E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohen hetimet për çiftin që vdiq pasi konsumoi verë

Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi hetimet e nisura pas dyshimeve për një rrjet të trafikut të drogës në shishet e verës. Cifti vdiq në një lokal ku kishin vajtur për të drekuar.Hetimet u pezulluan për mungesë provash dhe faktesh. 

TIRANE- Pezullohen hetimet e nisura pas vdekjes së çiftit Tomorr Rrumbullaku dhe Diana Xibraku në një lokal në Durrës, ku dyshohej për një rrjet trafiku të drogës me shishet e verës. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë kësaj prokurorie, të cilat saktësuan se gjatë verifikimeve nuk u gjet asnjë provë që të na dërgonte tek autorët e mundshëm. Për pasojë, u vendos për pezullimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në polici. “Dyshonim për një rrjet të trafikut të drogës me shishet e verës. Trafikantët e tresnin lëndën narkotike në verë dhe më pas, përmes laboratorëve e përftonin sërish atë. Dyshimet nisën pas vdekjes së çiftit në Durrës, por fakti që nuk gjetëm asnjë provë tjetër, na detyroi të pezullonim hetimet. Në rast se policia gjen ndonjë të dhënë shtesë, atëherë mund të rifillojmë hetimet”, - tha një burim pranë organit të akuzës për Krime të Rënda. Në fakt, në shishen e verës që konsumuan Tomorr Rrumbullaku dhe mikja e tij, Xibraku, është zbuluar se kishte përqindje të lëndës narkotike. Fakti që nuk u zbulua se ku e kishin siguruar dy viktimat shishen e verës, çoi në pezullimin e hetimeve. Një vit e gjysmë me parë, Tomor Rrumbullaku dhe e njohura e tij, Diana Xibraku kishin mbërritur në një lokal për të drekuar, ku ende pa përfunduar drekën, gjetën vdekjen. Fillimisht u dyshua se u helmuan nga ushqimi, por më pas rezultoi se në shishen e verës kishte pasur një përqindje lënde narkotike, çka u shkaktoi atyre vdekjen e menjëhershme. Hetimet e nisura për një rrjet të trafikut të narkotikëve në mënyrën mjaft të sofistikuar, janë pezulluar tashmë për mungesë provash dhe faktesh.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›