Studimet në Itali, Kalendari i datave me emrat e kandidatëve për provimin me gojë
Del kalendari i datave së bashku me emrat e kandidatëve, që do të futen në provimin me gojë të njohjes së gjuhës italiane. Sipas kushteve të vendosura nga Instituti Italian i Kulturës, provimi do të zhvillohet në datat dhe oraret e përcaktuara. Për rrjedhojë, në rast se ndonjë prej kandidatëve nuk tregohet korrekt në respektimin e tyre, ai humbet të drejtën e pjesëmarrjes në provim gjatë kësaj faze. Ditën e djeshme është zhvilluar provimi me shkrim për t’u pajisur me certifikatën “Celi 3 e 5” të njohjes së gjuhës italiane. Direkt pas mbarimit të këtij provimi, kandidatët do të testohen edhe në komunikim për gjuhën italiane. Sipas burimeve zyrtare nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, për provimin me gojë kandidatët duhet të paraqiten pranë këtij institucioni, sipas kalendarit në vazhdim. Për të informuar kandidatët pjesëmarrës në këtë provim, Instituti Italian ka nxjerrë tashmë edhe kalendarin në të cilin janë përcaktuar datat, oraret dhe kandidatët që do të pyeten në secilën ditë. Kështu, sipas afateve të vendosura nga Instituti Italian i Kulturës, provimi me gojë do të zhvillohet nga data 23 deri në 27 nëntor. Bazuar në rregullat e vendosura nga Instituti Italian, kandidatët duhet të paraqitin në momentin e hyrjes një dokument identifikimi. Kështu, kandidatët e rritur që duan t’i nënshtrohen provimit të gjuhës italiane për të studiuar në Itali, duhet të paraqesin dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re). Ndërsa minorenet, që testohen për provimin e gjuhës italiane për të siguruar një dëshmi për njohjen e saj, duhet të paraqesin dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, certifikatë me fotografi);
Po ashtu, në ambientet e provimit është e ndaluar futja e çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë etj.) si dhe celularë. Dita e premte e kësaj jave do të mbyll edhe fazën e parë të provimeve për studimet në Itali, ndërkohë që faza e dytë do të jetë në datën 6 mars 2010. Provimi për certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3 e 5”, lëshuar nga Università per Stranieri di Perugia (Universiteti për të Huajt në Perixhia) organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane.
24 Nentor 2009