E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muri i kontradiktave dhe ndryshimeve historike



Nga Gjon KEKA
Që nga viti 1949 çështja gjermane kishte ndryshuar në thelb, sidomos në një pikë kyçe nuk ishte më ajo që do të duhej të ishte një Gjermani e tërë, por kjo u nda në dy pjesë. Kjo ndodhi si rezultat i sistemeve të kundërta politike që kishin sjellë proceset e pasluftës së Dytë Botërore. Të dyja këto sisteme të kundërta politike dhe ideologjike ishin të shtyra edhe nga disa rrethana të asaj kohe kur dihej se strukturat e pushteteve globale ishin nën ndikimet e dy poleve të kundërta ndërmjet SHBA dhe BRSS. Pastaj ishin pikërisht edhe disa procese dhe momente historike tepër interesante si koha e Koncertit të Europës, pastaj vënia e “Perdes së hekurt“, e cila simbolizonte ndarjen e botës në dy blloqe, lindore-komuniste dhe perëndimore-demokratike.
Kjo, para së gjithash u bë më e dukshme në kohën kur kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, nga bllokada sovjetike e vitit 1949, do ta lidhte emrin e Berlinit si qyteti që do të bëhej muri apo vija ndarëse midis fuqive botërore. Siç mësojmë në atë kohë, sidomos midis viteve 1949 dhe 1961, më shumë se 1.6 milionë njerëz u larguan nga pjesa lindore për në pjesën tjetër perëndimore. Kjo lëvizje tregon një humbje të madhe për vetë gjermanët, por njëkohësisht edhe për tërë botën demokratike, sepse fati i botës demokratike tanimë ishte i lidhur në thelbin e këtij problemi që buronte nga paslufta e Dytë Botërore dhe gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Kështu që më 13 gushtin e vitit 1961, zyrtarisht si dhe praktikisht proceset morën kahun e ngrirjes dhe të ndarjeve të dhimbshme në mes dy botëve, por të një vendi të vetëm, pra gjembat dhe llogoret që u vendosën në qytetin e Berlinit paralajmëronin ndarjen e asaj që ishte paralajmëruar që në fillim, pra ndarjes së botës dhe fillimit të ngrirjes së proceseve Lindje-Perëndim gjer nëntorin e vitit 1989. Sidoqoftë, ishin disa shkaqe që e çuan botën në një ndarje të thellë dhe të betonizuar, këto diferenca të mëdha dhe të pakapërcyeshme ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit i përshkruan edhe vetë Gorbaçovi gjatë një vizite të tij në SHBA, të zhvilluar gjatë vitit 1987, i cili nënvizon se “ne e kuptojmë tanimë se jemi ndarë në mënyrë shumë të thellë, si në rrafshin historik, ideologjik, ekonomik, social dhe kulturor…“. Megjithëkëtë, është e qarte sidomos duke u mbështetur në përvojën historike ndërmjet dy blloqeve gjatë kësaj periudhe ngrirjesh dhe betonizimesh në mes botës demokratike dhe asaj komuniste se ata vërtet kanë pasur konfrontime ideologjike të shpeshta dhe se valët e tensioneve ndërmjet këtyre dy botëve ideologjike herë mbahej në tension e herë në relaksim. Mirëpo skepticizmi që ishte mbledhur nga ana e botës demokratike në lidhje me mosndryshimin e botës tjetër ideologjike ishte i bazuar në mosndryshimin e substancës së sistemit ideologjik të BRSS apo botës komuniste, sepse ky hezitim dhe shqetësim mbante edhe disa arsye, siç deklaronte ne një fjalim të tij sekretari i SHBA-ve në vitet e ‘80 James Backer: “Me gjithë hezitimet dhe skepticizmin ekzistojnë edhe disa nga arsyet që na bëjnë të kemi shpresë. Por në lidhje me realizimin e kësaj çështjeje neve duhet të jemi tepër të matur. Gjykimi është ende i padefinuar nëse procesi i reformave (të BRSS) do të ketë sukses… nëse ka arsye të shumta që të shohim drejt së ardhmes, do të ishte gabim serioz të konkludojmë se progresi i reformave në vazhdim është i siguruar…“. Kjo periudhë dyzetvjeçare e durimit, dyshimeve e ngrirjes dhe diferencave të mëdha në mes të dy botëve ideologjike po vinte dalëngadalë drejt ekuilibrimit, procesit të çlirimit nga pengesat e mëdha ideologjike dhe fillimi i ndryshimeve të thella historike. Pak para shembjes së këtij simboli ndarës, në një fjalim të mbajtur pranë Murit të Berlinit në vitin 1987, presidenti i 40-të i SHBA-vë, Ronald Regan, shprehej: “Zoti Gorbaçov, hapeni këtë portë! Zoti Gorbaçov, shkuleni këtë mur!...“.
Në kuadër të kësaj duhet nënvizuar se pikërisht presidenti Ronald Regan mbahet mend për udhëheqjen e SHBA-ve gjatë një kohë të tranzicionit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, pastaj abdikimit të BRSS-së, rënies së Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë. Po ashtu, gjatë këtyre proceseve të tranzicionit ndërkombëtar, Paul H. Nitze, i cili ishte edhe ideatori dhe projektuesi i planit në kohën e administratës së presidentit Harry S. Truman për konceptin ushtarak lidhur me përmbajtjen e BRSS (Traktatit të Varshavës) dhe që solli në mënyrë të natyrshme edhe themelimin e organizatës së sigurisë ndërkombëtare, pra NATO, si dhe të planit “Marshall”, situatën në Europë e përshkruante si vijon: “Kemi ardhur në majë të situatës. Situata në Europë po ecën në rrugën tonë dhe detyra jonë është thjesht që të ndihmojmë këtë evolucion. Ngjarjet po ecin në rrugë të drejtë, por që tani nuk mund t’u shihen rezultatet. Ne e dimë që gjërat po ndodhin ndryshe, por akoma nuk e dimë se si do jetë më tutje… por që ne na duhet të jemi gati për çdo të papritur që mund të ndodhë apo të vij녓.
Ndërkaq, gjatë këtyre proceseve që po kalonte bota, Shqipëria, e cila ishte pjesë e paktit të Varshavës, por që nuk ishte pjesë aktive e këtyre lëvizjeve tranzitive që po ndodhnin në botë ngaqë ajo jetonte me moton “As me Lindjen, as me Perëndimin“. Gjithashtu, në këtë kohë, Diplomacia shqiptare gjendje në një periudhë tepër të vështirë dhe kritike, duke filluar që nga prishja e marrëdhënieve të saj me BRSS-në, pastaj më vonë edhe me Kinën, ngrirja e marrëdhënieve me vendet fqinje, dilema e daljes apo mosdaljes nga Traktati i Varshavës, dalja nga pakti i Varshavës, hezitimi për të krijuar marrëdhënie ekonomike, kulturore, duke vështirësuar kështu tej mase dhe aspektin e saj gjeopolitik dhe gjeostrategjik. E gjithë kjo mbyllje në vetvete e Shqipërisë bëri që ajo të krijojë një armiqësi në rrafshin gjeopolitik dhe në rrafshinë e diplomacisë, duke shkuar kështu drejt vetizolimit të thellë. Kjo zaten e çoi Shqipërinë në një mjerim të thellë, duke prekur të gjitha sferat e jetës së vendit. Ishte pikërisht kjo periudhë kur Shqipëria e humbi imazhin e saj përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe u zhyt në një kolaps të thellë. Në këtë kohe, kur bota po kalonte këtë tranzicion të jashtëzakonshëm, po të vepronte Shqipëria me mençuri, do të mund të bëhej pjesë e këtij evolucioni dhe kësaj epoke të re të historisë së botës, por ajo mbeti e tillë deri në tranzicionin e dytë të postkomunizmit. Mirëpo tani ekziston një shpresë se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, edhe pse me vonesë, do të bëhen pjesë e proceseve të integrimit në strukturat e Bashkimit Europian.
Dhe krejt në fund, duke mos shkuar më tutje rreth këtyre proceseve të kaluara historike si tejet të vështira dhe në tensione në mes të këtyre botëve ideologjike, por ajo që është tepër e rëndësishme dhe historike se 9 nëntori i vitit 1989 shënoi fundin e përplasjeve të këtyre dy botëve, fundi i ndarjeve të dhimbshme, çlirimi i proceseve të ngrira dhe fillimi i një epoke të re të historisë në botë. Kështu që shembja e Murit të Berlinit (Muri i ndarjes ideologjike) para 20 viteve tregon një arritje të madhe dhe një kurorëzim të përpjekjeve të përbashkëta të botës demokratike për paqe, stabilitet dhe prosperitet. Muri i Berlinit ishte një shenjë e kontradiktave të mëdha në botë, por që tani është bërë një simbol i ndryshimeve radikale dhe që preku edhe shumicën e njerëzimit, edhe pse rruga ishte e gjatë dhe e dhimbshme deri te ky moment i rëndesishëm historik.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›