E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, akuza për fushën e aviacionit:”Ministri Basha nuk mban premtimin”



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka lëshuar akuza të ashpra në distancë ndaj qeverisë Berisha dhe ish- ministrit të Punëve Publike, Lulëzim Bashës dhe ministrit aktual, Sokol Olldashit, gjatë inspektimit të punimeve për rikualifikimin urban në parkun tek ish- pista e aviacionit. Rama u shpreh se pazaret familjare të kryeministrit po mbajnë peng familjet shqiptare. Ndërkohë që kujtoi se ky projekt u premtua nga ministri Basha, kur kërkonte votën për deputet dhe u harrua për shkak të projektit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Sipas Ramës, gjithçka është bërë në një kohë kur projekti i Bashkisë së Tiranës u mbajt peng në këshillin bashkiak. “Premtimi ynë u pengua për më shumë se një vit për shkak të përgatitjeve të dasmës së halldupit Berisha me nusen Ilir”,- deklaroi Rama. Sipas planit të paraqitur në KRRT, kjo zonë është parashikuar të ketë një bulevard të gjelbër në hartën e Tiranës me gjatësi një kilometër, e cila është një kërkesë e qytetarëve gjatë dëgjesave publike. Ish - Fusha e Aviacionit do të kthehet në një park që do t’u shërbejë banorëve të lagjeve përreth. Ish-Fusha e Aviacionit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, nga një zonë pa ndërtime, gropa, plehra dhe tym, do të kthehet në një park me pemë, gjelbërim, kënde lojërash etj. Kjo zonë do të kthehet në një park që sjell një sasi të konsiderueshme metrash katrorë gjelbërim në kryeqytet dhe që do të përmbajë një sërë hapësirash për të gjitha moshat dhe një sërë karakteristikash të reja që nuk i ka aktualisht. Pjesë e këtij projekti do të jenë kënde lojërash, mbjellja e disa pemëve dekorative, ambiente çlodhëse për të moshuarit etj. Sipas projektit, do të ndërtohen fushat e lojërave me dorë, pistat e vrapimit, këndet e lojërave për fëmijët. Njëkohësisht do të ketë dhe hapësira për kalimin e këmbësorëve me rrugica apo trotuare. Kryeqytetit do t’i shtohet 1 kilometër vijë e gjelbër, e cila do të marrë pamjet tipike të një bulevardi të madh.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›