E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Bashkiak, rikthehet çështja e parkingjeve nëntokësore



Emanuela Sako

Çështja e parkingjeve nëntokësore rikthehet sërish për t’u diskutuar mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në mbledhjen e radhës, që është përcaktuar të zhvillohet në ditën e sotme, Këshilli Bashkiak i Tiranës rikthen çështjen e dy parkingjeve nëntokësore pas një viti ndërprerje. Këtë radhë, do të diskutohet projektvendimi, “Për miratimin e termave kryesore të kontratave koncesionare mbi parkimet nëntokësore në parkun ‘Rinia’ dhe sheshin ‘Italia’”. Ndërtimi i dy parkingjeve dhe miratimi që pati në Këshillin Bashkiak, hasi në një sërë kundërshtimesh dhe debatesh me kaheve politike të ndryshme dhe projektit të Bashkisë për dy parkingjet në qendër të qytetit. Këshilli Bashkiak do të diskutojë edhe për një sërë çështjesh të tjera, si: Projektvendimi, “Për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit të Buxhetit afat-mesëm për periudhën 2010-2012”; Projektvendimi, “Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm për vitet 2010-2012”; Projektvendimi, “Për zbritjen e vlerës financiare të objekteve “Çerdhja Bregu i Lumit”, “Çerdhja nr. 42” dhe “Çerdhja nr. 52”, nga kontabiliteti i Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve” etj.
Bashkia
Për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore është vendosur dhe forma e dhënies me koncesion, e propozuar nga Bashkia e Tiranës, është forma “BOT” (Build, Operation, Transformation, që do të thotë ndërtim, shfrytëzim, transferim). Sipas procedurave të parashikuara në ligj, transferimi nënkupton që pas shfrytëzimit për një periudhë kohore të caktuar, firmat do të duhet t’ia dorëzojnë Bashkisë së Tiranës administrimin e parkingjeve nëntokësore. Një nga mënyrat e dhënies me koncesion të parashikuara në ligj, është që kompanitë mund ta shfrytëzojnë biznesin për parkimet nëntokësore deri në 35 vjet dhe më pas të kalojë në pronësinë e Bashkisë së Tiranës. Flitet për ndërtimin e parkingjeve më të mëdha në vend në zonën e parkut “Rinia” dhe sheshit “Italia”.
Projekti
Në projektin e ri për kryeqytetin ishte parashikuar ngritja e 9 parkingjeve në zonat më të populluara, ndërkohë që qeveria lejoi ngritjen e vetëm dy parkingjeve, atë të Parkut “Rinia” dhe të sheshit “Italia”. Parkingu në parkun “Rinia” do të ndërtohet me disa kate nëntokë, ndërsa sipërfaqja e tij do të mbetet e gjelbër, ku do të ketë dhe shtim të pemëve. Për më tepër mendohet që të shtohet gjelbërimi dhe infrastruktura e domosdoshme publike mbi këtë park dhe parkingjet. Bashkia e Tiranës ka bërë publike disa detaje për ndërtimin e parkingjeve, ku sipas bashkisë dy parkingjet do të jenë në distancën 500 metra nga njëri-tjetri. Madje të 9-të parkingjet nëntokësorë që ishin parashikuar të ndërtoheshin do të ruanin këtë distancë nga njëri-tjetri. Brenda parkingut do të jenë të vendosur një numër mjaft i madh makinash, duke plotësuar nevojat e rezidentëve të kësaj zone, institucioneve dhe vizitorëve të qendrës. Sheshi ”Skënderbej” dhe disa pjesë të tjera që prekin qendrën e qytetit do të kthehen në zona këmbësorësh. Kështu, dy parkingjet e para nëntokësore në Tiranë që do të heqin rrethimin e makinave nga parku Rinia, nga sheshi “Nënë Tereza” dhe do të çlirojnë mjaft trafikun po edhe hapësirat e lëvizjes së këmbësorëve në zemrën e kryeqytetit.

Detajet për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore

Projekti për ndërtimin e parkingjeve është në bazë të masterplanit të qendrës së Tiranës, i cili është hartuar me konkurs ndërkombëtar nga studioja franceze “Architecture Studio” në vitin 2003 është miratuar nga Qeveria Shqiptare në vitin 2004. Projekti synon të ndryshojë kryeqytetin, duke e zhvendosur atë më parametrat e qyteteve europian. Projekti synon të ruajë tradicionalen të ndërthurur me moderne. Por, njëkohësisht kërkon që ndërtimet e reja të jenë sa më funksionale për qytetarët. Të mirat që do të sjellë ky projekt, janë sepse qendra e Tiranës nuk do të ketë më makina të parkuara në të gjitha pjesët anësore të saj. Njëkohësisht nuk do të ketë më bllokim të trafikut, ku në ditë të veçanta shoferët e automjeteve u duhet mjaft kohë për të dalë nga qendra. Bizneset në këtë zonë do të jenë të privilegjuar, pasi do të kenë më tepër klientë, pasi qytetarët që kërkojnë të ulen në një kafe apo ata që kanë punë dhe bizneset afër, nuk dinë ku të parkojnë më parë makinën. Kështu, qyteti do të çlirohet nga parada e makinave luksoze apo të thjeshta që vërtiten rreth e rrotull disa herë për të gjetur një vend parkimi. Po kështu, makinat do të jenë nën kontrollin e rojeve dhe nuk do të ketë më rrezik për vjedhje apo dëmtim të makinave. Madje, ajo që është edhe më e rëndësishme është fakti se fasada e qytetit do të jetë pa një mori makinash dhe do të shtohet më tepër gjelbërimi.

Projektvendimit që do të diskutohen në Këshillin Bashkiak, Tiranë

Projektvendim:”Për miratimin e termave kryesore të kontratave koncesionare mbi parkimet nëntokësore në parkun “Rinia” dhe sheshin “Italia”, Tiranë”.
Projektvendim:“Për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit të Buxhetit afat-mesëm për periudhën 2010-2012”.
Projektvendim:“Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm për vitet 2010-2012”.
Projektvendim:“Për zbritjen e vlerës financiare të objekteve “Çerdhja Bregu i Lumit”, “Çerdhja nr. 42” dhe “Çerdhja nr. 52”, nga kontabiliteti i Qëndrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve”.
Projektvendim:”Miratimin në parim të objekteve për financimin nga Granti konukurues”.
Projektvendim:“Për nxjerrjen jashtë përdorimit të 19 mjeteve (autobusë të ndërmarrjes Parku i Transportit Urban të Udhëtarëve, Tiranë”.
Projektvendim:”Për vendosjen e gjobave në vend ndaj subjekteve, për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor”.

Projektvendim:“Për zbritjen e vlerës financiare të pjesës që do të demolohet në objektin “Korpusi kryesor”, nga kontabiliteti i ndërmarrjes Ofiçina e Automjeteve Tiranë, me qëllim zbatimin e projektit “Rikonstruksioni i Bllokut 22”.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›