Gripi i derrit, nuk dihet ende kostoja e vaksinës
Autoritetet shëndetësore kanë pranuar rrezikun për furnizimin e popullatës me vaksinën kundër gripit të derrit. Por, përveç atyre pak dozave që mund të blihen nga MSH-ja apo kompanitë ndërkombëtare, nuk dihet ende se sa do të jetë kostoja e vaksinës. Nëse vaksina do të ketë një çmim të përballueshëm nga qytetarët apo do të jetë e vështirë për t’u blerë nga të gjithë.
Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas medikamentin që aktualisht përdoret kundër gripit të derrit, vetëm për disa kategori, duke specifikuar kushtet e tyre. Ndërsa sipas deklaratës së bërë nga specialistët e shëndetësisë pak kohë më parë, Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që, disa nga mjekët infeksionistë në Spitalin Infektiv në QSUT, shprehen se vaksina nuk do të ketë një kosto më të lartë se 1500 lekë. Aktualisht, qytetarët janë në pritje për shkak të panikut që është krijuar nga prekja e virusit AH1N1. Dozat e para me Tamiflu që pritet të vijnë do të jenë falas për kategoritë e përcaktuara. Aktualisht sasitë e sapoardhura u janë shpërndarë urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Dozat e Tamiflusë që Ministria e Shëndetësisë ka mundur të sigurojë deri tani, mbajnë përsipër edhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011. Aktualisht, ISHP-ja po angazhohet për marrjen e masave për sigurimin e medikamenteve antivirale të gripit të zakonshëm. Sipas Drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, duhet kryer vaksinimi i tërë popullatës, pasi virusi i gripit të derrit mund të kombinohet me virusin e zakonshëm dhe të përbëjë rrezik për jetën e qytetarëve. Sipas t dhënave të fundit, deri tani janë prekur 16 persona, ndërsa janë marrë 400 mostra për ekzaminim. Ndërkohë që dyshohet edhe për dy raste të reja, të cilat ISHP i ka cilësuar të prekur nga virusi. Mostrat e këtyre personave janë nisur drejt Rumanisë për të kryer ekzaminimet përfundimtare.
21 Gusht 2009