Gripi i derrit, cilat janë efektet anësore që provokon përdorimi i Tamiflusë
Emanuela Sako
Tashmë Tamifluja njihet për efektet anësore që shkakton tek disa persona. Por, mjeku infeksionit Pëllumb Pipero shpjegoi dje më në detaje simptomat që shkakton te njerëzit kur Tamilfuja nuk reagon rregullisht. Sipas mjekut Pipero, nëse Tamifluja nuk reagon siç duhet në organizëm jep të vjella, alergji, turbullime të ndryshme të stomakut. E rëndësishme është që medikamenti të përdoret në kohën e duhur, në mënyrë që të shmangen komplikacionet. Njëkohësisht, duhet theksuar se medikamenti nuk duhet marrë nëse një person nuk është prekur nga gripi i derrit, pasi efektet anësore do të jenë më të mëdha.
Problematika
Ndikimi negativ i Tamiflusë është më i rrezikshëm nëse tek fëmijët e vegjël. Efektet anësore te fëmijët janë më të theksuar, prandaj shpeshherë specialistët e OBSH-së kanë apeluar për mospërdorimin e Tamiflusë pa rekomandimin e mjekut dhe sidomos te fëmijët. Pipero, deklaroi se përveç efekteve negative, Tamiflu ka përqindje më të lartë të kurimit të sëmundjes. Rezultati i medikamentit të Tamiflusë në rastet e prekura nga gripi i derrit ka qenë mjaft i efektshëm në pjesën më të madhe të rasteve. Për më tepër, që për momentin është medikamenti i vetëm që mund të përdoret për kurimin nga virusi i gripit të derrit. Nga të dhënat e fundit të ISHP-së, janë konfirmuar 9 raste të reja me virusin AH1N1 gjatë kësaj jave. Mostrat e marra janë nisur në Rumani për të kryer verifikimet përfundimtare, nëse këta persona janë prekur nga ky virus apo janë simptomat e ndonjë virusi tjetër. Në fillim të javës së ardhshme pritet të kthehen përgjigjet për personat mostrat e të cilëve janë dërguar nga specialistët tanë. Të dhënat publikuar nga ISHP nëpërmjet buletinit të radhës që del posaçërisht për paraqitjen e situatës kundër virusit të gripit të derrit. Mes 9 personave pritet të vijë dhe përgjigja për fëmijën 4-vjeçar që rezulton i prekur nga virusi. Me prekjen e fëmijës, situata në vend duket se është alarmuar, pasi prindërit janë vënë në panik.
Kura
Për të dhënë më tepër efektivitet, medikamenti ka një hark kohor të përshtatshëm që duhet ndjekur nga të gjithë pacientët e prekur. Në rast se nuk përdoret brenda afateve të caktuara, ai nuk mund të japë efekt. Specialistët sqarojnë se kura e Tamiflusë aplikohet brenda 48-orëshit të parë të shfaqjes së simptomave të gripit të derrit. Ndërsa, lidhur me efektin shërues të ilaçit, pohojnë se arrin deri në 98 për qind të shkatërrimit të virusit.
Por përdorimi i këtij mjekimi që rezulton si shkatërrues i sëmundjes, rrezikon të japë efektet e tij kuruese për shkak të vonesave në kthimin e përgjigjeve të sakta të analizave. Për kthimin e përgjigjeve të analizave nga Rumania, mund të kushtojë rreth një javë apo dy javë kohë. Çka nuk përputhet me këshillat e rekomanduara nga specialistët e shëndetësisë, që aktualisht monitorojnë situatën në të gjithë vendin. Vonesat ndodhin për shkak se laboratori i referencës në Bukuresht mbulon të gjithë Evropën Juglindore, që si çdo zonë tjetër është në gjendje alarmante për si pasojë e pandemisë. Kur përgjigjet kthehen nga Rumania, pjesa më e madhe e personave të prekur kanë dalë nga gjendja gripale e shkaktuar nga virusi i gripit. Kjo vonesë vë në dilemë mjekët për përdorimin e Tamiflusë që domosdoshmërish në rastet e të prekurve me virusin AH1N1 duhet të aplikohet brenda 48 orëve nga shfaqja e simptomave të para të virusit.
Virusi shfaqet vetëm njëherë te i njëjti person
Specialistët deklarojnë se një person që ka kaluar një herë virusin e gripit të derrit nuk preket më. Ky fakt është bërë i njohur nga Dhimitër Kraja, Shef i Shërbimit Infektiv, pranë QSUT-së, i cili kërkon të qetësojë të gjithë qytetarët përsa i përket frikës nga rikthimi i virusit. Trupi fiton imunitet ndaj virusit dhe përjashton një mundësi tjetër infektimit të të njëjtit person. Ai deklaroi se numri i rasteve krahasuar me 2-3 javët e para ka ardhur në rënie. Virusi në vendin tonë në këtë periudhë ka qenë të lehta, do të ishte i favorizuar ai që e kalon këtë virus gjatë kësaj periudhe. Sipas Krajës, deri më tani pranë këtij shërbimi në QSUT janë trajtuar 5 raste të konfirmuar me grip derri, prej të cilëve 3 kanë marrë edhe medikamentin e Tamiflusë. Po ashtu, ai shpjegon se në Spitalin Infektiv kanë qëndruar të shtruar 36 raste të dyshuar, prej të cilëve katër janë trajtuar me Tamiflu. Virusi i shfaqur tek pacientët ka qenë i formës së lehtë ose të mesme. Ajo që është për t’u theksuar është fakti se deri më tani asnjë rast, i konfirmuar apo i dyshuar me gripin pandemik, nuk është shoqëruar me komplikacione apo pasoja për jetën. Pacientët e dyshuar kanë paraqitur shenja klinike të gripit të zakonshëm, por pas laboratorit të ISHP, konfirmimin përfundimtar nëse këta persona do ta japë laboratori i referencës në Bukuresht. Po në të njëjtën ditë që mbërritën përgjigjet për katër persona të tjerë të prekur nga Bukureshti, në këtë laborator janë nisur mostrat për dy persona të tjerë të dyshuar.
Gripi i derrit, 404 të vdekur në Argjentinë
Pas SHBA, Argjentina duket se po përjeton situatën më të rëndë përsa i përket viktimave nga gripi i derrit. Situata në këtë shtet është mjaft alarmante, ku gripi i derrit ka marrë mjaft jetë njerëzish. Numri i viktimave nga gripi i derrit ka kaluar nga 357, në 404 brenda një jave në Argjentinë, që mbetet vendi i dytë në botë më i prekur nga virusi A H1N1 pas Shteteve të Bashkuara. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës raste të gripit janë evidentuar në 20 qytete. Në raportin e saj të fundit, Qendra amerikane e kontrollit dhe e parandalimit të sëmundjeve foli për 436 raste vdekjesh të lidhura me virusin A H1N1 në SHBA. Megjithëse Argjentina ka marrë masat paraprake, duket se virusi nuk është ndalur, por është shfaqur në formën e tij më agresive. Autoritetet shëndetësore Argjentinase flasin për një numër më të lartë të prekurish, duke marrë parasysh që një pjesë e qytetarëve janë shëruar plotësisht falë mjekimeve dhe kurës së ndjekur në spitale. Përsa i përket Europës, situata më problematike është shfaqur në Angli dhe Greqi. Anglia dhe Greqi kanë numrin më të lartë të të prekurve, ku janë shënuar dhe disa raste vdekjesh. Ndërsa, institucionet arsimore të këtyre vendeve po mendojnë për të ndjekur një strategji për shmangien e virusit në moshat e vogla. Ato kanë kërkuar shtyrjen e hapjes së shkollave për të shmangur rastin e pandemisë. Megjithëse Greqia është një ndër vendet që ka shpallur prek kohësh situatën pandemike për virusin vdekjeprurës. OBSH-ja e ka kundërshtuar këtë fakt, duke e argumentuar se aktualisht situata nuk është e nevojshme që të shkohet deri në këtë pikë, te shtyrja e afatit të hapjes së shkollave. Sipas tyre, situata deri tani është nën kontroll.
A/H1N1, kërkohet dëmshpërblim për viktimën
Familja e viktimës së parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e prekur nga gripi A/H1N1 i ka kërkuar autoriteteve të Nju Jorkut një dëmshpërblim prej 40 milionë dollarësh. Bashkëshortja e Mitch Ëiener, që ndërroi jetë në maj, pasi u prek nga virusi, ka ngritur një padi në gjykate kundër City Hall dhe autoriteteve shëndetësore të qytetit. Akuza është se nuk janë marrë në mënyrë korrekte masat për vënien në zbatim të planit të emergjencës duke çuar kështu në vdekjen e të shoqit.
15 Gusht 2009