E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH, kontrolle për restoranteve në bregdet për kushtet higjiene-sanitare



Ministria e Shëndetësisë ka dhënë urdhër që në të gjitha lokalet, restorantet dhe hotelet në zonat turistike duhet të kryhen kontrolle të vazhdueshme për kushtet higjiene-sanitare. Me inspektimet merren DSHP-të e rretheve, të cilat kanë detyrë të kontrollojnë dhe të marrin masa ndaj subjekteve që shkelin rregulloren. Në mjaft raste, baret dhe restorantet nuk ofrojnë kushtet dhe ato mund të bëhen të rrezikshme për jetën e qytetarëve. DSHP-ja e Durrësit, pak kohë më parë mbylli dy restorante në bregdet për shkak të mungesës së kushteve higjienike. Sipas specialistëve, subjektet nuk plotësonin kushtet për trajtimin e klientëve dhe mund të bëheshin problem për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore. Monitorimi i subjekteve duhet të kryhet çdo ditë dhe në disa raste duhet të merren mostra të ushqimeve dhe pijeve. Në rast se specialistët vënë re se ushqimet e ofruara nga një subjekt nuk plotësojnë standardet, atëherë ata marrin mostra të ushqimeve dhe kryejnë ekzaminimet laboratorike. Në rast se ato rezultojnë jashtë parametrave të përdorimit ndaj subjektit merren masa nga gjoba deri në mbyllje të aktivitetit. Problemet në zonën e bregdetit ku numri i turistëve është i lartë, janë të mëdha. Hotelet dhe restorantet në Durrës, kanë probleme me furnizimin e ujit të pijshëm dhe pushuesit ankohen vazhdimisht, pasi nuk kanë mundësi ku të lahen. Ndërkohë që ujërat e zeza derdhen në bregdet. Ky fenomen i përvitshëm bëhet i rrezikshëm për jetën e qytetarëve që kanë zgjedhur për pushimet e tyre verore këtë bregdet. Pavarësisht se kush e ka fajin, problemi qëndron se hotelet dhe restorantet nuk mund të sigurojnë ujë 24 orë. Ndërsa, dihet se në këtë situatë do të ketë mungesë të kushteve higjienike.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›