Aharon Appelfeld
Kur ishte ende fëmijë, qëndronte i ulur për orë të tëra duke imagjinuar se si do të ishin pushimet verore në fshatin e gjyshërve. Rrinte ulur para dritares dhe imagjinonte udhëtimin. Gjithçka kishte përjetuar në udhëtimet e mëparshme i kthehej në mendje akoma edhe më e bukur. Kujtimet dhe imagjinata ndonjëherë qëndrojnë në të njëjtin vend e në vitet e para ishin në garë mes tyre. Për të voglin Aharon Appelfeld kujtesa dukej se ishte reale, ndërsa imagjinata, ajo kishte krahë. Kujtesa e tërhiqte drejt së njohurës, imagjinata e shtynte drejt së panjohurës... Është e jashtëzakonshme se sa të qarta janë për të kujtimet e para, të largëta të fëmijërisë, në mënyrë të veçantë ato të fundit që kaloi në mal. I kujtohet mirë se ato i përjetuan me një lloj nostalgjie të frikshme, sikur prindërit ta dinin se ato do të ishin të fundit, sepse më pas jeta e tyre do të kthehej në një ferr. Kur shpërtheu lufta, ai ishte vetëm shtatë vjeç. Pas kësaj, nuk pati më verë, as dimër, as vizita të gjata në fshatin e gjyshërve. Jeta nisi në një dhomë të vogël e të ngushtë. Për disa kohë familja jetoi në geto, dhe në fund të vjeshtës u dëbuan edhe që aty. Për javë u endën rrugëve, e në fund, në një kamp përqendrimi. Gjatë luftës thotë se nuk ishte vetja. Ishte i ngjashëm me një kafshëz të vogël që ka një folezë, ose një fole. Mendimet dhe ndjenjat u ngushtuan shumë. Në të vërtetë, ndonjëherë kishte një habi të dhimbshme- "përse mbeta vetëm", pyeste veten -por kjo habi zhdukej herë pas here në pyll dhe kafshëza që jetonte brenda tij kthehej duke e mbuluar me peliçe. Por nga vitet e luftës, ai fëmija hebre kujton shumë pak, sikur të mos kishin qenë gjashtë vite të gjata. Por ndonjëherë del prej mjegullës një trup i errët, një dorë e thatë, një këpucë nga e cila thuajse nuk ka mbetur më asgjë. Këto imazhe, që ndonjëherë kthehen tek ai si një goditje e fuqishme arme, zhduken shumë shpejt, sikur të refuzonin të shfaqeshin, për t‘u kthyer edhe një herë në atë galeri të zezë të quajtur luftë. Kjo është vetëm për sa i përket ndërgjegjes racionale, sepse pëllëmbët e duarve, këmbët, shpina, gjunjët, kujtojnë më shumë se kujtesa. Ndonjëherë edhe ia ka dalë të dëgjojë trupin e tij dhe ka arritur të përshkruajë edhe disa ngjarje, por edhe ato janë vetëm disa fragmente të një mase të errët që është e fshehur përherë brenda tij. Appelfeld vinte nga një familje hebreje. Nazizmi i vrau të ëmën dhe e ndau nga babai. Në moshën nëntëvjeçare, në vjeshtë, ai arriti t‘ia mbathte nga kampi nazist dhe mbijetoi vetëm duke ngrënë çfarë natyra i ofronte. Pinte ujë, hante fruta. Kishte shumë frikë kur shihte për shembull ndonjë fshatar që me një thikë në dorë ndiqte dikënd, ndonjëherë edhe ndonjë fëmijë, sepse ai e dinte që ai fëmijë ishte hebre. Shumë pyetje i kalonin në mendje teksa qëndronte i vetëm në pyll. "Çfarë kam të gabuar unë? Përse duan të më vrasin? A mos kam fytyrë, trup, mendime ndryshe"? Kërkonte një arsye se përse të gjithë donin t‘i vrisnin hebrenjtë. Edhe pse e dinte se prindërit e tij nuk do të mund të ktheheshin më, kërkonte të dinte se ku ishin dhe i thoshte vetes se herët a vonë ata do të ktheheshin, nuk mund ta linin aty, të vetëm, sepse ata e donin. Appelfeld kishte lindur në Rumani. Ai dinte të fliste mjaft mirë gjuhën ukrainase, ishte biond me sy blu, por asnjë nuk dëshironte të birësonte fëmijë me origjinë të dyshimtë. Kështu e birësuan disa kriminelë. Dy vitet që qëndroi mes tyre, i cilëson si "shkollë të dytë". Ata ishin njerëz të tmerrshëm, por në momente të caktuara edhe zemërgjerë. Prej prindërve të vërtetë kishte mësuar të ishte i qetë, por në periudhën që u rrit mes kriminelëve mësoi mjetet për të kuptuar më mirë qeniet njerëzore. "Aty mësova zemërgjerësinë, urrejtjen, të gjitha ndjenjat e një qenieje njerëzore". Ata e rrihnin, por Appelfeld arriti edhe të gjejë ngrohtësi mes tyre. "Jo të gjithë kriminelët janë kriminelë të vërtetë", thotë ai. Appelfeld-it iu desh të ruante sekretin e të qenit hebre dhe të shpëtonte pa u vrarë. Ishte një sekret "i frikshëm, por i ëmbël". Ndonjëherë mendonte se ishte një fëmijë i veçantë, por ndonjëherë kishte shumë frikë. Një ditë, klienti i një prostitute, i afrohet dhe duke e kërcënuar i thotë: "Ti, bastard i një hebreu, çfarë bën këtu"? Duke mos e ditur akoma forcën që i buroi në ato momente, ai i përgjigjet: "Ti, si guxon ti thuash një fëmije kristian që është hebre?", dhe kështu shpëtoi edhe një herë. Pas luftës, kaloi disa muaj në plazhet italiane dhe më pas në ato jugosllave. Ishin muaj të mrekullueshëm harrese. Uji, dielli, rëra që masazhonin deri në mbrëmjen e vonë dhe më pas nata kalonte duke skuqur peshq e duke pirë kafe. Asokohe buzë detit kalonin shpesh njerëz të shenjuar prej luftës, por ishin instrumentistë, prestigjiatorë, këngëtarë lirikë, aktorë, profetë katastrofash, kontrabandistë dhe hajdutë, e mes tyre edhe artistë-fëmijë që sipërmarrës të korruptuar i tërhiqnin sa në njërin vend në tjetrin. Çdo natë kishte nga një spektakël, ndonjëherë edhe dy. Dhe ndodhi pikërisht atëherë që harresa ndërtoi themelet e saj më të thella. Më pas u dërgua në Izrael. Hebraishten e mësoi shumë vonë, por ai u kthye në një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm izraelitë. Në romanet e tij të shumta ai përballet në mënyrë direkte ose indirekte me temën e nazizmit, kampet e përqendrimit dhe me Europën e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Për veprat e tij është vlerësuar me shumë çmime, mes të cilave "Çmimin e Izraelit", çmimin "Mèdicis" në Francë, apo çmimin "Napoli" në Itali. E shkruara i ktheu atij qetësinë, i ktheu gjyshërit, qetësinë e shtëpisë së tyre, i ktheu prindërit mbi të gjitha. Falë të shkruarit ndjeu edhe një herë se kishte një familje dhe kjo i dha besim te jeta. Me të shkruarin ai gjen detajet, e në këtë mënyrë edhe autenticitetin, sepse për të, rregulli i shkrimtarëve duhet të jetë "arti i mirë duhet të ketë një rëndësi universale". Ai kërkoi dhe mësoi se çfarë do të thoshte të ishe hebre, cilat ishin detyrimet e tij dhe kjo i dha një gëzim të madh, gjeti kush ishte, gjeti identitetin tij, i dha formë vetes, sepse "pa domethënie jeta është një dëshpërim". Kur shkruan tani, ai e di se shkruan për të gjithë dhe mbi të gjitha e di se ajo që bën ka një domethënie. Kjo i jep kuptim dhe kjo ka rëndësi. Ai e di se ka një qëllim në jetë, ndaj duhet të bëjë diçka për ta përmbushur këtë qëllim.