E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Sarajevë: "Heqja e vizave nxit dialogun në Ballkan"

Autori i Lajmit: RedaksiaMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën e Parë të Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore për Aleancën e Qytetërimeve, e cila zhvilloi punimet tri ditë më parë. Aleanca e Qytetërimeve synon që nëpërmjet veprimit në fushat e saj kryesore që janë rinia, arsimi, media dhe migrimi, të krijojë një kuadër për promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, mirëkuptimit ndërkulturor dhe paqes e sigurisë. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Meta theksoi rëndësinë e mirëkuptimit dhe dialogut ndërkulturor në funksion të një shoqërie të shëndetshme dhe shumëkulturore. Ai bëri thirrje për një veprim politik më të shënjestruar dhe të koordinuar në rajonin tonë, çka do ti shërbente paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Evropës Juglindore, por në të gjithë Evropën. Ministri i Jashtëm theksoi se heqja e barrierave të fundit që pengojnë kalimin e lirshëm të kufijve naciconalë si dhe liria e lëvizjes do tu japin popujve të rajonit mundësinë që jo vetëm të ndërtojnë një dialog konstruktiv, por tu mundësojë atyre realizimin e kontakteve të ndërsjellta dhe shkëmbimin e kulturave respektive. Meta mori pjesë edhe në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A-5) më 15 dhjetor në Sarajevë. Në përfundim të takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës përshëndetet progresi i bërë nga vendet aspirante në rrugën e integrimit, shprehet angazhimi i përbashkët për bashkëpunim për suksesin e operacionit ISAF, si dhe vlerësohet roli i rëndësishëm që Karta e Adriatikut vazhdon të luajë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, duke u angazhuar në të njëjtën kohë që vendet të punojnë së bashku për suksesin e mëtejshëm të kësaj iniciative.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›