E Diel, 1 Nëntor 2026

Përveç krizës, bizneset po ngopen edhe me gjoba

Bizneset shqiptare janë duke u përballur me probleme tepër serioze, që rrezikojnë deri në falimentim. Situatës së krijuar së fundmi, me publikimin e listës së kompanive që rrezikojnë mbylljen e aktivitetit për shkak se nuk kanë paguar taksat apo kanë probleme financiare, i shtohet edhe vala e gjobave. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ankohet se çdo ditë e më shumë janë duke u mbyllur ndërmarrje, për shkak se kanë vështirësi në gjetjen e tregut. Përveç kësaj, sektori fason, në të cilin janë punësuar rreth 100 mijë persona, është duke u përballur me gjoba të majme nga ana e Inspektoratit të Punës. Shkak është bërë mos regjistrimi i punonjësve dhe se një pjesë e ndërmarrjeve, në tre muajt e fundit, kanë punësuar individë me kontrata të përkohshme. Sektori i tekstileve në vend apo porositësit me fasonë, kanë qenë të parët që janë prekur nga kriza ekonomike. Shitjet kanë rënë ndjeshëm, krahasuar me vitin 2008, ndërsa mësohet se ndërmarrje me deri 50 punonjës janë duke u mbyllur.

Rëndohet situata

Në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan dhe Korçë, në ditët e fundit janë mbyllur ndërmarrje që kishin të punësuar secila deri në 50 punonjës. Në kryeqytet, dy biznese fasone kanë qenë të kushtëzuara për të kërkuar në QKR çregjistrimin e aktivitetit të tyre. "Nuk bëhet fjalë për mbyllje provizore të aktivitet, por falimentim të drejtpërdrejtë. Shoqëritë kanë kërkuar në QKR që të bëjnë çregjistrimin e aktivitetit dhe të mos merren më me prodhimin e veshjeve", thotë për "Shqip" një anëtar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve. Përveç problemeve me krizën ekonomike, biznesi po has në sanksione e gjoba, kryesisht nga Inspektorati i Punës, për shkak të punonjësve të përkohshëm. Miliona lekë gjoba kanë vërshuar në drejtim të sektorit fason, i cili "mban me bukë" rreth 100 mijë vetë, ndërsa xhiro në vit bën rreth 45 milionë dollarë (shifra për 2008-ën).

Kostoja e lartë

Në rang vendi operojnë rreth 400 ndërmarrje. Megjithatë, e dhëna zyrtare nga fasonët mund të ketë ndryshuar në tre muajt e fundit, pasi lajmet nga ky sektor tregojnë për mbyllje biznesi në çdo dy ditë. Vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2009 mësohet se rreth 11 mijë persona kanë ngelur pa punë, pasi shumë ndërmarrje u mbyllën për shkak të krizës ekonomike, që qeveria e ka të vështirë ta besojë. Eksportet e fasonit (veshje dhe këpucë) shënuan 60 për qind të totalit të eksporteve shqiptare për vitin 2008. Eksportet e veshjeve zunë 44 për qind të eksporteve të fasonit, kurse eksportet e këpucëve vetëm 28 për qind. Industria e përpunimit të këpucëve ra gjatë vitit 2008 me 7 për qind, krahasuar me vitin 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›