E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen rastet fatale, vaksina injorohet nga të gjithë

 
Nga 10 mijë vaksinat e ardhura për kontingjentin e parë, as 10 për qind e tyre nuk kanë arritur të merren nga popullata
 
 
Marsel LELA
TIRANë – Situata e gripit të derrit në Shqipëri paraqitet e rëndë, për pasojë të numrit të të infektuarve dhe viktimave që po shtohet përditë. Deri tani në vendin tonë janë regjistruar dhjetë viktima, numër i cili pritet të rritet dita-ditës.
Pas vdekjes së dhjetë personave në vendin tonë si pasojë e virusit të gripit të derrit, tre persona të tjerë paraqiten në rrezik për jetën në spitalin e mushkërive në Tiranë. Sipas disa informacioneve nga Instituti i Shëndetit Publik, tre personat e infektuar nga gripi i derrit janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po jetojnë me frymëmarrje të intubuar.
Gjendja paraqitet më e rëndë dhe më alarmante në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku mësohet të jenë shtruar 23 persona të tjerë me pneumoni.
Tre prej këtyre personave janë shtruar në spitalin infektiv të QSUT-së dhe akoma nuk dihet nëse gjendja e tyre do të shkojë drejt përmirësimit, apo përkeqësimit. Dy ditë më parë në vendin tonë është shënuar edhe viktima e dhjetë, si pasojë e gripit të derrit.
Viktima ka qenë një grua 55-vjeçare, e cila ka vdekur ditën e martë në QSUT, pasi u prek nga virusi vdekjeprurës. Mjekët infeksionistë bënë të ditur se pacientja 55-vjeçare vuante gjithashtu nga hipertensioni arterial dhe obeziteti.
Sipas tyre, 55-vjeçarja është prekur nga gripi i derrit dhe pas trajtimit fillestar në spitalin e Fierit është transportuar në gjendje të rëndë në Tiranë, ku ka qëndruar tetë ditë në reanimacion, por nuk mundi t’i mbijetojë virusit të tmerrshëm. Ndërkohë, institucionet shëndetësore vazhdojnë të apelojnë te qytetarët që ata të vaksinohen sa më parë me vaksinën kundër virusit A/H1N1.
 
 
 
Qytetarët refuzojnë vaksinën, as mjekët nuk e pranojnë 
Edhe pas apeleve të përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qendrave shëndetësore të vendit për marrjen e vaksinës kundër gripit të derrit, shqiptarët refuzojnë të vaksinohen. Madje kanë qenë edhe personat e përcaktuar si grupe risku, të cilët nuk kanë pranuar ta marrin vaksinën kundër virusit A/H1N1.
Kategoria e vetme që i është nënshtruar vaksinimit kundër virusit vdekjeprurës janë mjekët, megjithëse vetëm pak prej tyre kanë pranuar ta marrin vaksinën. Bëhet e ditur se nga 10 mijë vaksinat e ardhura për kontingjentin e parë, as 10 për qind e tyre nuk kanë arritur të merren.
Duke iu referuar shifrave te prekshmërisë nga virusi A/H1N1, drejtuesit e Shëndetit Publik bëjnë të ditur se gripi i derrit po qarkullon me intensitet në vendin tonë. Pavarësisht se kulmi i pandemisë ishte në muajin nëntor të vitit që lamë pas, specialistët nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit të tij në një periudhë të mëvonshme. Deri tani, nga gripi i derrit rezultojnë të prekur 418 persona, 5 në gjendje të rëndë dhe vetëm para dy ditësh u regjistrua viktima e dhjetë. Ajo ishte një 55-vjeçare që vuante edhe nga hipertensioni.
Specialistët e Shëndetit Publik deklarojnë se viroza që po qarkullon në këtë periudhë është A/H1N1. Për fat të mirë në shumicën e rasteve ajo ka kaluar lehtë si gripi i zakonshëm dhe vetëm në pak persona, kryesisht tek të sëmurët kronikë apo gratë shtatzëna ka dhënë komplikacione të rënda, deri në humbjen e jetës.
 
 
 
Studimet Europiane
 
Afatet e aplikimit, regjistrimet vazhdojnë deri në datën 9 janar
 
Sipas Rektoratit të UT-së, të gjithë aplikimet që mund të jenë paraqitur para kësaj date konsiderohen të vlefshëm
 
Marsel LELA
TIRANë – Studentët që kanë mbaruar shkollën e lartë dhe duan të ndjekin studimet për master të nivelit të dytë në Studimet Europiane mund të aplikojnë tani për këto programe. Rektorati i Universitetit të Tiranës ka njoftuar se, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 3 dhjetor 2009, kanë filluar aplikimet për Master i Nivelit të Dytë në Studimet Europiane, organizuar nga Studimet Europiane të Universitetit të Tiranës. Programet Master i Nivelit të Dytë janë akorduar në këto degë: Legjislacioni dhe Institucionet Europiane, Politika dhe Qeverisja në Europë, Diplomacia dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Bashkimit Europian.
Për të bërë aplikimin në këto programe, studentët duhet të paraqiten pranë zyrës përkatëse, ku duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e tyre. Gjithashtu, aplikantët duhet të plotësojnë edhe disa kritere për t’u pranuar në këto programe pasuniversitare.
Përkatësisht, kandidatët që aplikojnë për ndjekjen e Programit Master në Studime Europiane duhet të përmbushin këto kritere: të zotërojnë një diplomë universitare DND ose DNID të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit, (ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës) në një nga fushat: Shkenca Sociale, Jurisprudencë, Ekonomi, Histori apo Filologji; të kenë notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart; të zotërojnë gjuhën angleze (diplomë e UT-së, TOEFL 550/213 pikë, IELTS (International English Language Testing System) 6.5, CPE- Cambridge Certificate of Proficiency in English “C”, CAE-Cambridge Certificate of Advanced English “C”). Preferohet zotërimi edhe i një tjetër gjuhe perëndimore; të jenë të rekomanduar nga dy persona që i njohin aftësitë akademike, profesionale dhe kërkimore të kandidatit.
Njëri nga rekomanduesit duhet të zotërojë një titull ose gradë shkencore të një institucioni të arsimit të lartë; të kenë lejen për vazhdimin e studimeve nga titullari i institucionit ku punojnë, (në qoftë se janë të punësuar).
Kandidatët që kërkojnë të nisin studimet në programet Master i Nivelit të Dytë në Studimet Europiane, duhet t’i paraqesin dokumentet e regjistrimit pranë Institutit të Studimeve Europiane në fakultetin e Histori-Filologjisë. Rektorati i UT-së bën të ditur se afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve për aplikimin në këto programe studimi është data 9 janar 2010.
Sipas Rektoratit të UT-së, të gjithë aplikimet që mund të jenë paraqitur para kësaj date konsiderohen të vlefshëm, e pas rikonfirmimit të tyre nëpërmjet vërtetimit të lëshuar nga Sekretaria e Institutit.
 
 
Kriteret dhe dokumentet e regjistrimit në programin Master për Studimet Europiane. Dokumentacioni i pranimit
 
1. Formulari i plotësuar i aplikimit
2. Certifikatë lindjeje me fotografi ose fotokopje e noterizuar e letërnjoftimit elektronik 3. Biografi profesionale 4. Fotokopje e noterizuar e diplomës universitare e shoqëruar me listën e notave5. Fotokopje e noterizuar e diplomave ose e certifikatave të kurseve të kryera për kualifikime të ndryshme pasuniversitare
6. Fotokopje e noterizuar e dëshmisë së zotërimit të gjuhës angleze (dëshmi e provimit e lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës, TOEFL ose Cambridge IELTS, CPE, CAE)
7. Listë botimesh e shoqëruar me fotokopje të kopertinave të botimeve ose të abstrakteve të tyre
8. Dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf dhe e firmosur nga rekomanduesi
9. Leje nga titullari i institucionit për ndjekjen e studimeve pasuniversitare
10.Tri fotografi me format pasaporte
11.Fletëpagesa e taksës së regjistrimit për konkurrim; tarifa e regjistrimit është 2500 lekë e detyrueshme për të gjithë aplikantët
 
 
Kriteret e pranimit
1.Të zotërojnë një diplomë universitare DND ose DNID të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit, (ekuivalentuar nga MASH) në një nga fushat: Shkenca sociale, Jurisprudencë, Ekonomi, Histori, Filologji
2.Të kenë notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart
3.Të zotërojnë gjuhën angleze (diplomë e UT-së, TOEFL 550/213 pikë, IELTS (International English Language Testing System) 6.5, CPE-Cambridge Certificate of Proficiency in English “C”, CAE-Cambridge Certificate of Advanced English “C”) Preferohet zotërimi edhe i një tjetër gjuhe perëndimore
4.Të jenë të rekomanduar nga dy persona që i njohin aftësitë akademike, profesionale dhe kërkimore të kandidatit. Njëri nga rekomanduesit duhet të zotërojë një titull ose gradë shkencore të një institucioni të arsimit të lartë
5.Të kenë lejen për vazhdimin e studimeve nga titullari i institucionit ku punojnë, (në qoftë se janë të punësuar)
 
 
Studimet pasuniversitare
 
Doktoraturat dhe post-doktoraturat, ofrohen bursat e para nga universitetet franceze
 
TIRANë - Në kuadër të programit për bursat ekselente (Wallonie-Bruxelles International, IN. WBI), qeveria e Komunitetit Francez të Belgjikës ofron bursa për studime pasuniversitare për studiues dhe pedagogë të huaj, të cilët janë të interesuar në plotësimin e programeve të tyre të doktoratës, ose post-doktoratës në fushat dhe sektorët më të kërkuar pranë universiteteve të Komunitetit Francez të Belgjikës, për vitin akademik 2010-2011.
Fushat ku mund të paraqiten kërkesat për këto bursa janë: Transport dhe Logjistikë, Inxhinieri Mekanike, Shkencat e Natyrës, Agro-Industri, Aeronautikë-Hapësirë dhe Shkenca Shoqërore. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave të kandidatëve për këtë kategori bursash është data 1 mars 2010.
Qeveria e Komunitetit Francez të Belgjikës akordon gjithashtu edhe bursa afatshkurtra nga një deri në tre muaj në fushën e kërkimit shkencor. Afatet e dorëzimit të dosjeve për këto bursa janë: data 1 shkurt 2010 për bursat e parashikuara për periudhën qershor-shtator 2010, data 1 maj 2010 për bursat e parashikuara për periudhën tetor 2010- janar 2011, data 1 tetor 2010 për bursat e parashikuara në periudhën shkurt-maj 2011. Për një informacion më të detajuar lidhur me mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, të interesuarit t’i referohen adresës së internetit: www.wbi.be.
 
Afatet e dorëzimit të dosjeve
1.         Data 1 shkurt 2010 për bursat e parashikuara për periudhën qershor-shtator 2010
2.         Data 1 maj 2010 për bursat e parashikuara për periudhën tetor 2010- janar 2011
3.         Data 1 tetor 2010 për bursat e parashikuara në periudhën shkurt-maj 2011
 
Degët ku ofrohen bursat
1.         Transport dhe logjistikë
2.         Inxhinieri mekanike
3.         Shkencat e natyrës
4.         Agro-industri
5.         Aeronautikë-hapësirë
6.         Shkenca shoqërore.
 
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›