Patozi: Rama mashtroi,s’ka fakte për manipulime
Partia Demokratike reagoi dje ndaj akuzave të PS-së për manipulimin e zgjedhjeve. Nënkryetari, Astrit Patozi publikoi një letërkëmbim të kreut të PS-së, Edi Rama, me kreun e KQZ-së, Arben Ristani, për t’i vënë në dispozicion kasetat filmike për numërimin në qarkun e Beratit. “Berati dhe shpërndarja e mandateve në këtë qark ka qenë karta më e fortë e Edi Ramës, më shumë se 3 javë rresht për të hedhur baltë mbi zgjedhjet. Por cila është e vërteta e madhe e Beratit? Komunikimi zyrtar i KQZ me PS për këtë çështje e nxjerr të zbuluar Edi Ramën dhe e zhvlerëson tërësish fushatën e tij agresive për të cënuar integritetin e procesit zgjedhor”, tha Patozi. Sipas tij “duke dashur të gjejë gjilpërën në kashtë, PS i ka kërkuar KQZ që t’i vendosë në dispozicion kasetat filmike të Beratit dhe ky i fundit i është përgjigjur me shumë korrektesë. Pasi ka marrë disa prej tyre deri në datë 10 korrik dhe nuk ka gjetur asnjë fije ku të kapet, pasi gjithçka ka qenë konform ligjit, Edi Rama ka hequr dorë dhe nuk i ka dërguar më njerëzit e tij për të tërhequr kasetat e tjera”.