E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria dërgon në Gjykatë dosjen për vrasjen në Laprakë



TIRANË - Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për vrasjen e ndodhur në korrik të këtij viti në Laprakë. Burime pranë institucionit të akuzës pohuan dje për gazetën “Albania” se dosja ka dy të pandehur dhe ndaj tyre rëndojnë tri akuza. Nga ngjarja e ndodhur në mesin e muajit korrik mbeti i vrarë 23-vjeçari Evil Koço. Fillimisht për ngjarjen u përfol me motive aksidentale, por pas hetimeve rezultoi se gjithçka kishte ndodhur për motive të dobëta. Dosja tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës dhe ka kaluar procedurën e shortit elektronik. Gjyqtari Arben Micko, bashkë me dy gjyqtarë të tjerë të Dhomës Penale, do ta shqyrtojnë këtë dosje në ditët në vazhdim. Ngjarja e ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet, sipas policisë, ka si autor Donald Pregapucën dhe Arben Bashën. Dy ditë pas ngjarjes, Arben Basha vendosi të dorëzohej në polici duke rrëfyer vendin ku kishin fshehur armën e krimit dhe detaje mbi ngjarjen. Vetëm dy ditë më parë policia e kishte shpallur në kërkim Bashën, pasi akuzohet se ka fshehur armën e krimit me të cilën është vrarë 23-vjeçari Edvil Koço në Laprakë. Ditën e krimit, i arrestuari për këtë ngjarje, Pregapuca, nuk tregoi që në dyqan kishte qenë edhe shoku tjetër i tij, Arben Basha, i cili kishte marrë edhe armën e krimit. Por, nga hetimet e policisë, të gjitha këto kanë rënë poshtë. Ngjarja ka ndodhur në dyqanin me pjesë këmbimi “Auto Gëzimi”, që ndodhet te pallatet “Hauai” në Laprakë. Një nga dy shokët punonte në këtë dyqan prej disa kohësh për shitjen e pjesëve të këmbimit. Ndërsa tjetri vinte shpesh dhe i bënte shoqëri. Kështu ka ndodhur edhe ditën e ngjarjes, kur autori dhe viktima po pinin njëri me tjetrin, pasi Donald Prengapuca ishte në dyqanin e të atit.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›