E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, dyshimeedhe për dy raste të tjera

Analizat paraprake kanë rezultuar negative për dy pacientë të shtruar në shërbimin e infektivit. Dy të rinj nga Tirana kanë marrë trajtimin e përshkruar në protokollet e mjekimit si të dyshuar me gripin e derrit AH1N1. Analizat e para kanë konfirmuar se bëhet fjalë për virusin e tipit A, por nëse bëhet fjalë për grip derri apo jo, përgjigjen përfundimtare do ta japë rezultati i analizave në laboratorin e referencës për Europën Juglindore në Rumani. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se bëhet fjalë për dy të rinj të cilët janë pritur në shërbimin e Infektivit me simptoma të gripit të derrit. Janë mbajtur në një nga pavijonet e shtrimit, kanë marrë mjekimin e duhur, dhe po mbahen nën vëzhgimin e mjekëve. Rastet nuk kanë qenë të formave të rënda, ndërkohë që ecuria e sëmundjes së tyre po mbahet në kontroll nga stafi i mjekëve të Shërbimit të Infektivit.

Pacientët

Sipas mjekëve të Infektivit, këta dy pacientë janë bartës të virusit A, dhe të dyshuar se janë prekur nga gripi i derrit. Por pavarësisht kësaj, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe është përmirësuar ndjeshëm pas marrjes së tamiflusë.

Pacientët nuk ndodhen në izolim, ndërkohë që janë mbajtur nën vëzhgimin e mjekëve në një nga pavijonet e rezervuar enkas për shtrimin e të dyshuarve nga AH1N1.

Drejtoria e Qendrës Spitalore ka konfirmuar se Shërbimi i Infektivit është i pajisur me të gjitha masat mbrojtëse, me medikamente dhe gjithçka të nevojshme për të pritur rastet e dyshuara me grip derri, por edhe për të përballuar fluksin e pacientëve të shtruar pranë këtij shërbimi.

Sakaq, nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik vazhdon të ekzaminojë të gjithë kampionët e grumbulluar nga mjekët e gjithë vendit.

Kampionët e ekzaminimit

Janë rreth 100 kampionë për të cilët laboratori në Rumani pritet të referojë këtë javë. Nga këta 100 kampionë, rreth 19 raste janë të dyshuar. Deri tani, në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ekzaminohen më shumë se 30 kampionë çdo javë. Pas rezultateve të para të ISHP-së, kampionët me ngarkesë më të madhe dhe rastet e formave të ndërlikuara dërgohen për ekzaminime të detajuara pranë Laboratorit në Rumani.

Sipas parashikimeve të autoriteteve botërore, por edhe të Institutit të Shëndetit Publik, periudha e nxehtë ku do të shënohet edhe numri i lartë i pacientëve të prekur nga AH1N1 do të jetë mesi i muajit dhjetor, deri në mesin e muajit janar. Por pavarësisht kësaj, në vendin tonë problemet dhe fluksi i pacientëve të prekur nga viroza e gripit të zakonshëm është muaji nëntor, deri në muajin mars.

Gjatë këtyre muajve do të shihet me saktësi nëse do të ketë ndryshime të virusit të derrit AH1N1, nëse influenca do të pësojë mutacione, apo do të ketë një kombinim virozësh mes gripit të derrit dhe gripit të zakonshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›