Gripi i derrave, shtyhet afati për laboratorin e ri
Shtyhet afati për vënien në punë të laboratorit të ri të analizave në ISHP. Nga sa premtuan drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, ai do të ishte gati në fillim të këtij muaji. Por analizat për nëntipin H1N1 të virusit të gripit A do të kryhen në vend vetëm pas datës 15 tetor. Edhe një muaj mostrat e dyshuara për gripin e derrave do të dërgohen për konfirmim në Rumani. Bluzat e bardha kanë ngritur shqetësimin se kohëzgjatja e përgjigjeve e bën problematike situatën. ”Sidomos gjatë kësaj periudhe, që ka nisur të rritet me disa herë numri i personave që dyshohen se janë prekur nga gripi i derrave”, thonë mjekët. Aktualisht në vendin tonë numërohen 31 persona të infektuar nga gripi i derrit. Priten përgjigjet për mbi 70 monstra nga Bukureshti. Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel për më shumë ndërgjegjësim në higjienën personale, sidomos me hapjen e shkollave. Ditët e fundit është rritur kontrolli në pikat kufitare. Funksionimi i laboratorit të ri për kryerjen e analizës së virusit A (H1N1) do të mundësojë përgjigje më të shpejtë. Në këtë mënyrë edhe trajtimi i tyre do të bëhet në kohë. Laboratori i virologjisë është pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë.