E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkursi, Arkitektura, 4500 lekë, një vend në Pallatin e Kongreseve



Jonida Tashi

Maturantët që kanë vendosur të konkurrojnë në degën e Arkitekturës përveç përgatitjes profesionale për konkursin, duhet të merren pak edhe me xhepat e tyre. Një karrige në Pallatin e Kongreseve, i cili është menduar si vendi ku do të zhvillohet konkursi specifik i pranimit, do t’i kushtojë 4500 lekë të reja çdo pjesëmarrësi. Kjo, sepse sipas burimeve nga Universiteti Politeknik, do të jenë tri seanca që do të përfaqësojnë konkursin. Pra, çdonjëra prej tyre do të ketë vlerë financiare nga 1500 lekë të reja. Universiteti Politeknik ka vendosur që konkursi i pranimit të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 të muajit gusht. Konkursi parashikon tri rubrika, që janë: vizatim në natyrë, vizatim teknik dhe njëkohësisht dhe kompozim që janë specifika dhe të degës së Arkitekturës dhe në total janë 65 pikë.
Rezultatet
Menjëherë pas përfundimit të konkursit, një grup i posaçëm pedagogësh nga Politekniku, i ngritur në kuadrin e një komisioni vlerësues, do të bëjnë vlerësimin e punimeve të paraqitura nga maturantët. Ky proces do të zhvillohet duke filluar që nga dita e nesërme e përfundimit të konkursit dhe pritet të mbyllet brenda pak ditësh. Drejtuesit e Politeknikut bëjnë të ditur se pas nxjerrjes së rezultateve të konkursit, këto të fundit do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit, për t’iu nënshtruar procesit të llogaritjes së pikëve për në universitet. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, raporti i rezultateve të Maturës me konkursin do të jetë në masën 35 për qind me 65 për qind, ku peshën kryesore do ta ketë konkursi i universitetit. Fakti që provimet e Maturës do të kenë më pak se 50 për qind të peshës në vlerësim nuk do të thotë se maturantët duhet ta anashkalojnë atë, përkundrazi.
Shanset
Nisur nga fakti se të fitosh degën e Arkitekturës është shumë e vështirë për shkak të konkurrencës së lartë, një pikë e vetme mund t’ua ndryshojë rezultatin kandidatëve. Madje jo vetëm kaq, por disa prej provimeve të Maturës do të kenë një ndikim më vete në përllogaritjen e pikëve, prej ku përcaktohen edhe fituesit. Kështu, sipas përllogaritjeve të bëra nga specialistët e Arsimit, maturantët që konkurrojnë në Arkitekturë duhet të japin si provim lëndët me zgjedhje që kanë koeficientin më të lartë, në mënyrë që të kenë më shumë shanse për të fituar. Bëhet fjalë për lëndët natyrore si: Matematikë, Fizikë dhe Kimi si dhe për gjuhën e huaj të Anglishtes. Për maturantët që kanë kryer shkollën e mesme në gjimnaz me profil të përgjithshëm apo ekonomik, shanset për të fituar janë akoma më të mëdha.
Këtë vit, në konkursin e pranimit për degën e Arkitekturës janë regjistruar plot 500 kandidatë, ndërkohë që vetëm 100 prej tyre do të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në këtë degë shumë të preferuar prej të rinjve. Aktualisht, të gjithë kandidatët për studentë në Arkitekturë kanë nisur kurset private për tu përgatitur sa më mirë për në konkurs.

Seancat e konkursit në tri ditë
Testimi special i maturantëve që do të konkurrojnë për të vijuar studimet e larta në Arkitekturë do të ndahet në tri ditë. Përveç dijeve esenciale të marra në shkollën e mesme do të kryhet edhe një testim suplementar, që konsiston në punën individuale të vizatimit teknik, apo objekteve në natyrë.
Dita e parë
Në ditën e parë të konkursit kandidatëve do t’i kërkohet vizatimi i një objekti arkitektonik. Ai parashikohet të zgjasë rreth 4 orë, ndërsa vlerësimi maksimal është sa 25 për qind e vlerësimit total.
Dita e dytë
Në ditën e dytë, kandidatët do të testohen mbi njohuritë në vizatimin teknik, konkursi do të zgjasë po 4 orë. Vlerësimi do të ketë 20 për qind peshë në vlerësimin total.
Dita e tretë
Gjatë ditës së tretë dhe të fundit, kandidatët për arkitektë do të testohen mbi njohuritë e tyre në kompozimin arkitektonik. Vlerësimi maksimal për të përfshin 20 për qind të vlerësimit total.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›