i paska thënë Xhevat Korça Kadriut në prill të vitit 1945. - Që nga çasti që unë vendosa të vdes në grevë urie, unë nuk jam më mes jush, mes tokësorëve. Enver Hoxha, e di si më duket që nga lart, i vogël sa një mizë. Po ti dije se Enveri yt do të ta hajë kokën ty!” (“TemA”, 9 korrik 2009, f. 15). Këto i paska thënë Xhevat Korça në mars apo në prill të vitit 1945, kur Enver Hoxha ende nuk ishte bërë diktator (!)
Nuk do të zgjatem me përrallat e shumta që ai u tregon lexuesve për të provuar se është historian i mirëfilltë dhe jo si ne, historianët fatkëqij, që përpiqemi të sjellim dëshmi dokumentare dhe referenca burimore për çdo fakt historik që përmendim. Shikoni se mbi ç’baza dokumentare jep gjykime mbi Kristo Frashërin.
***
Le t’i lëmë mënjanë sulmet personale dhe le të përqendrohemi rreth thelbit të çështjes, për të cilën ia vlen të diskutohet. Është fjala për qëndrimin që duhet të mbajnë historianët ndaj “kolaboracionistëve” shqiptarë, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkëpunuan me okupatorët fashistë italianë e gjermanë.
Synimi i M. Korçës në apologjinë që i bën Mustafa Krujës dhe babait të tij, Xhevat Korçës, është i qartë: të vërtetojë se kolaboracionistët e okupatorëve fashistë italianë dhe të nazistëve gjermanë, nuk kanë qenë “kolaboracionistë” në kuptimin e keq të fjalës, pra nuk kanë qenë, siç janë cilësuar në vitet e regjimit komunist, tradhtarë, por patriotë e shkuar patriotëve, patriotë në mos me shtatë, të paktën me pesë yje. Natyrisht, pasi të çimentojnë këtë platformë ogurzezë, përpiqen të hedhin hapin e mëtejshëm, - hapin madhor për të vërtetuar se tradhtarë nuk ishin “kolaboracionistët” e kallëpit të Mustafa Krujës apo Xhevat Korçës, por ata që rrëmbyen armët për të çliruar vendin nga mortaja fashiste. Pra, tradhtarë ishin partizanët, sidomos ata mijëra dëshmorë, të cilët deri tani kanë kujtuar se dhanë jetën për lirinë dhe për pavarësinë e atdheut, kurse tani, sipas logjikës perverse të M. Korçës dhe të shokëve të tij, duhen dënuar, sepse kanë luftuar kundër patriotëve të vyer të asaj toke.
Në këtë llogore ideologjike, Mërgim Korça nuk është vetëm. Janë disa, natyrisht jo të gjithë, nga bijtë e atyre që u dënuan me vdekje si kolaboracionistë nga gjyqet e ngritura pas Luftës së Dytë Botërore. Unë e kuptoj dhimbjen që ata kanë për dënimin dhe ca më keq, pushkatimin e prindërve të tyre. Sinqerisht pohoj se, shpirtërisht e kam kuptuar dhimbjen e tyre. Gjithashtu pohoj sinqerisht se, për shumë prej tyre kam menduar se dënimet që u kanë dhënë gjyqet kanë qenë tepër të rënda. Por, në asnjë mënyrë nuk pajtohem me pikëpamjen e atyre që mendojnë se me përmbysjen e regjimeve komuniste triumfuan regjimet fashiste. Me përmbysjen e regjimeve komuniste triumfuan, jo regjimet fashiste, por parimet e lirive demokratike, e ligjeve humane, e shtetit të së drejtës, e mendimit të lirë, e pronës private, e lëvizjes pa pengesa, e zgjedhjeve të lira e kështu me radhë. Mërgim Korça dhe shokët e tij kujtuan se tani që u përmbys regjimi komunist në Shqipëri, o burra të rehabilitojmë fashistët, tradhtarët, gjakatarët, spiunët e fashizmit. Pikërisht mbi këtë bazë ideologjike është frymëzuar M. Korça, i cili kërkon të na mbushë mendjen se i ati i tij, i cili i shërbeu okupatorit fashist si pjesëtar i qeverisë kolaboracioniste, nuk ka kryer turp, por një vepër patriotike të shkallës më të lartë. Meqenëse nuk ka fakte apo argumente që të na bindë, rreshton broçkulla kafenesh, se në një mbledhje Xhevat Korça paska thënë kështu, në një mbledhje tjetër paska thënë ashtu, këshilltarit fashist i paska vënë kufirin te thana, Loruso Atomës i paska dhënë përgjigje dinjitoze, e kështu broçkulla e broçkulla pa mbarim. Nuk harron pastaj të rreshtojë veprat e mëdha patriotike që ka kryer gjatë jetës së tij - se kur ka qenë i ri, ka marrë pjesë në çetat patriotike të Themistokli Germenjit, se kur ka qenë në mërgim, ka jetuar si një fukara për t’u mishëruar, se më 7 prill i paska ofruar Zogut gatishmërinë e tij për të dhënë jetën për mbrojtjen e atdheut, e të tjera e të tjera vepra të lavdërueshme, për të cilat nuk sjell as edhe një dëshmi dhe të cilat ne, historianët, i dëgjojmë për të parën herë. Megjithatë, ne po i pranojmë si të vërteta këto broçkulla që ai sjell për të kaluarën e largët të Xhevat Korçës. I ati i tij, Xhevat Korça, është dënuar jo për të kaluarën e tij të largët, por si kolaboracionist, si anëtar i qeverisë kolaboracioniste të kryesuar nga Mustafa Kruja, në shërbim të okupatorit fashist italian. Kaq! Natyrisht, bashkëpunimi i Xhevat Korçës me Italinë fashiste nuk ka krahasim me bashkëpunimin e Ahmet Zogut me Italinë fashiste, as me bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Jugosllavinë titiste, siç kërkon të na mbushë mendjen M. Korça, mbasi as Italia, as Jugosllavia nuk e kishin pushtuar Shqipërinë as në kohën e Zogut, as në kohën e Enver Hoxhës. Përkundrazi, në kohën e Mustafa Krujës dhe të Xhevat Korçës, të Hasan Dostit dhe të Mark Gjonmarkaj, Shqipëria ishte e pushtuar ushtarakisht nga Italia fashiste, e kishte humbur statusin e saj si një shtet sovran i pavarur, ishte fshirë pra nga harta e shteteve të lira të Evropës. Për më tepër, qeveria kolaboracioniste e Mustafa Krujës dhe e Xhevat Korçës ishte rreshtuar në bllokun e agresorëve gjermano-italo-japonezë dhe, për të freskuar memorien e Mërgim Korçës, qeveria kolaboracioniste e Mustafa Krujës dhe e Xhevat Korçës ishte në gjendje lufte me kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan. Bota ishte pra e ndarë në dy kampe, nga të cilat, njëri - kampi fashist, përfaqësonte agresionin, robërinë, errësirën, krimin, mohimin e lirisë së popujve - tjetri, kampi antifashist, pavarësisht se në të bënte pjesë edhe Bashkimi Sovjetik, përfaqësonte për atë kohë çlirimin, demokracinë, shtetin e së drejtës, lirinë e mendimit, të lëvizjes etj. Historiani në punën e vet duhet të mbështetet në parimin e njohur e të pranuar universalisht se aktorët dhe faktorët politikë duhen gjykuar sipas situatës ku ato kanë ndodhur dhe jo sipas ligjeve apo koncepteve të kohëve të mëvonshme. Në momentin historik të Luftës së Dytë Botërore, ku luhej fati i njerëzimit, vendimtar ishte pozicioni politik i qeverive dhe jo fjalët episodike që mund të ketë thënë një ministër në ambiente të mbyllura, si ato që na përmend Mërgim Korça për të atin e tij, të cilat, për më tepër nuk dimë, nëse janë ose jo të vërteta. Zoti M. Korça nuk duhet të harrojë se gjatë kohës që ishte në pushtet qeveria e Mustafa Krujës, djem të rinj që kanë mbajtur anën e kampit të madh antifashist, janë varur dhe pushkatuar, janë burgosur dhe internuar, janë plaçkitur dhe djegur fshatra, etj.. etj., krime që nuk mund të fshihen. Mërgim Korça le t’i lërë mënjanë fjalët me tinguj patriotikë që gjoja i ati i tij paska thënë poshtë e përpjetë dhe le të na thotë nëpërmjet procesverbaleve ç’qëndrim mbajti Xhevat Korça, kur u parashtrua për ekzekutim dënimi me vdekje i Hamit Shijakut, Hamdi Mëzezit, Nikolla Tupes etj., etj. Nëse nuk ishte dakord me dënimin e tyre me varje, përse nuk kundërshtoi, madje përse nuk dha dorëheqjen? Si shpjegohet fakti që edhe sot e kësaj dite shqiptarët në përgjithësi përulen me respekt para Qemal Stafës, Jordan Misjes, Perlat Rexhepit, të cilët dhanë jetën në luftë me milicët fashistë të Mustafa Krujës dhe të Xhevat Korçës, të Hasan Dostit dhe të Mark Gjonmarkajt? Apo mos vallë ai kërkon që në vend të këtyre heronjve të përjetshëm, t’u ngremë monument agjentëve të fashizmit, pra edhe Xhevat Korçës dhe Mustafa Krujës?
Për të na sqaruar se ç’është historia dhe se si shkruhet historia, M. Korça na sjell ca citate të shkëputura, të cilat besoj se as ai vetë nuk i kupton. Me anën e tyre kërkon t’u prishë mendjen lexuesve, për të treguar se kemi para nesh një njeri me kulturë. Na sjell një citat edhe nga W. Churchill. Do të bënte mirë që nga W. Churchill të na sillte paralajmërimin që ai u bënte kolaboracionistëve, të cilët i quante “çakej” të okupatorëve nazifashistë, se do të jepnin llogari në fund të luftës për bashkëpunimin e tyre me ta. Ja, këto janë materiale që vë në peshore historiani dhe jo ato që ndodhën pas Luftës së Dytë Botërore. Se çfarë ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore është një kapitull tjetër.
Veç kësaj, nuk duhet harruar se kolaboracionistët e okupatorëve nazifashistë nuk u dënuan vetëm në Shqipëri. Ata u dënuan diku me më tepër dhe diku me më pak ashpërsi në të gjithë Evropën e pushtuar nga ushtritë nazifashiste gjermane dhe italiane. Do të sjell si shembull vetëm Francën, të ashtuquajturën Francë të Vichy-së. Udhëheqësit e saj u dënuan nga Franca jokomuniste, por demokratike, sepse nënshkruan armëpushim me Gjermaninë hitleriane, ndonëse shpëtuan një pjesë të Francës (Franca e Vichy-së) nga pushtimi ushtarak hitlerian. Megjithatë, ata u akuzuan si kolaboracionistë të Gjermanisë hitleriane. Mos harrojmë se në krye të Francës të Vichy-së ishte një hero i Francës dhe jo një agjent fashist si Mustafa Kruja. Në krye të Francës së Vichy-së ishte mareshali Petain, i cili ishte shpallur Hero për rezistencën madhështore që ai u kishte bërë ushtrive gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, argumentin që ai solli para gjyqit se kishte shpëtuar një pjesë të Francës nga dhuna e përditshme hitleriane, Gjykata e Lartë frënge e ngritur pas luftës, e dënoi me vdekje Heroin e dikurshëm 92-vjeçar për tradhti të lartë ndaj atdheut. Natyrisht, duke marrë parasysh moshën tepër të thyer të mareshalit, presidenti i Francës, Ch. De Gaulle, e ktheu dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm. Për kryeministrin kolaboracionist të Francës, Pierr Laval, nuk pati asnjë lehtësim. Ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua. Me sa dimë ne, askush deri sot në Francë nuk kërkon të rehabilitojë kolaboracionistët e Francës, të dënuar nga gjyqet e Pasluftës. Vetëm te ne, Mërgim Korça dhe shokët e tij, në vend që të turpërohen për veprat e prindërve të tyre, kërkojnë t’i ngrenë në piedestalin e heronjve dhe të patriotëve, kurse heronjtë dhe patriotët e vërtetë duan t’u vënë njollën e kolaboracionistëve dhe të tradhtarëve.
Megjithatë, në shumë raste personalitetet historike kanë një veprimtari komplekse. Kanë në politikë momente me bilanc pune pozitive, por edhe momente me bilanc pune negative. Veç kësaj, ka personalitete politike, që kanë një veprimtari edhe në fusha të ndryshme të shkencave, si p.sh., në fushën e gjuhësisë, historisë, letërsisë, etnografisë etj. Ka gjithashtu raste, kur një personalitet ka njolla në fushën politike, por kapital të vyer në fushat e shkencave. Të japësh vlerësime për ta, nuk është punë e lehtë. Në këto raste nuk ka receta të prera. Në çdo rast bëhet analizë objektive historike.
Një nga personalitetet historike të Shqipërisë të shekullit XX me veprimtari tepër komplekse dhe tepër të ndërlikuar është padyshim Mustafa Kruja. Për të do të flasim hollësisht në një shkrim tjetër.