Gripi i derrit, pritet konfirmimi për 16 persona të dyshuar
Emanuela Sako
Shtohet numri i rasteve të dyshuara të prekur me virusin AH1N1, në vendin tonë. Aktualisht janë 16 persona të dyshuar, ku priten analizat përfundimtare që do të vijnë nga laboratorët Rumun. ISHP-ja bën të ditur se brenda kësaj jave do të vijnë përgjigjet përfundimtare, për rastet dyshuara. Sipas Drejtorit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, përgjigjet nga Rumania mund të kërkojnë 3 deri në 4 ditë kohë. Ylli tregon më tej se analizat për virusin kryhen falas nga Rumania, sipas kontratës që pala jonë ka bërë me OBSH-në. Mostrat e marra dërgohen në mënyrë postare, me DHL, për në shtetin Rumun dhe po në të njëjtën mënyrë vjen konfirmimi përfundimtar. Aktualisht, në vendin tonë numri i të prekurve nga virusi është 4, por priten përgjigjet e ekzaminimeve të tjera që do të vijnë së shpejti. Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar zyrtarisht 3 ditë më parë se specialistët në laborator kanë konfirmuar edhe tre raste të tjera me gripin A H1N1.
Situata
Tipi i këtij virusi, që ka prekur 3 personat, është i predispozuar për të qenë grip derri. Megjithatë saktësisht kjo do të konfirmohet vetëm pas përgjigjes zyrtare të laboratorit në Rumani. Të prekurit janë 2 studentë dhe një qytetar nga Tirana, por specialistët janë në pritje të analizave përfundimtare
Çdo ditë ISHP do të përpunojë mostrat e dyshuara nga Tirana dhe rrethet. Specialistët shprehen se kanë vërejtje për mostrat e marra në spitalet e rretheve, ku të dhënat nuk kanë qenë të sakta dhe të plota. Specialistët në Tiranë duan të dhëna më të sakta dhe kampione të cilët plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret për t’u ekzaminuar. Sipas premtimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, tashmë kanë mbërritur në vend një sasi e madhe dozash Tamilu, të cilat mendohet të përdoren për rreth 1200 persona. Shumë shpejt, do të vijë një sasi e madhe për rreth 10-15 mijë pacientë. Kjo sasi është e konsiderueshme për të përballuar situatën edhe gjatë sezonit të dimrit. Gjatë sezonit të vjeshtës dhe atij dimëror, pritet që të ketë një shtim të madh të rasteve të personave që do të preken nga ky virus. Në këtë periudhë, qytetarët preken nga gripi i zakonshëm dhe janë më të prirur për t’u prekur edhe nga gripi i derrit. Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas këtë preparat për individët që kanë nevojë në të gjitha spitalet rajonale. Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që sasia e sapoardhur do t’u shpërndahet urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Medikamenti mban përsipër dhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011.
Harta
Harta e të dyshuarve me virusin e gripit të derrit është shtrirë në disa qytete të vendit, ku pritet të ketë një zgjerim më të madh të kësaj harte. Deri tani, ISHP-ja ka marrë 193 mostra, në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Devollit, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Lushnjës, Sarandës. Specialistët mendojnë se shtrirja e prekjes nga virusi mund të jetë më e gjerë, por qytetarët duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj simptomave që kanë. Ata duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku i familjes për kryerjen e vizitës dhe në rast se dyshohet duhet të qëndrojë në shtëpi për të mos u bërë i rrezikshëm për të tjerët. Në këtë mënyrë mjekët dërgojnë mostrat e marra në ISHP, ku kryhen analizat e para.
28 Korrik 2009