NATO do të na ndihmojë të mbrohemi edhe nga vetvetja
Një muaj mbas anëtarësimit të Shqipërisë në valencën ushtarake të demokracive më të përparuara të botës, entuziazmi i fillimit duket se ia ka lënë natyrshëm vendin reflektimit për efektet dhe të mirat e mundshme që ky akt do të ketë për shqiptarët. As që mund të bëhet fjalë për lulëzimin e skeptikëve apo për shndërrimin e optimizmit në dyshim për anët pozitive të anëtarësimit tonë në Aleancë. Duke qenë një popull me tipare të forta mesdhetare, i vëmë njësoj apo më shumë rëndësi të dukurit sesa të qenit. Kështu që, mjafton të jemi së bashku me më të mëdhenjtë e botës dhe nuk ka rëndësi se a jemi për mirë apo për keq me ta. Shyqyr që të mëdhenjtë e botës përfaqësojnë njëkohësisht edhe shoqëritë më të zhvilluara e demokratike, kështu që kësaj here jemi pozicionuar drejt!
Një muaj mbas anëtarësimit, është disi më e lehtë të shohësh pak më përtej entuziazmit të natyrshëm të pozitës dhe të zilisë së natyrshme të opozitës. Një muaj më pas është pak më e lehtë t’i shpjegoj një mikut tim me zili të natyrshme, i cili këmbëngulte se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian është më i rëndësishëm për ne se anëtarësimi në NATO dhe t’i them me plot gojë që nuk është ashtu.
Vendi ynë u anëtarësua në Aleancë vetëm një dekadë mbas asgjësimit të plotë të ushtrisë shqiptare nga politizimi i instinktit vetasgjësues të shqiptarit. Tek çdo popull, ashtu si tek çdo njeri, ekzistojnë anë të errëta, të cilat në thyerjen më të vogël tentojnë të shfaqen dhe të funksionojnë. Por, politizimi i së keqes dhe përfitimi politik nga aktivizimi i anëve të errëta të shoqërisë është diçka që pakkund në botë është arritur sikur në Shqipërinë e vitit ’97.
Shqipëria u anëtarësua në Aleancë vetëm disa vite mbas luftës së NATO-s në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës të kërcënuar me asgjësim total nga shteti serb. Pra, vetëm brenda një dekade, gjysma e kombit shqiptar u kërcënua nga zgjimi dhe politizimi i instiktiv vetëshkatërrues, ndërsa gjysma tjetër nga aktivizimi dhe politizimi i instiktiv agresiv dhe shkatërrues i një kombi tjetër. Një fjalë e mençur thotë se një popull që harron historinë e vet të hidhur, ajo do t’i përsëritet derisa të mos e harrojë atë. Nëse tentojmë të mbulojmë, të anashkalojmë dhe të harrojmë realitetin e prekshëm, të shkuarën fare të afërt, atëherë vaj medet se ç’do të bënim me historinë.
Të gjithë aktorët politikë të tragjedisë sonë të vitit ’97, qofshin këta protagonistë apo figurantë, aktorë pozitivë apo negativë, janë akoma në skenë. Anëtarësimi në NATO natyrisht që i ka zbutur antagonizmat, i ka fshehur sërish anët e errëta të shoqërisë sonë, por nuk i ka nxjerrë jashtë skenës politikanët dhe politikën që i vuri flakën shtëpisë për të zënë vendin pranë oxhakut. Se si do të ishin sjellë dhe çfarë roli do të kishin luajtur këta aktorë politikë sikur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO të kishte hasur në pengesa të ngjashme me ato që ka hasur Maqedonia, është e vështirë të dihet, por është e lehtë të imagjinohet.
Natyrisht që çdo hap i vendit tonë përpara është i nevojshëm, aq më tepër që shpesh kemi bërë hapa mbrapa. Liberalizimi i vizave, rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit dhe në tërësi afrimi me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, janë hapa të nevojshëm dhe shumë të rëndësishëm për shkurtimin e distancës ekonomike dhe demokratike me vendet e të njëjtës hapësirë gjeografike evropiane, por mbrojtja e këtyre arritjeve është po aq e rëndësishme sa ç’është kujdesi që mbas ngjitjes në majën e një peme të lartë për të kapur një frut të pjekur mirë, të mos biesh dhe në vend që të hash kokrrën, të thyesh kokën.
Anëtarësimi në NATO i jep kuptim edhe ambicies aq të kritikuar të Kryeministrit Berisha për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi energjitike bërthamore. Në fakt, skepticizmi i madh i opinionit publik në lidhje me aftësinë e vendit tonë për të ndërtuar centrale energjitike bërthamore, e ka zanafillën pikërisht në pasigurinë e vetë shqiptarëve lidhur me rizgjimin e mundshëm demoniak të instinkteve tona të errëta apo më saktë, me frikën se demonët brenda nesh do të kenë një instrument më shumë e shumë më të fuqishëm, që nuk do të ngurronin ta përdornin nëse do t’u jepej rasti.
NATO-ja natyrisht që nuk është Shën Gjergji mitik që lufton dragonjtë dhe demonët me heshtë, por thjesht është aleanca më e madhe dhe më e sigurt në botë, që ka si synim parësor mbrojtjen e secilit vend anëtar me instrumentet dhe fuqinë e të gjitha vendeve anëtare. Në rastin tonë, shpresojmë që të na ndihmojë për t’i groposur shtatë pash nën dhe instinktet e errëta dhe kështu, dashtë Zoti të na ndihmojë të mbrohemi, përveçse nga të tjerët, edhe nga vetvetja.
Ardian Muhaj