E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, numri i të prekurve nga virusi shkon 20

Konfirmohen edhe katër raste të tjera me AH1N1. Laboratori i referencës në Rumani ka dërguar dje përgjigjet pranë Institutit të Shëndetit Publik, se nga kampionët e ekzaminuar janë edhe 4 raste të tjera të prekur nga gripi i derrave AH1N1. Format e virusit janë forma të lehta, por pavarësisht kësaj harta e të prekurve brenda një muaji është zgjeruar ndjeshëm.

Rastet janë nga Tirana të moshës 14-15 vjeç. Mjekët konfirmojnë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

Muaji shtator do të jetë edhe periudha më problematike për zhvillimin dhe shpërhapjen e mëtejshme të virusit.

Parashikimet flasin edhe për përzierje dhe kombinime të gripit të derrave me virusin e thjeshtë të gripit. Sakaq, dje si në prag të fundjavës dhe mbylljes së punës për pesë ditë, edhe pas konfirmimit të rasteve të reja të prekura me gripin e derrave, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar edhe buletinin informativ të radhës.

Buletini

Sipas buletinit të ISHP-së, vihet re që për herë të parë kemi 2 raste të dyshuara me AH1N1, të grupmoshës pediatrike 5-14 vjeç.

Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç. Vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme, duke pasur

parasysh që edhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grup moshe. "Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologëve në të gjithë vendin, por sidomos

departamentit të pediatrisë pranë QSUT-së, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshë", sqarojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

3 prej rasteve janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (spitali rajonal i Durrësit), të cilët tashmë janë larguar nga vendi. 6 raste janë të lidhura me udhëtimin kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar. Për 7 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit.

Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe 4 raste në Durrës, 1 rast në

Sarandë.

Mostrat në ekzaminim

Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit

dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti.

Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i imunofluoreshencës direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore, nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat nga 24-72 orë dhe më pas deri në 1 javë.

Rastet kanë qenë pa temperaturë në përgjithësi pas ditës së tretë të sëmundjes. Tamifluja është përdorur në ato rase kur ka pasur komprometim të sistemit respirator, bronkit bronkopneumoni.

Dy raste që kanë pasur si sëmundje shoqëruese diabetin, kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes si bronkopneumoni intersticiale dhe insuficiencë respiratore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›