E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen “spiunët” e Dritan Dajtit në polici, prangoset inspektori



Eljona Lata

TIRANË – Pas disa muajsh policia ka arritur të zbulojë “spiunët” nga radhët e saj, të cilët kanë dekonspiruar operacionet dhe kanë dhënë informacion për të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Njëri prej tyre ishte inspektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, i cili është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë edhe 3 efektivë policie, të cilët pritet që të ndalohen në lidhje me rrjedhjen e informacioneve. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka hetuar prej të paktën tre muajsh në strukturat e saj, pasi kishte informacione që Dritan Dajti merrte të dhëna për operacionet e policisë. Kjo çështje u shtrua sidomos në periudhën kur u bë aksioni për kapjen e Dajtit në pistën “Iliria” në Durrës, ku mbetën të vrarë katër agjentë policie.
“Spiunët”
Disa operacione policie kishin dështuar për kapjen e Dritan Dajtit që prej vitit 2003, kohë kur ai u arratis nga mjediset e Gjykatës së Tiranës. Persona të ndryshëm, që punonin në radhët e policisë në Tiranë dhe në rrethe, i jepnin informacione të vazhdueshme autorit që dyshohet se ka kryer disa vepra penale, ku më e rëndësishmja është vrasja e biznesmenit Agim Beqaj, pronar i “Besa Construksion” në vitin 1999.
Para çdo operacioni të kryer nga policia Dajti lajmërohej nga oficerët dhe ia dilte t’i shpëtonte prangosjes. Dyshimet se inspektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, Mariglen Muça, kishte lidhje me Dritan Dajtin lindën pas zbardhjes së tabulateve telefonike që iu sekuestruan këtij të fundit pas arrestimit të tij. Pas ngjarjes së 7 gushtit, dyshimet u shtuan pasi dikush e kishte informuar Dajtin se ishte i rrethuar nga forcat e policisë. Që prej asaj kohe u futën në sitë të gjithë numrat e telefonit që mbante i kërkuari dhe bisedat që ai kishte bërë. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë të Krimeve të Rënda, të implikuar në krim kanë qenë edhe 3 oficerë të tjerë të policisë, përkatësisht të komisariateve të Korçës, të Fierit (në atë periudhë ka qenë në Lushnjë) dhe të Peshkopisë. Në momentin e arrestimit të Dritan Dajtit, në mjetin e tij u gjetën disa dokumente, ku tregohej se ai ishte punonjës policie. Kjo ka ngritur dyshime pasi dokumenti i identifikimit që u sekuestrua ishte bërë me vula origjinale.
Masakra
Më 7 gusht 2009, një grup special i Policisë u nis drejt pistës “Iliria” në Durrës, ku kishte informacione se në një apartament ndodhej i shumëkërkuari Dritan Dajti. Në momentin që ata bënë rrethimin e tij, Dajti iu kundërpërgjigj me plumba forcave të policisë. Nga kjo përleshje ngelën të vrarë 4 policë; Fatos Xhani, shefi i skuadrës së operacioneve speciale, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Fesko. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë dhe Ledion Mara, që ndodhej në një makinë me Dajtin. Gjithashtu Dajti ka qenë i informuar për këtë sulm ndaj tij, i cili nuk ka qenë edhe aq befasues. Personi që ka lajmëruar Dajtin për këtë operacion dyshohet se ka qenë inspektori i krimeve në zonën e plazhit ku strehohej kohët e fundit Dajti. Mësohet se inspektori i ka dërguar një SMS kunatit të Dajtit, Ergest Xhorxhi, vetëm 20 minuta para ndërhyrjes së skuadrës speciale. Nuk bëhet e ditur përmbajtja e kësaj SMS-je. Pas hetimeve të para dhe verifikimit të tabulateve të celularit të tij ka rezultuar se ky inspektor ka pasur marrëdhënie të vazhdueshme me kunatin e Dajtit, fakt ky që është konfirmuar edhe nga inspektori Muça në momentin e arrestimit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se edhe një natë para operacionit të 7 gushtit, ky inspektor ka komunikuar me Ergest Xhoxhin, ku i ka kërkuar këtij të fundit të mos e merrte më në numrin e punës me 06941xxxxx, por në numrin tjetër 06920xxxxx. Lidhja e inspektorit me Dritan Dajtin u verifikua pas zbulimit të bisedave telefonike që kishin zhvilluar këta dy persona.
Hetimi
Zyrtarët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë (SHKB-së), të cilët po hetojnë oficerët "spiunë" dhe ata të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë bashkëpunuar me Dritan Dajti kanë zbardhur disa nga bisedat që katër oficerët kanë bërë me kunatin e Dajtit në ditët e arratisë së këtij të fundit. Prokuroria për Krimet e Rënda ka bërë dje publike disa nga detajet e katër agjentëve të policisë që kanë komunikuar me Ergest Xhorxhin përpara operacionit për arrestimin e Dajtit. Por prokuroria dhe policia janë treguar të rezervuara në publikimin e emrave të personave që kanë komunikuar me kunatin e Dajtit, pasi ata ende nuk janë marrë në pyetje. Sipas këtyre burimeve mësohet se punonjësit e policisë që flisnin me Xhorxhin janë punonjës aktivë të komisariateve të Korçës, Lushnjës (tashmë në Fier), Peshkopisë dhe Durrësit. Njëri prej katër agjentëve punon ende në Komisariatin e Policisë së Korçës, ku dyshohet se ka qenë personi që e ka ndihmuar Dajtin për pajisjen me një kartë policie të falsifikuar me emrin Agron Zeneli. Oficeri tjetër është punonjës i Komisariatit të Peshkopisë, që dyshohet se mund ta ketë ndihmuar të strehohet për disa kohë në këtë qytet apo ta ketë kaluar në Maqedoni pa vizë. Punonjësi tjetër që ka komunikuar me kunatin e Dajtit është një ish-punonjës i Komisariatit të Lushnjës, tashmë punonjës pranë Komisariatit të Fierit. Ndërsa personi i katërt dhe që komunikonte më shpesh me kunatin e Dajtit, është oficeri i Komisariatit të Durrësit, konkretisht inspektori i krimeve në zonën e plazhit", - thuhet nga burimet zyrtare të SHKB-së.

Agjentët-spiunë

Një nga agjentët punon ende në Komisariatin e Korçës dhe dyshohet se ka qenë personi që e ka ndihmuar Dajtin me pajisjen me një kartë policie të falsifikuar me emrin Agron Zeneli.

Oficeri që është punonjës i Komisariatit të Peshkopisë dyshohet se mund ta ketë ndihmuar të strehohet për disa kohë në këtë qytet, apo ta ketë kaluar në Maqedoni pa vizë.

Një ish-punonjësi i Komisariatit të Lushnjës, tashmë punonjës pranë Komisariatit të Fierit, ka komunikuar disa herë me kunatin e Dajtit. Ende nuk dihet roli i tij në këtë çështje.

Personi i katërt dhe që komunikonte më shpesh me kunatin e Dritan Dajtit është oficeri i Komisariatit të Durrësit, konkretisht inspektori i krimeve në zonën e plazhit.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›