E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në BE Lohan dorëzon pyetësorin e KE-së: "Zgjidhni krizën"

Autori i Lajmit: Suela TopiKreu i Komisioni Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan, i ka dorëzuar dje kryeministrit Sali Berisha pyetësorin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Lohan ka pohuar se pyetësori, i përbërë nga 2280 pyetje në 384 faqe, është një tregues i seriozitetit që KE po përpiqet të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse, për përgatitjen e Shqipërisë. Me këtë rast ai ka këshilluar politikën shqiptare që në fillim të vitit që vjen të ketë zgjidhur krizën politike në të cilën është zhytur vendi. Lohan ka vlerësuar më tej punën e Qeverisë shqiptare, ndërkohë që u shpreh optimist dhe për arritjet e mëtejshme.

Deklarata

“Dëshiroj të përcjell urimet tona edhe për punën që është bërë në Shqipëri nga Këshilli i Ministrave si dhe urimet më të mira për atë punë apo progres shumë të madh që ne shpresojmë se do të kemi në të ardhmen për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE gjatë vitit që vjen”, - tha dje Lohan, ndërsa po i dorëzonte kreut të Ekzekutivit shqiptar pyetësorin e Komisionit Evropian duke i përcjellë dhe urimet personale të Komisionerit për Zgjerimin, Oli Rehn. “Pyetësori është vërtet një hap i ri historik, një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Evropian. Pyetësori ka 2280 pyetje të shënuara në 384 faqe. Pra, ky është një tregues i seriozitetit me anë të të cilit Komisioni Evropian po përpiqet që të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse informacionin për sa u përket përgatitjeve të Shqipërisë dhe hapave që po ndërmerren për anëtarësimin dhe sidomos për kriteret e Kopenhagenit”, - shpjegoi Lohan. Në këtë kuadër ai theksoi rëndësinë e kritereve politike, funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Lohan paralajmëroi se Komisioni Evropian do ti analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen. “Po ashtu, Komisioni Evropian do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar”, - tha ai. Ambasadori i KE-së shtoi se ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, sipas tij, këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Prandaj, theksoi ai, vendi për debatin politik është në Parlament. “Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në konkluzionet apo përfundimet që ky këshill ka nxjerrë: Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament. Unë e mbajta shënim thirrjen që u bë nga Kryeministri për të hapur këtë dialog”, - pohoi Lohan, ndërsa ritheksoi urimet për Vitin e Ri, duke uruar dhe zgjidhjen e krizës. “Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, - përfundoi ambasadori i KE-së.

Bregu: "Përgjigjet e pyetësorit brenda marsit 2010"

Përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian do të realizohen brenda 31 marsit 2010. Kështu premtoi dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pas marrjes së pyetësorit. “Kalendari i përgjigjes së pyetjeve, sipas kapitujve të pyetësorit, fillon nga data 16 dhjetor, ndërsa kemi parashikuar fundin e tij më 31 mars të viti 2010”,- u shpreh ministrja Bregu. Ajo premtoi se qeveria do të bëjë çështë e mundur që çdo institucion të ketë një periudhë për tiu përgjigjur pyetjeve me cilësi, por pa zvarritje. “Motoja jonë kryesore gjatë këtij procesi është cilësia dhe vërtetësia. Ky proces do të ketë ritëm dhe nuk do të ketë ngecje”, - pohoi ajo. Në komunikimin me gazetarët ministrja Bregu informoi se pyetësori përmban 2280 pyetje, të përfshira në 384 faqe dhe që janë të ndara në 33 kapituj. Ndërkohë, ka dy kapituj shtesë, për efekt të pyetësorit, një për kriterin politik dhe një për atë ekonomik. Për përgjigjet e këtij procesi janë të angazhuara 48 institucione, mbi 800 nëpunës civilë, 58 përkthyes, 27 trajnues ndërkombëtarë. Ministrja tha se janë ngritur 35 grupe pune që funksionojnë pranë institucioneve përkatëse, ndërsa janë trajnuar deri tani 460 nëpunës për një periudhë tremujore. Përgjigjet që do të jepen nga autoritetet shqiptare do të shërbejnë si bazë për opinionin që KE do të përgatisë mbi aplikimin për anëtarësim, që Shqipëria paraqiti në muajin prill 2009. Opinioni i KE-së mbi përgatitjen e vendit për tu bërë shtet kandidat do ti prezantohet Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili më pas do të marrë një vendim.

Berisha fton Ramën: "Të përshëndesim bashkë këtë moment historik"

Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar dorëzimin e pyetësorit si kartolinën e fundvitit që Komisioni Evropian i bën Shqipërisë. Gjatë marrjes së këtij pyetësori nga ambasadori i KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan, ai ka pohuar se qeveria dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Evropian të jenë më të vërtetat e të vërtetave. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të ftuar Kryetarin e Partisë Socialiste të përshëndesin së bashku këtë moment. “Ftoj Kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori”, - tha Berisha. Ai ka shprehur dhe mirënjohje ndaj Komisionit, i cili brenda një kohë të shkurtër, njëmujore, ia doli të formulojë pyetësorin voluminoz për Shqipërinë. Berisha siguroi se rreth 800 punonjës të administratës shqiptare do të angazhohen me një intensitet të madh në studimin dhe plotësimin e tij dhe se Komiteti Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë çdo javë ecurinë e këtij procesi. “Duke e mbyllur këtë fjalë dëshiroj ti shpreh ambasadorit Lohan, stafit të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Komisionit Evropian në Bruksel, urimet më të mira për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri dhe dëshiroj tu shpreh mirënjohjen më të thellë për kartolinën historike që u sollën shqiptarëve për festat e mëdha të fundvitit”, - tha Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp. Më tej, në prani të medieve, Kryeministri i dorëzoi pyetësorin ministres së Integrimit. “Para jush dëshiroj ti dorëzoj pyetësorin ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, me besimin e madh se, me përkushtim, do të përmbushim detyrimet tona madhore para qytetarëve shqiptarë, para partnerëve evropianë dhe para Komisionit Evropian dhe me garancinë e plotë se Kryeministri do ti japë të gjithë mbështetjen këtij procesi, i cili është më i rëndësishmi, është 1-shi i të gjitha proceseve dhe të gjitha reformave që ne kemi”,- u shpreh kryeministri Berisha.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›