E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Blushi dhe Malaj mund të nguten, mua nuk më lejohet një gjë e tillëNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se atij nuk i lejohet të ngutet për sa i përket vendimit për të dhënë dorëheqje nga drejtimi i PS. Rama komentoi në këtë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Blushi dhe Malaj mund të nguten, mua nuk më lejohet një gjë e tillëNga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se atij nuk i lejohet të ngutet për sa i përket vendimit për të dhënë dorëheqje nga drejtimi i PS. Rama komentoi në këtë mënyrë kërkesat e dy zyrtarëve të PS, Arben Malaj dhe Ben Blushi për dorëheqje nga posti i kryetarit.

Rama tha se ai i ka të qarta detyrimet dhe radhët e punës së tij, por deklaroi gjithashtu se PS doli në këto zgjedhje forca më e madhe në vend.

“Unë jam kryetar i Partisë Socialiste, e cila nga zgjedhjet e 28 qershorit doli forca më e madhe në vend. Unë i kam të qarta detyrimet dhe radhët e punës time. Sot detyrimi dhe radha e punës kërkon që unë dhe Partia Socialiste të jemi në këtë pozicion, qartësisht të vendosur dhe të hapur përpara publikut, për të mos lejuar që ajo që ndodhi më 28 qershor, të përfundojë me grabitjen e mandateve tona dhe me asgjësimin e një të drejte që ne na i jep ligji zgjedhor. Të tjerët mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet”, - tha Rama.

Kryetari i PS doli dje në konferencë për shtyp për të deklaruar se nuk do të ketë bashkëpunim me Sali Berishën, në rast se ai do të qëndrojë në atë detyrë me mandate të vjedhura. Rama hodhi akuza se po bëhet presion dhe ndaj Kolegjit Zgjedhor.

Kryetari i PS tha se forca e tij do të bëhet pengesë për Berishën dhe nusen e tij të re, siç e quajti ai Metën.

“Ashtu si dhe ju dhe unë pata fatin e keq ta ndjek jermin e mbrëmshëm të kryeministrit, dhe dua të nënvizoj një sërë gjërash që lindin si detyrim për të bërë qartësi në sytë e popullit shqiptar:

1. Zgjedhjet nuk kanë mbaruar dhe rezultati, jo vetëm nuk është ai që deklaroi zyrtarisht Partia Demokratike, kur i dha arbitrarisht Sali Berishës, me ndihmën e KQZ së militarizuar për llogari të Sali Berishës, 71 deputetë, duke ngrënë ditën për diell mandatin tonë të nëntë në Fier, po nuk është as ky që deklarohet sot. Sepse ende nuk janë hapur kutitë e Beratit, ku ne kemi të gjitha arsyet e faktet për të pretenduar mandatin e pestë, dhe nuk janë hapur as kutitë e Tiranës e të Shkodrës, ku shqiptarët e shqiptaret duhet të shohin me sytë e tyre batërdinë që është bërë në numërimin e votave, për llogari të Sali Berishës.

2. Pa u hapur kutitë e Beratit, Tiranës e Shkodrës, në bazë të Ligjit Zgjedhor, që nuk lë asnjë ekuivok lidhur me të drejtën e dy anëtarëve të KQZ për hapjen e kutive, Sali Berisha, jo vetëm s’mund të pretendojë të drejtën për të folur si kryeministër me një mandat të ri, po s’mund të ketë as të drejtën për të kërkuar që Partia Socialiste të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Me katër ushtarë në KQZ që e kanë shitur shpirtin te Saliu, apo largqoftë me gjyqtarë që do të sillen njësoj si ushtarët e Saliut, as nuk merret e as nuk mbahet dot pushteti i popullit. E siguroj Sali Berishën se, në qoftë se nuk do të lejojë hapjen e kutive të Beratit, Shkodrës e Tiranës, do të zgjedhë rrugën më të shkurtër për të ndenjur mbi karrige, po absolutisht më të gjatën për ta mbajtur karrigen në këmbë.

3. Ne do ta pranojmë rezultatin, vetëm në qoftë se do të pranohet e drejta jonë ligjore për të bërë transparencën e kutive të Beratit, Tiranës e Shkodrës, por pa asnjë dyshim ne nuk do të ndalemi, edhe më pas, në kërkimin e transparencës së plotë për një proces zgjedhor që e konsiderojmë, jo vetëm jashtë standardeve, po edhe të deformuar në themelin e tij përmes mekanizmash që duhen hetuar duke nxjerrë nga kutitë të gjithë dokumentacionin. Këtë të drejtë nuk e ka KQZ, nuk e ka Kolegji Zgjedhor, po padyshim e ka parlamenti dhe organet kushtetuese të hetimit, ku ne do të depozitojmë kallëzimin përkatës.

4. Zgjedhjet e 28 qershorit janë për ne, jo vetëm jashtë standardeve, po edhe një alarm për demokracinë në Shqipëri dhe pikërisht pse ne nuk mund ta tolerojmë në asnjë mënyrë që procesi elektoral në vendin tonë të kthehet në një skemë të mbyllur që nxjerr gjithnjë fitues pushtetin pavarësisht si voton qytetari, ne do të bëjmë me çdo kusht e mjet zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit.

5. Sali Berisha duhet ta harrojë çdo bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste nesër, në qoftë se sot do të qëndrojë në atë karrige me mandate të grabitura përmes uzurpimit të KQZ apo trysnisë ilegale mbi Kolegjin Zgjedhor. Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për të dhe për nusen e tij të re që i pruri në prikë 83 mijë vota të majta duke krijuar mundësinë për koalicionin më të turpshëm në historinë e këtij vendi, të cilit ne do t’i përgjigjemi me vendosmërinë e njerëzve të grabitur në një të drejtë, që mund të vonojë, por të jenë të gjithë të sigurt se nuk do të harrojë, e do të vendoset shumë më shpejt se ç’mund ta përfytyrojë gabimisht Sali Berisha, Ilir Meta dhe e gjithë shoqëria e re e politikës së vjetër”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›