E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, në nëntor priten 300 mijë vaksina

Vaksina do të përdoret vetëm për grupe të caktuara, si gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël, qeveritarët, si dhe ata persona që vuajnë nga sëmundje kronike. 

TIRANE- 300 mijë vaksina kundër virusit të gripit A/H1N1 pritet të mbërrijnë në nëntor në vendin tonë. Kjo sasi është kërkuar nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik si kontigjent i parë për vaksinimin e grupeve më në risk, siç janë gratë shtatzëna, fëmijët nën 2 vjeç, të sëmurët kronikë dhe veçanërisht ata që kanë probleme me mushkëritë.

"Për sa i përket vaksinës, ajo nuk është prodhuar ende. Megjithatë, në shumë vende ajo ka filluar të testohet dhe mund të jetë e gatshme për t'u shitur në treg në nëntor. Ne kemi kërkuar që në vend të ketë 300 mijë doza vaksinë për të mbuluar grupet më të riskuara të popullatës, fillimisht për grupet prioritare, si punonjësit e shëndetësisë dhe personat e riskut", - ka sqaruar Silva Bino, shkruan sot “GSH” sipas së cilës, në vazhdim do të ketë vaksina dhe për grupe të tjera të popullatës.

Aktualisht, numri i rasteve të konfirmuara me gripit e derrit vazhdon të jetë katër, ndërsa numri i të dyshuarve ka arritur në 193. 5 prej tyre janë konfirmuar nga laboratorët tanë se janë prekur nga grip i tipit A, por ende pritet verifikimi nga laboratori i referencës në Rumani. Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, tha për mediat se, numri i monstrave të marra për t'u analizuar deri dje në darkë arrin në 193. "Monstrat janë marrë nga spitalet në Tiranë, Spitali Infektiv, Pediatrik, si dhe Pneumofiziatrik në Qendrën Spitalore Universitare 'Nënë Tereza', në Tiranë, poliklinikat, si dhe nga spitali rajonal në Vlorë, Sarandë, Shkodër, Lushnjë, Durrës, Devoll".

Pjesa më e madhe e rasteve referojnë udhëtime jashtë vendit, ndërsa një pjesë e vogël e tyre kanë treguar se nuk kanë qenë jashtë vendit. Për sa i përket grupmoshave, në përgjithësi rastet e konfirmuara janë nga mosha 20-41 vjeç, ndërsa rastet e mundshme nga 16-23 vjeç.

ISHP-ja analizon minimalisht rreth 30 mostra në javë, por në disa raste ka arritur dhe në 70 të tilla në javë, pavarësisht se rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është analizimi i 10 rasteve.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›