Plagoset me thikë nga një konflikt
KORÇË - Një sherr për motive të dobëta ka përfunduar me përdorimin e armëve të ftohta. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Krenar Tahiri, pas një konflikti me shtetasin E. Kambo në Korçë, e ka plagosur këtë të fundit me thikë. Pas kryerjes së krimit autori ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte shpallur në kërkim për veprën penale. Ngjarja ndodhi në shtator. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Korçës, prangosja e Tahirit u bë katër ditë më parë.
Arrestohet, tentoi të përdhunojë një vajzë
KORÇË - Një 32-vjeçar ka tentuar të kryejë seksualisht me një vajzë të re, por më pas është denoncuar nga viktima, duke u prangosur vetëm 24 orë më pas. Klodian Bregu, lindur në fshatin Belorta dhe banues në Lagjen Nr. 10 në Korçë ka tentuar të përdhunojë me forcë një vajzë ku kësaj të fundit i ka shkaktuar asaj dëmtime. Zëdhënësja e policisë së qarkut thotë se arrestimi i këtij shtetasi është bërë ditën e shtunë në datën 21.11.2009.
Tenton flijimin, pi ilaçet e nënës së saj
KORÇË – Në gjendje të rënduar psikologjike, një 15-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës, duke pirë ilaçet e nënës së saj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasja E. M., e moshës 15 vjeçe, nga fshati Cangonj i Devollit, ka konsumuar disa medikamente mjekësore të premten e kaluar, duke tentuar të flijohet. Pas ndihmës mjekësore të marrë në spital ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton të gjitha pistat që nxitën vajzën për të ndërmarrë këtë akt vetëvrasës. Burimet raportojnë se janë marrë në pyetje edhe familjarët e së miturës.
Kapet në flagrancë duke vjedhur kishën
SHKODËR – Dështon tentativa e një personi për të vjedhur një kishë të vjetër në rrethin e Shkodrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Sokol Vatnikaj është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë teksa po përpiqej të vidhte kishën e fshatit Bërdicë në komunën Bërdicë të rrethit të Shkodrës. Gjatë kontrollit personal këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy kaçavida, një thikë dhe një palë doreza plastike, të cilat i përdorte për të kryer vjedhjet. Ky shtetas ka qenë i dënuar dhe më parë për veprën penale të vjedhjes dhe plagosjes. “Nga ana jonë u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të shtetasit Sokol Vatnikaj, iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës”, - thonë burimet policore të qarkut verior.
24 Nentor 2009