E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK, Beja kundër Ndokës: Jo aleancë me PS dhe Edi Ramën

 

Bledar Hoti

Nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja del kundër idesë së kreut të kësaj partie, Nard Ndoka për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste. Ai e cilëson si Edi Ramën si arkitektin e Kodit vrastar të pluralizmit në Shqipëri dhe kërkon që PDK-ja të përmirësojë imazhin e marrëdhënieve me PD-në dhe LSI-në. Beja kërkon gjithashtu, bërjen e analizës së këtyre zgjedhjeve nga ana e PDK-së.
PDK nuk do të jetë në Parlament në katër vitet e ardhshme. Si e komentoni ju këtë rezultat të forcës suaj?
Eshtë e vërtetë dhe një zhgënjim i madh, ndonëse “ngushëllohemi” me faktin që kuptuam të parët (LSI-PDK) që ky kod i miratuar nga PD-PS, i hartuar nga kjo e fundit, do të na penalizonte rëndë. Theksoj se kemi bërë volum të madh pune partiake me një numër të madh njerëzish, si asnjëherë më parë në historinë e PDK-së, nxituam të bënim koalicion të ri “Polin e Lirisë” (koalicionin na e diktonte Kodi), siguruam dhe mbështetje të ngrohtë ndërkombëtare me parti simotra, italiane, gjermane etj dhe përsëri rezultati na ktheu në ”origjinë” zero deputet.
Ju mendoni se rezultati negativ është vetëm për shkak të Kodit?
Fakti që janë penalizuar dhe parti të tjera të qenësishme si PSD, PDS, PAA në të majtë dhe PBK, PLL në krahun tjetër e vërteton më së miri që ky Kod ishte një eksperiment i rrezikshëm për pluralizmin politik në Shqipëri. Duhet t’ju rikujtoj që nga ky kod e pësoi rëndë dhe LSI, e cila për mendimin tim, ka marrë një rezultat së paku dy herë më të ulët seç meritonte.
Sipas jush PDK nuk ka gabuar, apo të gjitha fajet i ka kodi?
Pa dyshim që jemi të ndërgjegjshëm për gabimet tona dhe në përgjithësi të lidershipit të PDK-së, ndonëse është bërë e modës që partitë politike shqiptare nuk bëjnë analiza postzgjedhore të mirëfillta, pasi për mendimin e tim liderët e partive i tremben analizave për shkak të karriges së kryetarit. Në rastin e PDK-së tek ne duhet parë ndryshe mendoj. Nard Ndoka është kryetar i ligjshëm i PDK-së, e vërtetuar edhe nga një odise gjyqesh të njëpasnjëshme që kemi qenë të detyruar të ndjekim, por duhet të pranoj që edhe ai nuk i ka qejf analizat, pa le t’i shohë si nevojë për të njohur më mirë situatën dhe për të gjetur rrugën e duhur për t’u ringritur në politikë.
Ndërkohë edhe ju nuk po pranoni apo gjeni gabimet e bëra...
Shkurtimisht mund të rreshtoj disa arsye si p.sh: PDK si një parti me bazë morali e mbështetur në doktrinën, nuk e ka komoditetin të luajë me principe të tilla jetësore, si mbrojtja e jetës, familjes, pronës, arsimimin, qëndrimin ndaj fesë, etj., me farsën hajde me “gjasme”! Ato janë mure doktrinore të cilave u duhet dhënë e forcuar shpirti. Nga dobësimi i kësaj ne kemi humbur mbi 50% të elektoratit demokristian tradicional. Së dyti, PDK nuk mund dhe nuk duhet drejtuar me metoda revolucionare, pasi ajo është një parti konservatore me frymë të ngrohtë kooperimi me të gjitha forcat politike dhe bashkëjetesa politike me të duhet të ndihet shumë dhe të duket pak, ndërsa ne bëmë të kundërtën, jo rrallë në vend të diktonim me vullnet e moral, morëm rolin e “cubit” politik. Së treti, PDK me gjithë dëshirën dhe përkushtimin e mirë të z. Ndoka, mendoj që nuk ishte e përgatitur dhe nuk duhet të pranonte të hynte në qeveri me portofolin e ministrit, e aq më tepër me atë të Shëndetësisë, tepër e rëndë për këllqet e z. Ndoka dhe stafin e tij politik. Menaxhimi i shkëlqyer i pasojave të Gërdecit, tregoi se ishte i pamjaftueshëm, për të vjelë frytet e pushtetit me votë. Ky pushtet në mjaft raste ju dha njerëzve të rastit të cilët së bashku me 2-3 deputetë, që nuk patën kurrfarë lidhje me PDK, dëmtuan rëndë imazhin e saj. Së katërti liderët e PDK-së në të gjithë jetën e saj e deri në drejtuesit aktual, për shumë shkaqe që nuk janë objekt i kësaj interviste kanë treguar paaftësi dhe mungesë vizioni në arritjen e marrëveshjeve apo kompromiseve politike që janë tejet të domosdoshme në bashkëjetesën mes partive, etj.
Çfarë do të bëjë tani PDK që nuk është më një parti parlamentare?
Pranoj që PDK ndodhet në udhëkryq politik. Kemi humbur një betejë shumë të rëndësishme politike, aq më tepër në periudhën më të mirë politike në gjithë historinë e saj. Kam këshilluar drejtuesin e partisë për një “qetësi” relative politike me qëllim që të rigrupojmë njerëzit dhe resurset, të ruajmë e forcojmë identitetin tonë, për të mos përsëritur gabimet e bëra. Gjithashtu, të bëhen përpjekje për kompromise me forcat politike, së pari me PD dhe LSI, për përmirësimin e klimës dhe imazhin e marrëdhënieve të deritanishme. Së paku, me PD-në, për të mos i acaruar me tej. Në të njëjtën kohë kam kërkuar zgjerimin e radhëve të PDK-së me intelektualë qytetarë, duke e futur partinë në një rrugë të re reformuese me strukturë demokratike, etj.
Ju e keni këshilluar zotin Ndoka edhe për aleancë me PS-në?
E mirëkuptoj nëntekstin e pyetjes suaj, por deklaroj që nga dëshpërimi i humbjes, të shkosh të falesh tek Edi Rama, arkitektin e kodit vrastar të pluralizmit politik në Shqipëri, është njëlloj si të kërkosh ndihmë tek ai që të ka mbytur njëherë. Asnjë aksion politik nuk mund t’i besohet atij, sidomos, ata, që u detyruan të protestojnë dhe me grevë urie, për ndryshimin e kodit. Si mund të falemi tek ai njeri, që rrezikoi seriozisht jetën e 10 deputeteve?! Nëse jemi të interesuar për aksion politik për kodin dhe zgjedhje të lira e të ndershme, perse vallë nuk bashkëpunohet me PD-në dhe sidomos me LSI-në, që t’i ushtrojnë presion PS-së dhe Edi Ramës për ndryshimet e nevojshme?
Ju mohoni takimin Rama-Ndoka?
Ndoka dhe Rama mund të kenë mjaft arsye për t’u takuar që unë personalisht nuk i di, por ju garantoj që PDK-ja nuk ka aleancë politike me PS dhe se çdo lëvizje në kuadër të dëshpërimit, nuk do të jetë efikase për të ringritur e forcuar partinë, në të kundërt, do të jemi grup politik kamikaz, në shërbim të një individi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›