E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët e Shqipërisë, të ndarë edhe në muajin e shenjtë

Muaji i shenjtë i Ramazanit nuk ka nisur në të njëjtën ditë për të gjithë myslimanët shqiptarë. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman shqiptar, të përfaqësuar nga kreu i tyre, haxhi Selim Muça, e kanë nisur agjërimin në muajin e sakrificës, mirësisë dhe dashurisë që një ditë më parë. Kjo, në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli Fetar i Europës. Por nuk kanë qenë të një mendjeje një grup përfaqësuesish brenda këtij komuniteti, të cilët nuk ndajnë të njëjtin orientim me drejtuesit aktualë të Komunitetit Mysliman. Ata e kanë nisur sot ritualin e agjërimit.

I gjithë konflikti është përqendruar në daljen ose jo të hënës, e cila konsiderohet edhe si elementi bazë për nisjen e muajit të Ramazanit. Por, ndërsa një pjesë e besimtarëve myslimanë shqiptarë janë të orientuar nga Lindja dhe preferojnë ta shohin hënën atëherë kur ajo del në vendet arabe, të tjerët e konsiderojnë këtë çështje një debat të kotë, pasi llogaritja e daljes së hënës tashmë bëhet fare thjesht dhe secili vend e vlerëson vetë këtë ngjarje.

Mendimi i shumicës së dijetarëve është se nëse hëna e Ramazanit shihet në cilindo vend të rruzullit tokësor, atëherë kjo i detyron të gjithë besimtarët myslimanë të fillojnë agjërimin në të njëjtën kohë, aq më tepër tani kur mjetet e informacionit kanë mundësi të bëjnë lajmërimin në çast për fillimin e muajit të Ramazanit. Megjithatë, ka mendime se çdo vend vendos për vete se kur duhet ta fillojë muajin e Ramazanit.

Nga ana tjetër, në Shqipëri ka nisur zyrtarisht muaji i shenjtë i Ramazanit. Kreu i këtij komuniteti, Selim Muça, ka deklaruar të premten si ditën e parë të nisjes së agjërimit. "Të dashur besimtarë myslimanë, kudo që ndodheni brenda dhe jashtë kufijve të vendit tonë, ju uroj gëzuar muajin e madhërishëm të Ramazanit, i cili ka filluar në vendin tonë, më 21 gusht 2009! Ju uroj të gjithëve ta kaloni më të lehtë! Ju uroj gëzuar dhe për shumë vjet begati e paqe në mes jush", ka uruar dje kreu i komunitetit më të madh fetar në vendin tonë, haxhi Selim Muça.

Megjithatë, për besimtarët myslimanë në xhaminë e Rrugës së Kavajës, agjërimi dhe ritet që kërkon muaji i Ramazanit do të nisin sot, pra një ditë më vonë, me atë që ka vendosur kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar. Kjo ditë përkon edhe me nisjen e agjërimit në vendet arabe. "Nuk e kemi nisur muajin e Ramazanit, sepse nuk është parë hëna", shprehen këta besimtarë myslimanë. Sipas tyre, rregulli është që kur shikohet hëna fillon agjërimi. Por meqenëse hëna nuk ka dalë akoma, ata thonë se nuk kanë përse ta nisin këtë ritual.

Kryetari i komunitetit mysliman, Selim Muça, gjithashtu shpjegon se muaji i Ramazanit është i lidhur me hënën. "Agjërimi i muajit të Ramazanit fillon me parjen e hënës. Por kjo është e vështirë ta shohësh me sy të lirë. Sot ka observatorë astronomikë që e caktojnë me saktësi se kur fillon të dalë hëna. Për ne ka dalë mbrëmë,(parmbrëmë) prandaj agjërojmë sot (dje), sepse kështu e ka thënë edhe Këshilli Fetar i Europës", sqaroi kryetari i Komunitetit Mysliman vendimin e tij. Në fund të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë festojnë ditën e Bajramit të Madh, që këtë herë duket se do të ndahet në dy ditë të ndryshme, në përputhje me përkatësinë e besimtarëve ndaj njërës apo tjetrës rrymë, që ekziston në komunitetin e tyre. A.Rr.

Dy grupimet rivale brenda myslimanëve shqiptarë dolën hapur në zgjedhjet e fundit të tyre

Përplasja për zgjedhjen e kreut të komunitetit

Ndarja e myslimanëve shqiptarë për ditën e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit duket se është vetëm një nga përplasjet që kanë kohë që kanë marrë udhë brenda këtij komuniteti. Përplasja më e ashpër mes grupimeve rivale u shfaq hapur gjatë procesit të zgjedhjeve të kreut të Komunitetit Mysliman shqiptar në muajin mars të këtij viti. Këto zgjedhje ndezën debate të forta mes mbështetësve të kreut aktual të këtij komuniteti, Selim Muçës, dhe një grupi imamësh të xhamive në kryeqytet, veçanërisht të xhamisë në Rrugën e Kavajës. Këta të fundit kundërshtuan datën e zgjedhjeve, për të cilën u shprehën se nuk ishin njoftuar, por edhe për procedurat e paraqitjes së kandidatëve për postin e kreut të myslimanëve shqiptarë.

"Ne duam që zgjedhjet të jenë të lira. Zgjedhjet të jenë brenda statutit, që ne si besimtarë e kemi miratuar. Dhe të mos shkelet statuti. Njoftimi i anëtarëve të këshillit të përgjithshëm duhet të jetë dy javë përpara, ndërkohë që lajmërimi është bërë dhjetë ditë para. Duhet të paraqiten emrat e kandidaturave, thjesht është vënë pika e parë, raporti i kryesisë dhe pika e dytë, zgjedhja e kryetarit. Kush është alternativa, sepse në statut thuhet të ketë të paktën dy emra dhe më shumë", deklaroi në atë kohë Ahmet Kalaja, imam i xhamisë në Rrugën e Kavajës. E ndërsa mbështetësit e këtij grupimi vendosën që t‘i drejtohen gjykatës për këtë çështje

Nga ana tjetër, Komuniteti Mysliman, i vënë përballë këtyre akuzave, reagoi menjëherë, duke u shprehur se "zgjedhjet e radhës në KMSH janë konform dhe në respekt të të gjithave rregullave dhe statutit të këtij institucioni". Sipas tyre, cilido individ, që bie pre e të tilla mendësive joislame, nuk do ta gjejë kurrë klimën e përshtatshme për t‘u kultivuar dhe rritur mes myslimanëve shqiptarë.

Zgjedhjet për kreun e këtij komuniteti u zhvilluan në xhaminë e Kavajës më 21 mars, ku kryetar u zgjodh Selim Muça pa kandidaturë rivale. Aktualisht, rrymat kundërshtare brenda komunitetit më të madh fetar në vendin tonë vazhdojnë të gjallojnë, duke nxjerrë herë pas here në dukje kontradiktat mes tyre.

Mesazhi

Rama uron besimtarët myslimanë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, uron të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ku ata ndodhen për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në një njoftim për shtyp të selisë rozë, theksohet se kreu socialist, Edi Rama, u uron nga zemra besimtarëve myslimanë për t‘i përcjellë njëri-tjetrit dhe mbarë vendit paqe, harmoni e begati. Rama vëren se ky është një muaj kur besimtarët myslimanë nxjerrin në pah përkushtimin dhe devotshmërinë e vërtetë ndaj besimit të tyre. "Në këtë muaj të shenjtë të faljes së madhe, besimtarët myslimanë nxjerrin në pah përkushtimin e devotshmërinë e pastër e të vërtetë ndaj besimit të tyre, japin nga vetja virtytet më të mira humane të ndihmesës, harmonisë, mirëkuptimit dhe sakrificës", thuhet në mesazhin e kreut të PS-së.

Berisha çel iftarin me myslimanët

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në çeljen e iftarit në orën 19.30 me besimtarët myslimanë. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, përshëndeti përzemërsisht të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë në fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Duke iu uruar të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë agjërim të mbarë, Kryeministri Berisha uron që ky muaj i sakrificës dhe i besimit të tyre te Zoti, të shndërrohet në mirësi për secilin prej tyre, për familjet e tyre dhe Shqipërinë. Kryeministri u është bashkuar dje pasdite besimtarëve myslimanë për çeljen e iftarit në fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Dje është çelur edhe agjërimi për të gjithë ata besimtarë myslimanë dhe kreu i qeverisë ka qenë i pranishëm në këtë ceremoni së bashku me bashkëshorten e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›