E Diel, 1 Nëntor 2026

Uzina e Baterive rrezik për banorët, ndot zonën me plumb

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Territori përreth uzinës së baterive, i cili ndodhet në një nga lagjet më të populluara të qytetit të Beratit, në lagjen Uznovë, rezulton i ndotur. Banorët e zonës që kanë ndërtuar shtëpitë pranë ndihen të rrezikuar çdo ditë prej mbetjeve të kësaj uzine. Këtë fakt e pohon specialistja e mjedisit në Bashkinë e Beratit, Mirela Buhuri. Duke theksuar se kjo uzinë ka qenë një e keqe shumë e madhe për qytetin e Beratit, ajo sqaron se ndotja ndahet në dy kategori: në ndotje të mbartur dhe në ndotje të shkaktuar këto vitet e fundit. Specialistja Buhuri pohon se nga analizat dhe studimet e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik Tiranë ka rezultuar nivel shumë i lartë i plumbit në territorin përreth kësaj uzine. "Territori përqark kësaj uzine, në të gjithë elementët përbërës të saj (ujë, tokë, ajër) është i ndotur me plumb dhe kjo ka bërë që banorët e kësaj zone të shfaqin në të shumtën e rasteve probleme", thotë ajo. Specialistja shprehet se pas konstatimeve të kryera dhe daljes së rezultateve përfundimtare në këtë zonë është kërkuar jo vetëm pezullimi i aktivitetit të kësaj uzine dhe ndalimi i ndërtimeve të banesave të tjera, por edhe rehabilitimi i të gjithë zonës së ndotur. Pas lëvizjeve demografike në vitin 1997 ajo është kthyer në një zonë të populluar, por sot vë në rrezik shëndetin e rreth 2200 banorëve të saj. Vetë banorët e kësaj zone pohojnë se e dinë që jetojnë në një territor të ndotur ku rrezikohet jo vetëm bimësia e prodhimi i fushës, por edhe jeta e tyre dhe ata kanë shfaqur shumë herë shenja alergjie, këputjeje trupore, marrje mendsh e të vjella. Uzina e Baterive ka ushtruar veprimtarinë si uzinë shtetërore për afro 17 vjet. Ajo kishte si qëllim prodhimin e baterive për makinat dhe mjetet lundruese ushtarake, ku lënda e parë e përdorur ka qenë plumbi dhe acidi sulfurik, ndërkohë që janë përdorur edhe elementë të tjerë, si sulfat plumbi e kripëra të cianumit. Kjo uzinë kryente shkatërrimin e baterive të vjetra, duke derdhur elektrolitin, acidin sulfurik e pllakat e plumbit, për të kaluar më pas në procesin e riciklimit dhe formimit të baterive të reja. Deri në vitin 1985, në këtë uzinë ka funksionuar një aparaturë filtrimi që përdorej për kapjen e grimcave të plumbit që minimizonin në këtë mënyrë ndotjen e zonës, në atë kohë e pabanuar. Por, pas djegies së këtij impianti në vitin 1997 ndotja në këtë territor shkatërroi edhe fruti-kulturën dhe brezin e gjelbër që ndante dikur uzinën me qytetin e Beratit. Pas vitit 1997 në këtë uzinë kryhet privatisht shkrirja dhe riciklimi i baterive, duke ndotur qytetin në një rreze 500-700 metër nga pika fundore e uzinës. Më pas kjo zonë u zaptua nga ndërtimet pa leje dhe nga lëvizjet demografike të pakontrolluara të banorëve, pa e ditur rrezikun që iu kanosej jetës së tyre si rezultat i tokës së ndotur me plumb. Nga monitorimi që i është bërë kësaj zone ka rezultuar se ndotja e tokës, ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor (kryesisht puseve vetjake), është 2-3 herë më e lartë se normat e lejuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›