E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat 1-vjeçar, zbardhen procedurat e aplikimit për programet e miratuara

Flet drejtori i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në UT, Xheladin Çeka

Jonida Tashi

Çelet drita jeshile e aplikimit për disa prej masterave 1-vjeçar që do të ofrohen në Universitetin e Tiranës gjatë vitit të ri akademik. Bëhet fjalë vetëm për 10 programe master të nivelit të dytë që qeveria miratoi para pak kohësh, për të cilët, vetëm pas pak ditësh fakultetet do të hapin procedurat e aplikimit. Lajmi i mirë për hapjen e këtyre procedurave për qindra të interesuar që prej muajsh gjenden në pritje bëhet i ditur nga drejtori i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve pranë Universitetit të Tiranës, Xheladin Çeka. Ky i fundit sqaron se tashmë fakulteteve, që u miratuan disa prej masterave 1-vjeçar u është përcjellë vendimi i qeverisë. “Në këto vendime janë të përcaktuar edhe procedurat që duhet të ndiqen nga fakultetet për regjistrimin e kandidatëve. Aplikimet do të çelen vetëm për masterat që janë miratuar nga qeveria. Ndërsa pjesa tjetër e programeve master të pamiratura është në kërkesë miratimi”,- sqaron Çeka.
Aplikimet
Aplikimet për programin master do të nisin në ditët e para të muajit shtator dhe dosjet e kandidatëve do të pranohen deri në datën 20 të këtij muaji. Ndonëse drejtuesit e UT-së kanë propozuar 50 programe për masterat e nivelit të dytë, kreu i qeverisë deri tani ka miratuar vetëm 10 prej tyre. Konkretisht janë miratuar katër mastera të nivelit të dytë për Fakultetin Filologjik, tre për Fakultetin Juridik si dhe tre të tjerë për Fakultetin e Shkencave Sociale. Tashmë drejtuesit e Universitetit të Tiranës presin që qeveria të miratojë pjesën tjetër të masterave të nivelit të dytë, në të kundërt, sipas deklaratës së bërë para pak kohësh nga kreu i këtij universiteti, viti i ri akademik në këtë institucion rrezikon të mos nis në muajin tetor. Për të ndjekur një program studimi master i nivelit të dytë, pranimi varet nga kreditet. Por një master të tillë mund ta vazhdojnë edhe studentët që janë diplomuar sipas sistemit akademik 4-vjeçar. Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, për t’u pranuar në një program studimi master i nivelit të dytë (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo program të integruar të studimi të ciklit të dytë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion. Kurse për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të dytë (MND), studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite. Programet e studimeve master i nivelit të dytë u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional. Këto programe realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Dytë” (MND).
Pranimi
Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve individë, që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë ose program studimi ekuivalent me të dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv. Kriteret e pranimit për standardet akademike të përzgjedhjes së kandidatëve për t’u pranuar në programet e ciklit të tretë të studimeve përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të tretë, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrisë përkatëse.

Masterat e miratuar për Universitetin e Tiranës
Fakulteti i Historisë-Filologjisë
Master në “Gjuhësi”
Master në “Studime letrare”
Master në “Shkencë e bibliotekave”
Master në “Gjeografi”, me drejtimet:
“Gjeografi fizike dhe mjedisore”
“Gjeografi humane dhe rregullim territori”
Fakulteti i Shkencave Sociale
Master në “Kërkime në edukim”
Master në “Kërkim psikologjik”
Master në “Kërkim shkencor në punë sociale”
Fakulteti i Drejtësisë
Master në “Shkenca juridike civile”
Master në “Shkencat penale”
Master në “E drejta kushtetuese, e krahasuar dhe evropiane”

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›