E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në testim kush s’ka bërë klasën e 9

 

zirina llambro

Të gjithë nxënësit që kanë mbaruar arsimin e detyruar 8-vjeçar përpara vitit 2009, do kenë mundësi të ndjekin vitin e parë të gjimnazit. Me një udhëzim të posaçëm, Ministria e Arsimit i jep fund vakumit të krijuar me aplikimin e reformës së re. Me anë të saj u bë i mundur kthimi në sistem 9-vjeçar i arsimit bazë. Kështu nxënësit vetëm pas klasës së nëntë nisin shkollën e mesme, e cila tashmë është 3 vjet. Në udhëzimin e fundit të ministrisë saktësohen kushtet që duhet të plotësojnë nxënësit. Ata duhet t’i nënshtrohen provimeve për lëndët bazë të vitit që kanë humbur. Për t’i përvetësuar, ose do të mësojnë në mënyrë individuale, ose do të ndjekin me program të shkurtuar mësimin në klasat e veçanta që do të hapen për ta. ”Nxënësit të cilët kanë përfunduar arsimin e detyruar 8-vjeçar, përpara vitit 2009 dhe zotërojnë një Dëftesë Lirimi, për t’u regjistruar në klasën X të Arsimit të Mesëm duhet  të japin 6 provime”, thuhet në udhëzimin që mban firmën e ministrit Beja. Përkatësisht lëndët për të cilat ata do të testohen janë Matematika 9, Fizika 9, Kimia 9, Biologjia 9, Letërsia dhe Gjuha Shqipe 9 dhe Gjeografia 9. ”Për këto provime do të hartohen programe orientuese nga IKT dhe do të miratohen nga MASH” saktëson udhëzimi. Regjistrimi për të dhënë provimet bëhet në muajin shtator në shkollën ku dëshiron të hyjë nxënësi. Afati kohor i dhënies së këtyre provimeve është muaji qershor për vitet e ardhshme, ndërsa  për vitin 2009 deri në muajin dhjetor. “Në qoftë se nxënësi mbetet deri në dy provime, mund t’i japë në sesionin e dytë (gusht), në rast të kundërt përsërit të gjitha provimet në po ato afate kohore”, bën me dije MASH. Për nxënësit që përfshihen në pikën e parë të këtij Udhëzimi dhe që janë nën juridiksionin e Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, do të hapet klasa IX, sipas programit mësimor të vitit shkollor 2009-2010, pranë shkollës së mesme me kohë të shkurtuar “Konstandin Kristoforidhi”. ”Pas vijimit të klasës së IX, nxënësit pajisen me dëftesën e klasës së IX, bazuar në suksesin e vijueshmërisë gjatë vitit shkollor 2009-2010. Me këtë dëftesë, ata mund të regjistrohen në klasën e X të arsimit të mesëm me kohë të plotë ose të shkurtuar”, thotë udhëzimi. Në shkollat e mesme nxënësit  pranohen me konkurrim dhe duhet të ketë dhënë paraprakisht këto provime. ”Nxënësit mbetës të klasës IX të shkollës së mesme, në vitin shkollor 2007-2008, të cilët shlyen detyrimet shkollore gjatë vitit shkollor 2008-2009, mund të regjistrohen në klasën X të shkollës së mesme me kohë të plotë ose me kohë të shkurtuar në mbështetje të dëftesës së klasës së IX të riplotësuar”, ka vendosur Ministria e Arsimit. Sa i përket nxënësve  të cilët kanë mbetur në më pak se tre provime në klasën IX në vitin shkollor 2007-2008, ata do  t’i japin këto provime në sesionin e dytë në muajin shtator. Nëse mbeten sërish të trajtohen si nxënësit, të cilët nuk e kanë kryer klasën 9-vjeçare. Në të njëjtën mënyrë do të trajtohen edhe nxënësit shqiptarë, të cilët kanë përfunduar studimet e  arsimit të detyruar jashtë vendit me afat 8 vjet. Edhe ata duhet të japin provimet e klasës së 9-të, për t’u pranuar në gjimnaz. ”Kur kanë kryer studimet me afat 9 vjet, regjistrohen në një nga shkollat e mesme që dëshirojnë”, sqaron udhëzimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›