Liri Sali Lushës, Gjykata: S’ka prova
Sali Lusha, ish-bodigardi i Sali Berishës para vitit 1997, ka lënë dje qelitë e paraburgimit në kryeqytet, pas dy javësh qëndrimi në burg, për akuzën e "prishjes së qetësisë publike". Gjykata e Kavajës ka vendosur dje të hiqte masën e sigurisë për Lushën dhe tre të bashkakuzuarit me të, që ishin lënë në masën e përkohshme të sigurisë 20 ditë arrest. Po kështu, edhe katër të tjerëve, të prangosur në këtë çështje, iu hoq masa e sigurisë "detyrim paraqitje" që ishte vendosur gjatë seancës së vlerësimit të arresteve në ngarkim të tyre. Mësohet se gjykata ka argumentuar dje se gjatë 15 ditëve Prokuroria nuk ka arritur të mblidhte prova të mjaftueshme për të argumentuar mbajtjen e të arrestuarve në qeli, duke vendosur në këtë mënyrë lirimin e menjëhershëm nga masat e sigurisë për tetë të akuzuarit. Lusha dhe shtatë persona të tjerë që ndodheshin në kompleksin e tij turistik pranë Shkëmbit të Kavajës, u prangosën nga efektivët e RENEA-s mesnatën pas 5 gushtit, pasi policia lokale pretendoi se ishte konfliktuar me ta për shkak të muzikës me zë të lartë pas orës 24:00. Për më tepër, sipas policisë së Kavajës, tetë të arrestuarit jo vetëm që nuk kishin pranuar të ulnin muzikën, por kanë kundërshtuar efektivët blu, të cilët ishin detyruar të thërrisnin specialët në operacion. Tri ditë më vonë, Gjykata e Kavajës, e cila ka në juridiksion këtë territor, pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesit të akuzës dhe të mbrojtjes caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" me afat 20 ditor për Sali Lushën, Avdyl Gjomakajn, Shkëlzen Susën dhe Renaldo Gecajn, ndërsa masën "detyrim paraqitjeje" për Visar Kasharin, Mariglen Bllikun, Rusin Grazhanin dhe Egdar Muçën. Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre pohuan se kanë qenë forcat e rendit ato që kanë provokuar konfliktin. Sipas tyre muzika ishte fikur dy minuta përpara se akrepat të shënonin orën 24:00, kufi maksimal ky i vendosur nga policia, në mënyrë që të mos shqetësoheshin pushuesit që frekuentojnë atë zonë. Gjithashtu, gjykata pohoi atëherë zyrtarisht se Sali Lusha, duke pretenduar për një konflikt të nisur pas provokimeve nga ana e policisë ka thënë gjatë seancës: "Nëse duhet të qëndrojë dikush në burg për këtë punë, më lini mua dhe lirojini të tjerët". Ndërsa mësohet se përfaqësuesi i Prokurorisë u komunikoi tetë të pandehurve akuzat "prishje e rendit dhe qetësisë publike", "kundërshtim i forcave të rendit" dhe "mosbindje ndaj policisë". Ndryshe nga të akuzuarit, përfaqësuesi i prokurorisë që mbrojti në gjykatë akuzën paraprake, ka pohuar para togave të zeza se shoqërimi i tyre në komisariat është bërë pas orës 02:00 të natës. Kjo për faktin se muzika nuk ishte ulur pas orës 24:00 dhe se të shoqëruarit kishin kundërshtuar policinë. f.m.
U shoqëruan në polici
1. Sali Lusha
2. Visar Kashari
3. Shkëlzen Susa
4. Mariglen Blliku
5. Renaldo Gecaj
6. Rusin Grazhani
7. Avdyl Gjomakaj
8. Egdar Muça
Policia: Stop muzikës me volum të lartë
Policia e Shtetit publikoi zyrtarisht më 4 gusht se urdhëronte uljen e volumit të muzikës në të gjitha lokalet në zonat turistike pas orës 24:00. Sipas policisë, këtij urdhri duhet t'i bindeshin të gjithë, ndërsa kjo masë merrej për të mos shqetësuar pushuesit. Vetëm një ditë më pas policia nëpërmjet një komunikate tjetër për shtyp pohoi se kishte shoqëruar në qeli tetë persona që nuk i ishin bindur këtij urdhri, duke lejuar muzikë me volum të lartë në lokalin e tyre në bregdetin e Kavajës.