E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, analizat brenda kësaj jave

14/08/2009  Infeksionistët: Tamiflu është përdorur në gjysmën e rasteve të konfirmuara

Deri tani 12 raste të konfirmuara. Priten përgjigjet nga laboratori i Rumanisë

Konfirmimi i rasteve të reja me gripin A/H1N1 në vendin tonë ka shtuar numrin e analizave që po kryhen në laboratorin e virologjisë në ISHP. Sipas të dhënave të publikuara dje në buletin epidemiologjik, nga shfaqja e rastit të parë prej disa javësh janë regjistruar 12 persona të prekur me virusin A/H1N1. Ndërsa sa i takon përdorimit të medikamentit Tamiflu, i cili rezultoi me shfaqjen e disa efekteve anësore, nëse doza aplikohet për 5 ditë gjatë shfaqjes së simptomave të A/H1N1, mjekët infeksionistë në vendin tonë theksojnë se ky mjekim specifik është përdorur në më pak se gjysma e rasteve të konfirmuara. “Vetëm dy raste të mundshme paraqitnin shenja klinike, për të cilat u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për 5 raste u fillua trajtimi me Tamiflu. Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital, por ato janë izoluar në kushtet e shtëpisë. Ndërkaq për dy raste të tjera është parë i nevojshëm vetëm trajtimi në kushte ambulatore dhe nën mbikëqyrjen e mjekut me Tamiflu”, - nënvizojnë epidemiologët. Aktualisht në Institutin e Shëndetit Publik po analizohen rreth 336 mostra të marra te pacientë nga i gjithë vendi. Këta pacientë kanë paraqitur shenja klinike të gripit të zakonshëm, por pas laboratorit të ISHP-së konfirmimin përfundimtar nëse këta persona janë të infektuar nga gripi pandemik apo jo do ta japë laboratori i referencës në Bukuresht. Specialistët e departamentit infektiv në Institutin e Shëndetit Publik konfirmojnë se pak ditë më parë janë nisur mostrat për dy persona, përkatësisht të moshës 20 dhe 28 vjeç, banorë në kryeqytet. Mostrat e tyre u analizuan fillimisht në Tiranë dhe rezultuan se pacientët kishin grip të tipit A. Specialistët konfirmojnë se brenda kësaj jave do të mbërrijnë edhe analizat nga Rumania. Këta persona tashmë kanë lënë spitalin, pasi gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore. Për 12 rastet e konfirmuara katër raste janë të grup-moshave 15-24 vjeç, 7 të tjerë të grup-moshës 25-44 vjeç dhe vetëm një rast i dyshuar është i moshës 4 vjeç. Të gjitha rastet paraqitën kuadër klinik të lehtë. Shenjat e shfaqura ishin temperaturë më e ulët se 38 gradë C, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulare dhe lodhje.

Analiza e mostrave

Çdo ditë pranë këtij laboratori përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik është pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. “Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë, që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh”, - theksojnë epidemiologët. Raste të konfirmuara janë të gjitha ato që kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A(H1N1) në laboratorin e referencës në Bukuresht, Rumani. Raste të mundshme janë ato që janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në laboratorin e virologjisë pranë ISHP-së në Tiranë. Raste të dyshimta janë ato që plotësojnë përkufizimin e rastit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›