Gripi i derrit, 169 persona të infektuar nga virusi A/HIN1
Emanuela Sako
Virusi i gripit të derrit ka prekur 169 persona, të cilët janë konfirmuar si të infektuar nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtuesit e shëndetësisë kanë pranuar se tashmë jemi në një situatë epidemie. Specialistët theksojnë se pritet të ketë shtim të rasteve me virusin e gripit të derrit, pasi përhapja e gripit stinor është tepër i lartë. Gripi stinor komplikon evidentimin e rasteve me gripin e derrit, pasi ka të njëjtat simptoma. Përsa i përket ndryshimit të planit të masave që ka marrë Komiteti i Pandemisë në vendin tonë, ato nuk do të ndryshojnë pavarësisht rritjes së numrit të prekurve nga gripi sezonal dhe virusi A/H1N1.
Vaksina
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur numrin e dozave të vaksinës që do të sigurohen për vaksinimin e popullatës. Pritet ardhja e 250 mijë dozash të vaksinës kundër virusit dhe do të vijnë në filli të muajit dhjetor. Të parët që do të vaksinohen janë kategoritë më emergjente. Sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetësisë, faza e vaksinimit do të fillojë me mjekët dhe infermiere dhe më pas do të vazhdojë me gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit, invalidët etj. Ministria ka këshilluar që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të dhëna më parë, si dhe kërkoi që pacientët të kryejnë vizita të shpeshta mjekësore edhe për virozat e thjeshta. Sipas specialistëve, shtimi i rasteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Ndryshimet klimaterike kanë bërë që të shtohet numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe kombinimi i dy viruseve e bën më të vështirë situatën dhe evidentimin e virusit.
Rastet
Gjeografia e pacientëve të ekzaminuar me AH1N1, përfshin të gjitha qytetet e vendit dhe pse numrin më të madh e mban Tirana. Pjesa dërrmuese e tamponeve që kanë shkuar për ekzaminim janë marrë nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministria e Shëndetësisë është në monitorim të vazhdueshëm të situatës në shkolla, qendra dhe institucionet publike dhe private ku ka grumbullime të mëdha të komunitetit.
Pjesë e qyteteve që kanë pacientë të prekur me virusin janë qyteti i Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Delvinës, Sarandës dhe Devollit.
Ministria nis vaksinimin në azile dhe jetimore për gripin stinor
Të moshuarit dhe fëmijët jetimë janë kategoritë e para që po vaksinohen nga gripi i zakonshëm. Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ka nisur një fushatë vaksinimi për influencën stinore në Shtëpitë e Fëmijës dhe Shtëpitë e të Moshuarve në të gjithë vendin. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, kjo nismë ka si qëllim të ndihmojë shtresat në nevojë të shoqërisë. Ndërkohë që janë konfirmuar 12 mijë raste në javë nga gripi sezonal. Me uljen e temperaturave stinore, pritet që rastet me viruse stinore dhe ato me AH1N1 të pësojnë një rritje të ndjeshme.
Ndihma ekonomike
Përjashtohen 762 persona që e përfitonin pagesën si invalid
Përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike 762 persona që përfitonin padrejtësisht pagesën për personat me aftësi të kufizuara. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Zyrës së Pagesave (CASH) në Shërbimin Social Shtetëror, Leonard Strazimiri. Sipas tij, nga inspektimet e kryera në 418 njësi administrative gjatë 10 muajve të fundit, ka rezultuar se janë përfituar padrejtësisht rreth 7 243 000 lekë nga 762 persona, shumë e cila duhet të kthehet nga personat përfitues. Në këtë kuadër, Strazimiri bëri të ditur se është propozuar largimi nga puna i një administratori shoqëror, janë dhënë 94 vërejtje me shkrim dhe 20 gjoba për personat përgjegjës. Më tej, Strazimiri vlerësoi se numri i përfituesve të pagesës së paaftësisë këtë vit ka qenë në rritje, krahasuar me vitin e kaluar. “Për 10 mujorin e vitit 2009, me fondet buxhetore u trajtuan 128 876 persona ose 5.5 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rritja ka qenë më e lartë në invalidët e punës dhe në kategorinë e përfituesve të shërbimit të kujdestarisë”,- ka sqaruar drejtori i pagesave. Nga ana tjetër, ai ka pohuar se këtë vit janë komisionuar gjithsej edhe rreth 1080 persona të verbër, 400 prej të cilëve për herë të parë. Ndërsa përsa i përket rritjes progresive të përfituesve me aftësi të kufizuar, Strazimiri ka shpjeguar se ajo është rrjedhojë e ndryshimeve ligjore dhe zgjerimit të spektrit të përfitimeve. Sipas tij, në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet sërish rritje të fondeve për pagesat sociale të paaftësisë. Fondi për këtë kategori do të jetë në masën 11 442 miliardë lekë, nga 9.2 miliardë që u përcaktua për këtë vit, ose 24% më shumë. J.Tashi
24 Nentor 2009