E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhindi, 10 mijë faqe me dëshmi dhe prova

Një punë voluminoze është kryer nga prokuroria dhe policia për dokumentimin e vrasjes së deputetit socialist natën e dy majit në qytezën e Roskovecit, në periferi të Fierit, por ende asnjë autor në "dritë". Me gjithë optimizmin e lartë të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, prokuroria, e cila ka në dorë hetimet për ngjarjen, thotë se nuk ka asnjë autor, qoftë edhe të supozuar, për vrasjen e Fatmir Xhindit, megjithëse ditët e fundit janë shoqëruar rreth 20 persona që kanë lëvizur natën e krimit në qytezë. Ajo çka mësohet nga burimet është se janë ezauruar pothuajse të gjitha verifikimet dhe shpresa e vetme mbeten përgjimet për të gjetur autorin e vrasjes. Pas pesë muajsh nga ngjarja e rëndë, hetuesit kanë administruar si dëshmi dhe prova materiale të cilat bashkërisht kanë arritur në nivelin e 10 fashikujve, gati 10 mijë faqe A4. Si provë materiale janë rreth 20 fishekë, si dhe disa filmime të kryera në zonë.

Hetimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e Fierit e kanë çuar në rreth 600 numrin e të shoqëruarve. Marrja e dëshmive të personave nga Roskoveci dhe nga fshati Kurjan janë zhvillimet e dukshme të çështjes. Hetimi, sipas burimeve nga grupi hetimor, po përqendrohet në ato prova të zbuluara, megjithëse ngjarja ka pesë muaj që ka ndodhur. Ditët e fundit janë kryer dhjetëra shoqërime, persona të cilët janë marrë në pyetje. Paralel me këto shoqërime nga policia dhe prokuroria, po punohet edhe me hetimin dhe përgjimin e telefonatave të atyre që mund të kenë pasur qoftë edhe lidhje shoqërore me viktimën. Pas marrjes në pyetje të të gjithë shtetasve, ka vijuar edhe shqyrtimi i të dhënave të tyre, por nuk flitet nëse ato kanë pasur rëndësi për hetimin. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe familjarët e Fatmir Xhindit kanë kërkuar zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes, pasi vonesa çon në zhdukjen e provave të krimit. Grupi hetimor i përbërë nga zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe policisë lokale të Fierit, ka zhvilluar pas ngjarjes dhjetëra orë analiza të hetimeve për vrasjen e Fatmir Xhindit. Fillimisht grupi hetimor u mblodh në Fier dhe më pas u shpërngul në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku kryeson hetimet drejtuesi i këtij institucioni, Olsian Çela, dhe në hetime marrin pjesë katër prokurorë. Burime zyrtare nga prokuroria deklarojnë se nga analizat e njëpasnjëshme janë verifikuar rreth 11 pista që hetoheshin më parë për vrasjen e deputetit, ndërsa është vendosur rrëzimi i tetë prej tyre, dhe vetëm tre kanë mbetur në fuqi. Për këto pista është vendosur të vazhdojë hetimi me grumbullimin e provave dhe informacioneve.
Atentati
Atentati ndodhi në datën dy maj, rreth orës 21:15, pranë shtëpisë së deputetit, në Roskovec të Fierit. Rreth 20-30 minuta para se të afrohej tek oborri i banesës së tij, ku vrasësit i kishin zënë pritë, Fatmir Xhindi ka qenë në një lokal të zonës. Prania e deputetit në këtë lokal deri rreth orës 20:45 konfirmohet nga dhjetëra dëshmitarë të hetimit. Mësohet se Xhindi, ditën e ngjarjes, ka qenë me djalin, por ai ka udhëtuar vetëm në drejtim të banesës së tij, nga lokali ku kishte qëndruar deri pranë shtëpisë 2-katëshe. Prokuroria deklaron se është zbardhur me dëshmitarë okularë i gjithë aktiviteti që deputeti ka pasur ditën kur ndodhi vrasja. Sipas dëshmitarëve, është arritur të zbardhet se ditën e ngjarjes, në mëngjes, ka qenë në Fier, ka mbërritur në fshatin Kurjan dhe në darkë është kthyer në Roskovec. I vetmi interval kohor për të cilin nuk ka asnjë rrethanë, asnjë dëshmitar dhe asnjë informacion, është momenti kur Fatmir Xhindi ka dalë nga lokali e derisa ka mbërritur në oborrin e banesës, ku është qëlluar me breshëri armësh sapo ka zbritur nga automjeti. Sipas prokurorisë, ekzekutorët kanë pritur për disa minuta diku pranë banesës së deputetit 49-vjeçar. Në këtë kohë, Fatmir Xhindi është qëlluar me armë, duke mbetur i vdekur në vend.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›