Gripi i derrit, rendohet situata virusi po shfaqet nëpër shkolla
Emanuela Sako
Virusi A/H1N1 tashmë është bërë prezent edhe në shkollat 9-vjeçare në kryeqytet dhe në rrethe. Në hartën e shkollave të prekura nga virusi janë përfshirë dy shkolla, njëra në kryeqytet dhe tjetra në rrethin Mat, ku janë marrë mostra për 9 nxënës të dyshuar me virusin pandemik. Situata duket se është tepër alarmante, pasi përhapja e virusit ndodh për një kohë të shkurtër, për më tepër në ambiente publike si shkollat. Sipas drejtuesve të shëndetësisë rastet janë izoluar dhe po konfirmohen në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkohë që specialistët nuk përjashtojnë edhe marrjen e masave, si mbylljen e ndonjë klase në këto shkolla, për shkak të virusit A/H1N1.
Rastet
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se ende nuk mund të flitet për masa të tilla, si pezullimi i mësimit në shkolla, por ato do të jenën nën monitorim të vazhdueshëm të specialistëve. Drejtori I ISHP-së, Alban Ylli është shprehur se rastet në fjalë, janë shfaqur në formë grumbullimi. “Dje janë izoluar 9 raste të reja në Shqipëri. Kemi fakte që virusi po qarkullon në formë grumbullimesh edhe në disa shkolla të vendit, në Tiranë dhe në Mat”,- Alban Ylli. Drejtori i ISHP thotë se situata epidemiologjike në vend shënon dhe raste në rritje të gripit të zakonshëm. Ai shprehet se jemi larg epidemisë, por të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip e cila është në treg. Vaksina e gripit sezonal është mjeti më i mirë, më kost-efektiv dhe më efikas për të parandaluar gripin sezonal. OBSH-ja këshillon me forcë përdorimin e saj për një sërë grupesh që konsiderohen në risk, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, të moshuarit apo dhe personat mbi 55 vjeç si dhe një grup personash që kujdesen për personat me risk të lartë siç mund të jenë mjekët ose prindërit e fëmijëve të vegjël.
Numri
Aktualisht numri i të prekurve ka shënuar një rritje të dukshme ditët e fundit. Sipas të dhënave të publikuara nga ISHP-ja janë konfirmuar edhe 10 raste të reja me gripin e derrit. Aktualisht numri i të prekurve shkon në 54 persona. Ndërkohë që dyshohet të ketë edhe persona të tjerë me simptomat e virusit. Prandaj specialistët kanë bërë thirrje që qytetarët të drejtohen menjëherë në spital për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Aktualisht numri i mostrave të mbledhura nga ISHP-ja ka shkuar në 1040, të cilat po shtohen çdo ditë e më tepër. Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që spitalet të rrisin masën e kontrolleve dhe të mos neglizhojnë asnjë rast të dyshuar, pasi ai mund të bëhet objekt për përhapje më të shpejtë të virusit në komunitet.
Veç rritjes së vigjilencës brenda sistemit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm me Ministritë e tjera me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në mjediset e shkollave, vendet e punës, mjetet e transportit publik, repartet ushtarake, dhe institucionet sociale e kulturore.
Gripi sezonal, specialistët pranojnë se jemi në prag epidemie
Specialistët e shëndetësisë pranojnë se vendi ynë është në prag epidemie përsa i përket përhapjes së virusit të gripit. Ata bëjnë të ditur se janë rreth 11 mijë persona në gjithë vendin janë prekur nga gripi vetëm gjatë javës së shkuar. Kjo shifër është konsideruar tepër e lartë për numër popullsie, çka krijon panik për zhvillimin e mëtejshëm të situatës. Specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit AH1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar rrezikshmërinë dhe numrin e personave të prekur. Shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët e shëndetësisë këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflunë në të gjitha rastet e kërkuara. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal. Ndërkohë që një ndihmë e madhe për qytetarët duket se do të jetë dhe kryerja e analizave në një kohë rekord, në laboratorin e ri të ISHP-së që u përurua tre ditë më parë. Tashmë nuk do të ketë më pritje të gjata dy apo tre- javore nga Rumani, por përgjigjet do të dalin brenda ditës. Në kushte normale, laboratori mund të analizojë 21 mostra në ditë, ndërsa në rastet e emergjencës mund të kryhen 100 analiza. Personat që do të marrin vaksinën kundër gripit të derrit janë të gjithë ata që bëjnë pjesë në kategoritë emergjente. Në këto kategori bëjnë pjesë gratë shtatzëna, invalidët, personeli shëndetësor që ka kontakt me të sëmurët etj.
12 Nentor 2009