Topi: Kuvendit i duhen të gjithë deputetët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën thirrje të gjithë deputetëve që të jenë të pranishëm në Kuvendin e Shqipërisë. Një ditë pasi PS vendosi të bojkotojë seancën e sotme parlamentare, Presidenti indirekt theu heshtjen pas letrës që i dërgoi kreu socialist, Edi Rama, për zgjedhjet. Me mesazhin se të gjithë duhet të jenë të pranishëm, kreu i shtetit la të nënkuptohej se nuk e mbështet mungesën e opozitës në Parlament, pavarësisht shqetësimeve që janë vërejtur. Për sa u përket zgjedhjeve, kreu i shtetit tregohet i kursyer në konstatimet për klasën politike, duke vlerësuar maksimalisht qytetarët që ngritën lart standardet e këtyre zgjedhjeve. Në një mesazh për deputetët e legjislaturës së re, Presidenti Topi kërkoi sa më shumë bashkëpunim për reformat për hir të integrimit të vendit.
"Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë. Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre, duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur te politika e politikanët", thotë Presidenti në mesazhin e tij. Më tej, kreu i shtetit vë në dukje përgjegjësinë që i takon Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, duke theksuar që Kuvendi duhet të jetë më shumë i vëmendshëm dhe i besueshëm në zotimet individuale, rajonale e globale. Njëkohësisht ai vë theksin te zhvillimet brenda rajonit, të cilat kanë të njëjtin aspirim, integrimin drejt BE-së. Ndaj ai shprehu bindjen se Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë procesin e konsolidimit të shoqërisë demokratike në Republikën e Kosovës dhe atë të njohjeve të reja ndërkombëtare dhe do të garantojë vazhdimësinë e politikave të fqinjësisë së mirë, si dhe do të mbështesë bashkëpunimin e dialogun politik me vendet e rajonit. Nga ana tjetër, ai vë në dijeni deputetët e Kuvendit se si kryetar shteti do të përmbushë misionin e tij si garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si ruajtës i respektimit të ligjit dhe i interesave të shtetasve të këtij vendi, si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit.
Për sa i përket vlerësimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, pa bërë ndonjë koment, Presidenti vlerëson në veçanti qytetarët shqiptarë që në këtë datë historike dëshmuan përgjegjësi politike, pjekuri, mençuri të admirueshme nëpërmjet pjesëmarrjes së lartë, e sidomos mënyrës civile e demokratike të sjelljes, me shpresën e besimin se përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë do të mishërojnë interesat e tyre dhe do të luftojnë më mirë për t‘i mbrojtur ato. Ndaj, për të vijuar më tej misionin për të cilin janë besuar nga qytetarët, kreu i shtetit kërkon nga ligjvënësit e rinj që të zhvillojnë angazhimin për të forcuar më tej demokracinë parlamentare. "Së bashku, duke iu larguar interesave të ngushta, duke menduar si shtetarë të përgjegjshëm, duhet të punojmë që Shqipëria të mbyllë përfundimisht vitet e vështira të tranzicionit politik", vijoi Presidenti, duke shtuar se vetëm vullneti i përbashkët mund ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një terren debati profesional e konstruktiv dhe jo në arenë beteje politike shterpë. "Shpejtësia integruese në Bashkimin Europian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor", u shpreh Presidenti Topi në mesazhin e tij.