Ministria e Punës, kategoritë që do të përfitojnë nga fondi i këtij viti
Emanuela Sako
Skema e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë pritet të pësojë rritje për vitin 2010. Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Spiro Ksera deklaroi se buxheti për vitin 2010 ka pësuar një rritje krahasuar me një vit më parë. Ai shkon në 18.6 miliardë lekë, nga 16.5 miliardë në vitin 2009. Kjo rritje e buxhetit sipas ministrit Ksera do të shkojë për programe të reja që mbështesin grupet në nevojë. Një ndër to është ulja e nivelit të papunësisë dhe shtimi i personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, ku është parashikuar që të shmangen në maksimum rastet abuzive.
“Objektivat tona për vitin 2010 janë realizimi i 13 mijë ndërmjetësimeve për punë ose formimit profesional për 7500 persona, vetëm në qendrat publike. Duke marrë parasysh edhe politikat e qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturë, energjetikë, bujqësi, turizëm si dhe përshkallëzimin e masave për lehtësimin e biznesit jemi të bindur se vitin e ardhshëm rritja e punësimit do të jetë reale, po ashtu dhe ulja e papunësisë”,- deklaroi Ministri Ksera.
Buxheti
Llogaritja e buxhetit të ri është mbështetur në uljen e rasteve abuzive në skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesave të personave me aftësi të kufizuar, si dhe forcimin e kritereve për vlerësimin me aftësi të kufizuar. Ministria e Punës është duke përgatitur një projektligj për ndryshime në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Projektligji parashikon ndryshime në skemën e ndihmës ekonomike, ku parashikohet zgjerimi i kategorive të përfituesve. Kjo, pasi në praktikë është vënë re se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë. Këto kategori, do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së prindërve, ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune. Njëkohësisht parashikohen të përfshihen familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur kryefamiljar është një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Ky projektligj përcakton gruan si kryefamiljare në rastet kur ka praktika divorci për të tërhequr pagesën e Ndihmës Ekonomike.
Rastet
Nga këto ndryshime parashikohet që të përfitojnë mbështetje për herë të parë edhe rreth 800 persona jetim, rreth 400 persona viktima të trafikut, 500 gra në rastet e praktikave të divorcit.
Si masë për të shmangur informalitetin dhe abuzivizmin, është parashikuar shpërndarja e Ndihmës Ekonomike nëpërmjet sistemit bankar. Si rezultat i decentralizimit dhe transferimit të institucioneve rezidenciale të përkujdesit në vartësi të qeverisjes vendore është evidentuar një fenomen i ri që lidhet me nevojën e ngritjes së shërbimeve rezidenciale kombëtare për disa grupe specifike. Për këtë, Shërbimi Social Shtetëror, do të administrojë shërbime shoqërore për kategoritë në nevojë në nivel kombëtar me qëllim mbulimin e nevojave edhe të individëve nga njësi vendore ende të pambuluara me shërbime. Përcaktimi i ri se “Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme e kushtëzuar”, do të krijojë mundësinë që ajo të kushtëzohet jo vetëm me punë në komunitet, por edhe me ndjekjen e arsimit të detyruar nga fëmijët, pagesën e energjisë elektrike, etj. Në këtë mënyrë, do të krijohet mundësia për të administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, duke përcaktuar kohëzgjatjen e familjeve në skeme etj.
Buxheti 2010 është mbështetur në:
Uljen e rasteve abuzive në skemën e ndihmës ekonomike dhe të pagesave të aftësisë së kufizuar
Forcimin e kritereve për vlerësimin e aftësisë së kufizuar
Garantimin e përfshirjes dhe mosdiskriminimin e individëve dhe familjeve në nevojë dhe përfshirjen në skemë
Mbështetje për familjet në varfëri ekstereme
Fondet e akorduara sipas programeve do të jenë:
Pagesa e Personave me Aftësi të Kufizuar do të jetë në masën 11.442 miliard lekë, nga 9.2 në vitin 2009, ose 24% më shumë
Ndihma Ekonomike të jetë në masën 5.2 miliard lekë, nga 4.2 në vitin 2009 ose 24% më shumë
Fuqizimi i tregut, ndarja e buxhetit
Fuqizimi i tregut të punës dhe rritja e punësimit do te jenë prioritete për vitin 2010. Sipas Ministrit të Punës, tregues i saj është edhe buxheti i akorduar për tregun e punës, i cili kap shifrën e 319 milionë lekëve, ose 30% më shumë se buxheti i akorduar për vitin 2009. Objektivat e Ministrisë së Punës për vitin 2010, janë realizmi i 13 mijë ndërmjetësimeve për punë dhe ofrimi i formimit profesional për 7 500 persona vetëm në qendrat publike. Ministri shprehet se duke marrë parasysh edhe politikat e Qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturë, bujqësi, energjetikë, turizëm si dhe përshkallëzimin e masave për lehtësimin e biznesit, Ministria parashikon që vitin e ardhshëm rritja e punësimit do të jetë reale, po ashtu edhe ulja e papunësisë.
Xibri: Mungon vullneti politik për zgjidhjen e statusit të minatorëve
Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri ka deklaruar se do të përshkallëzohen protestat e minatorëve deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. Pas protestave të herëpashershme që kanë bërë minatorët, Xibri theksoi se i kanë kërkuar qeverisë ngritjen e një grupi pune për të shqyrtuar kërkesat e tyre. Sipas tij deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim konkret nga qeveria duke theksuar se mungon vullneti politik. Ai shprehet se Sindikata e Minatorëve kërkojnë të drejtat e tyre dhe do t’i ndjekin ato në rrugë institucionale. “Ne kërkojmë të drejtën dhe jemi gati të këmbëngulim deri në fund duke i përgjigjur dhunës institucionale me dhunë morale”, - u shpreh Xibri.
Pensionistët kërkojnë rimbursimin e kartave të identitetit
Pensionistët kërkojnë rimbursimin e kartave të identitetit, siç u ishte premtuar nga qeveria. Sindikatat e Pensionistëve kërkon premtimet që u janë bërë nga qeveria për rimbursimin e kartave dhe për më tepër barna cilësore në listën e rimbursimeve. “Aprovimi i ligjit për moshën e tretë që përfshin një pension të 13 lëvizje në qytete falas si dhe rimbursimet mjekësore është një prej kërkesave emergjente të pensionistëve”,- u shpreh Isa Gorica, Kryetar i Sindikatës së Pensionistëve. Gorica u shpreh se sindikata e tyre kërkon edhe rimbursimin e 200 mijë pensionistëve për kartat e identitetit si dhe rishikimin e cilësisë së ilaçeve të astmës dhe të sëmundjeve të zemrës.
12 Nentor 2009