Nis shpërndarja e librave, tekstet që mungojnë për vitin e ri shkollor
Emanuela Sako
Zyrtarisht nis sot shpërndarja e teksteve shkollore në të gjitha libraritë e kryeqytetit. Por, libraritë e shpërndarjes së teksteve shkollore raportojnë mungesën e disa teksteve shkollore. Ndërsa pjesa tjetër e teksteve nuk kanë ardhur aq sa duhen për të plotësuar të gjitha shkollat me tekste. Ashtu siç ishte premtuar nga MASH, libraritë kanë tërhequr tekstet që janë gati nga shtëpitë botuese të kontraktuara prej tyre. Gjatë një vëzhgimi të gazetës “Albania” në libraritë e kryeqytetit, shitësit shprehen se janë gati për shitjen e librave, pavarësisht mungesave që kanë. Në librarinë e teksteve shkollore, pranë rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet, që bën shpërndarjen për shkollën “Vasil Shanto” dhe “Pjetër Budi”, pretendohet se mungesa totale është në tekstin e anglishtes. Anglishtja mungon për të gjitha klasat, duke nisur nga klasa e 5-të deri në klasën e 9.
Situata
Libraritë bëjnë përgjegjës për këto vonesa shtëpitë botuese, të cilat nuk respektojnë afatet e përcaktuara nga MASH për plotësimin në kohë të teksteve shkollore. Njëkohësisht mungesa ka dhe në shitjen e disa teksteve të tjera, shtëpitë botuese kanë dërguar nga 30 kopje apo më pak. Këto tekste nuk janë të mjaftueshme për plotësimin në total për numër nxënësish. Libraritë bëjnë të ditur se plotësimi i teksteve që mungojnë nga shtëpitë botuese do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim. E njëjta situatë është në të gjitha shkollat e kryeqytetit, të cilat ditën e sotme do të nisin shpërndarjen. Libraritë bëjnë të ditur se shitja e teksteve ka filluar që në datën 1 gusht, por mungesat në fillim të këtij muaji kanë qenë më të theksuara.
Shkollat e mesme
Ky vit i ri shkollor do të nisë me mungesa në tekste për një pjesë të nxënësve të shkollave. Pjesë e mungesës do të jenë nxënësit e vitit të parë gjimnaz, të cilët do të nisin vitin me disa tekste mangët. Tekstet që do të mungojnë janë: “Letërsi”, “Guidë Turistike”, “Fotografi dhe Fotoshop”, “Njeriu dhe Ndryshimet Klimaterike” dhe “TIK i avancuar”. Sipas afateve të vendosura nga Komisioni i Miratimit të Teksteve Shkollore, këto tekste do të fillojnë të shpërndahen duke filluar nga data 25-30 shtator 2009. Por, duke u nisur nga situata ka gjasa që të ndodhin edhe shtyrje të tjera të këtij afati kohor. Ndërsa pjesa tjetër e teksteve që aktualisht gjenden në libraritë e caktuara ose janë duke u shpërndarë, do të mund të tërhiqen nga nxënësit pas datës 15 gusht. Por, përpara se prindërit t’u drejtohen librarive për të marrë librat e fëmijëve, së pari, duhet të shikojnë në listën e afishuar pranë shkollës përkatëse të fëmijëve të tyre, tekstet për secilën klasë dhe shtëpinë botuese që ka bërë shtypjen e tyre. Çdo shkollë ka përzgjedhur tekste të ndryshme alternative në varësi të kritereve që mësuesit kanë parë si më prioritare. Më pas, me këto të dhëna të marra nga shkolla për librat, bëhet blerja e tyre në librari. Librat për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të shpërndahen në shkollat përkatëse, por edhe në libraritë pranë tyre. Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në blerjen e teksteve shkollore për të mos rënë pre e abuzimeve. Ata nuk duhet t’i blejnë librat e fëmijëve tek shitësit ambulantë, të cilët i tregtojnë me një çmim shumë herë më të lartë. Për rrjedhojë ata jo vetëm që do t’i blejnë librat më shtrenjtë, por nuk do të jenë as pjesë e skemës së subvencionimit.
Kristiqi: “Për vitin e ri shkollor tekstet do të jenë të gjitha gati”
Ministria e Arsimit dhe Shkencës garanton se për datën 14 shtator, në të cilën do të nisë viti i ri shkollor, gjithçka do të jetë gati, përsa i përket teksteve. Drejtori i Kurrikulave dhe Monitorim Vlerësimit të Teksteve në MASH, Jovan Kristiqi, shprehet se këtë vit shkollor nuk do të ketë probleme.
“Besoj se këtë javë problemi është i zgjidhur plotësisht dhe librat janë nëpër librari. Ata duhet të shikojnë njëherë çfarë lloj tekstesh do të përdorin ne shkollat ku i kanë fëmijët e tyre. Ata i kanë të afishuara këto tekste në çdo derë shkolle dhe pasi të marrin këtë njoftim dhe për çmimin e tekstit që të mos ketë abuzime nga librashitësit, pasi të marrin dhe emrin e shtëpisë botuese”,- deklaroi Jovan Kristiqi. Ndërsa shqetësimit të ngritur për mungesën e teksteve me zgjedhje, Kristiqi i përgjigjet se edhe këto do të dalin ditët e para të shtatorit. “Përsa i përket teksteve me zgjedhjeve, këto funksionojnë vetëm për klasën e dhjetë, që do të dalin në ditët e para të shtatorit. Kjo nuk e pengon absolutisht procesin mësimor, sepse së pari njëherë shkollat nuk kanë bërë regjistrimin e nxënësve, të vitit të parë të klasës së dhjetë gjimnaz dhe nuk dihet së çfarë lloj tekstesh do të zgjedhin dhe vetë nxënësit”,- theksoi Kristiqi.
Kështu, të gjithë nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, do të jenë të pajisur me libra që ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor.
15 Gusht 2009