Korçë, aksidentohet për vdekje nga makina 56-vjeçari
Një 56-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti në fshatin Vashtmi në Korçë. Viktima quhet Sefedin Velia, nga fshati Barç i këtij rrethi. Sipas burimeve në vendngjarje shkak për aksidentin ka qenë makina me targa KO 75-74 A e drejtuar nga Erald Risto, e cila ka goditur viktimën. Ditët e fundit janë shtuar rastet e aksidentimit të kalimtarëve. Tri ditë më parë një 45-vjeçare është përplasur nga një automjet, i cili u largua nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë as ndihmën e parë. Aksidenti ndodhi në superstradën Rrëshen-Kalimash të rrethit Mirditë, në vendin e quajtur fshati Mashterkor, të komunës Orosh, kur një mjet tip “Benz” me targa të huaja ka përplasur 45-vjeçaren Dava Luka, banuese në fshatin Mashterkor. Mjeti i aksidentit u largua me shpejtësi ndërsa ndihma e parë të dëmtuarës iu dha nga kalimtarët e rastit, të cilët e transportuan atë drejt spitalit të Rrëshenit nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, bëri të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit.
Policia e Gjirokastrës: Masa drastike për parandalimin e aksidenteve
Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër doli dje në një prononcim për mediat ku foli mbi situatën e rendit dhe sigurisë në rajonin jugor gjatë këtyre ditëve të pikut turistik. Ajo tha se masat vijnë në zbatim të detyrave të lëna në letër-porosinë e ardhur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit “me qëllim intensifikimin e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në akset rrugore, qendrat e banuara dhe pikat turistike gjatë zezonit veror 2009”. Por policia tha se masat vijnë edhe duke parë fluksin gjithnjë e në rritje të automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore që mbulon. Në këtë kuadër janë dyfishuar patrullat e qarkullimit rrugor të ndihmuara dhe nga policia e rendit në të gjitha akset rrugore Gjirokastër-Ballsh, Gjirokastër-Çarshovë dhe Gjirokastër-Kakavijë, Gjirokastër-Sarandë. Në të gjitha pikat turistike është shtuar prezenca e uniformave blu, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për vizitorët dhe turistët. Edhe në qendrat e banuara prezenca e policisë është dyfishuar për të parandaluar ndonjë ngjarje të mundshme kriminale, por dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë në këto qendra banimi pasi gjatë këtij sezoni kanë ardhur një numër shumë i madh i emigrantëve për pushime të cilët janë banorë të Qarkut Gjirokastër. Sakaq, sektori i Qarkullimit Rrugor dhe Sektori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë marrë një sërë masash shtesë për të bërë të mundur parandalimin e asindeteve, ardhjes në ndihmë të emigrantëve dhe turistëve si dhe për rritjen e sigurisë në akset rrugore, pikat turistike e qendrat e banuara: “Në sajë të këtyre masave gjatë sezonit turistik në të gjithë qarkun nuk është shënuar asnjë incident apo ngjarje kriminale me turistët apo vizitorët të cilët kanë vizituar pikat turistike dhe parqet arkeologjike të Qarkut Gjirokastër, megjithëse numri i tyre këtë vit krahasuar me vitin e kaluar është dyfishi i tyre”, - tha Drejtoria rajonale e Policisë, kurse raportoi se në drejtim të qarkullimit rrugor, gjatë 14 ditëve të para të muajit gusht në të gjithë qarkun nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekje.
15 Gusht 2009