Greva e studentëve, 300 të rinj uzurpojne universitetin
Jonida Tashi
Në ditën e tetë të grevës së urisë, mbi 300 studentë të Bujqësorit i kanë bërë “shtetrrethim” universitetit. Të revoltuar nga moszgjidhja e kërkesës së tyre, për vijimin e Diplomës së Nivelit të Dytë (DND), studentët e diplomuar në Fakultetin e Ekonomi-Agrobiznesit pranë Bujqësorit, bllokuan dje që në orën 8 të mëngjesit hyrjen e universitetit. Duke formuar një gardh të madh, studentët protestues, të mbështetur edhe nga të rinj të tjerë të Universitetit Bujqësor nuk kanë lejuar që studentë apo pedagogë të hyjnë në këtë institucion për të nisur normalisht procesin mësimor. Ashtu edhe siç kishin paralajmëruar, studentët e Agrobiznesit kanë bojkotuar mësimin në Universitetin Bujqësor dhe kërkojnë të jepet sa më parë një përgjigje mbi kërkesat e tyre. Protesta e studentëve që kërkojnë Diplomën e Nivelit të Dytë, pavarësisht mesatares përkrahet dhe nga prindërit e të rinjve, të cilët janë vendosur në ambientet e Universitetit Bujqësor. Ndërkohë që gjendja e 15 shokëve të tyre, të futur në grevë urie sa vjen e rëndohet. Në ditën e tetë të grevës së urisë, një nga studentët grevistë është shtruar me shpejtësi në spital në gjendje të fikti.
Padia
Krejt ndryshe nga gatishmëria për të zgjidhur kërkesën e studentëve, ka qenë reagimi i dekanit të Fakultetit Ekonomi-Agrobiznes, Bahri Musabelliu, i cili ka bërë një kallëzim penal ndaj studentëve grevistë, për uzurpim të institucionit arsimor. Bahri Musabelliu në një prononcim për mediat e cilësoi situatën si absurde dhe abuzive zaptimin e ambienteve të fakultetit nga studentët. “Në këtë godinë ndodhen të depozituara e gjithë arshiva e universitetit, sekretaria mësimore, zyra e studimit dhe nëse është pezulluar mësimi këtu, realisht është pezulluar dhe në fakultetet e tjera”,- tha Musabelliu. Më tej, ai theksoi se është kategorikisht i vendosur që vetëm studentët me kritere e standarde duhet të jenë pjesë e Diplomës së Nivelit të Dytë. Ndërsa përsa i përket komentimit të grevës dhe protestave të vazhdueshme të studentëve, dekani i Fakultetit ka pohuar: “Unë i bëj thirrje publikut se do më vinte shumë keq që nëse ka ndonjë prapavijë që mund të gjykojë e vlerësojë, e të realizojë në Universitetin Bujqësor të bëjë një katrahurë si 1997, kjo do të ishte fatkeqësi. Në këtë kontekst të negociojmë me rektoratin e dekanatin”. Sipas tij, për studentët protestues, është marrë një vendim alternativ, që të hyjnë në Masterin e Nivelit të Parë, por edhe në këtë program studimit kandidatët do të pranohen sërish duke respektuar kriterin e mesatares. Sakaq, të njëjtin qëndrim me Musabelliun ka mbajtur dje edhe kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgan Kaçani. Sipas këtij të fundit, studentët duhet të respektojnë vendimet e marra nga fakulteti dhe Universiteti bujqësor dhe të vijojnë Masterin e Nivelit të Parë, për të kaluar më pas te Diploma e Nivelit të Dytë. Por, megjithë amullinë e krijuar dje në Universitetin Bujqësor dhe gjendjen e rënduar shëndetësore të studentëve grevistë, që dëshira për t’u shkolluar duket se po u kushton shtrenjtë, sërish Ministria e Arsimit nuk ka marrë asnjë vendim për zgjidhjen e situatës, duke lënë në kështu fuqi deklaratën e fillimit, që kuotat e pranimit propozohen nga universiteti.
Studentët
“Nuk do të heqim dorë pavarësisht presioneve. Protesta do përshkallëzohet nëse nuk marrim përgjigje pozitive nga Kryeministri e ministri i Arsimit”. Kështu kanë deklaruar sërish dje studentët protestues, të cilët në këtë mënyrë kanë rikonfirmuar edhe njëherë vendimin e tyre për ta çuar deri në fund grevën e urisë dhe protestat e nisura. Madje jo vetëm kaq, por ditën e djeshme, studentët kanë paralajmëruar se nëse nuk do t’u jepet e drejta për studim, atëherë ata do të hyjnë të gjithë në grevë urie në korridoret e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Mbrëmjen e e së martës, studentët janë përplasur edhe me forcat e policinë, të cilët kanë tentuar t’i nxjerrin jashtë ata. Studentët ishin mbledhur para ambientit ku ishin ngujuar shokët e tyre, për një transmetim direkt në një televizion, por forcat policore kanë tentuar t’i shpërndanin studentët, të cilët pas ngjarjes deklaruan se janë dhunuar psikologjikisht nga forcat e rendit. Studentët e grevës së urisë nuk kanë mesataren e kërkuar nga fakulteti, e cila duhet të jetë mbi 7, ndërkohë që në bazë të sistemit të Bolonjës, ata kanë plotësuar kuotën e 180 krediteve për të ndjekur ciklin dyvjeçar. Por, këta studentë nuk i pengon vetëm mesatarja e ulët, por edhe kuotat e pakta që janë dhënë për ciklin e dytë të studimeve.
Reagon Partia Socialiste: “Greva e studentëve, turpi i Sali Berishës”
Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shmaku ka reaguar dje, për grevën e studentëve në Kamzë, duke i bërë apel Sali Berishës të mos heshtë. “Në Universitetin Bujqësor sot gjendja është e rëndë. Sepse janë në gjendje shumë të rëndë disa vajza e djem që nuk quhen as Argita e as Shkëlzen. Që nuk kanë baba Sali Berishën dhe nuk janë fëmijë të oborrit të tij familjar”,- ka pohuar Shamku. Por kjo, deputetes së PS-së, nuk është kurrsesi një arsye që ata të dergjen, të sëmuren apo mos e dhëntë zoti të vdesin në një greve urie që është turpi i këtij pushteti dhe personalisht i Sali Berishës. “Sot, Sali Berisha duhet të hapë gojën e t’u thotë atyre djemve e vajzave çfarë do të bëjë për të trajtuar logjikshëm shqetësimin e tyre, përpara se të jetë vonë. Sot, Sali Berisha duhet madje të kërkojë falje pse i la gjërat të vijnë deri këtu, përpara se të jetë vonë”, -ka deklaruar Shamku.
Peticioni
Studentët kërkojnë shkarkimin e rektorit, asnjë reagim nga Tafaj
Peticionit të studentëve të Bujqësorit për shkarkimin e rektorit të Universitetit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, nuk i ka dhënë ende një përgjigje. Ditën e hënë të kësaj jave, studentët e Agrobiznesit kanë firmosur një peticion për shkarkimin e rektorit të Bujqësorit, Fatos Harizaj. Në të njëjtin qëndrim me studentët ka dalë edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ZMK). Kjo e fundit ka deklaruar se në rast të mosplotësimit të kërkesave të ligjshme të studentëve nga ana e rektorit, ajo do t’i paraqesë ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj kërkesën për shkarkimin e rektorit, pasi ka shkelur ligjin dhe dëmtuar në mënyrë të qëllimshme studentët. Lidhur me një fakt të tillë, zyra e ZMK-së ka sqaruar se kërkesa për shkarkimin e rektorit të Bujqësorit, mbështetet në bazë të Ligjit 9741 të datës 21.5.2007, “Për Arsimin e Lartë”, i ndryshuar me Ligjin 9832 të datës 12.11.2007, neni 64”. Sakaq, bazuar në përcaktimet e mësipërme, ministrit të Arsimit, i duhet vetëm të marrë në dorë zgjidhjen e situatës, pasi vendimin për shkarkimin e rektorit atij ja lejohen vetë Ligji i Arsimit të Lartë.
12 Nentor 2009