Provimet me zgjedhje, rezultatet shpërndahen sot në të gjitha shkollat
Ankthi i maturantëve që kanë rendur prej pesë ditësh me një frymë drejt shkollave, për të mësuar notat e provimeve me zgjedhje do të marrë fund brenda ditës së sotme. Megjithëse ishte parashikuar që rezultatet e këtyre provimeve do të publikoheshin në datën 24 korrik, gjë që i detyroi maturantët të bëheshin “rojtarë” të gjimnazeve në pritje të notave, mesditën e sotme në shkolla do të publikohen listat me notat e provimeve me zgjedhje. Burime zyrtare nga Drejtoria Arsimore e Tiranës konfirmojnë zyrtarisht se pas orës 12 të ditës që gjendemi, të gjitha gjimnazet e kryeqytetit do të afishojnë në mjediset e tyre listat me rezultatet e provimeve me zgjedhje. Sipas procedurës të ndjekur edhe në shpalljen e rezultateve të mëparshme të provimeve të Maturës, si dhe hapësirës kohore dhe fizike, maturantët e kryeqytetit do të njihen të parët me notat e provimeve me zgjedhje. Ndërsa ata të rretheve, sidomos atyre më të largëta të vendit, duhet të presin të agojë dita e mërkurë ose e enjte, në varësi të kohës së mbërritjes së listave, për të parë notat. Mësohet se shkak për mos nxjerrjen e notave të provimeve me zgjedhje deri ditën e djeshme është bërë procesi i printimit të listave me rezultatet e afro 39 mijë maturantëve, që kanë marrë pjesë në këto provime.
28 Korrik 2009