Tre raste të reja në Maqedoni
Shënohen dhe tre të prekur të tjerë nga virusi AH1N1, në Maqedoni. Në këtë mënyrë numri i të infektuarve nga gripi i derrave shkon në 13. Lajmin e bëri të ditur dje Ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani. “Sot në mëngjes kemi konfirmuar edhe tre raste të reja pozitive të gripit H1N1. Është risi në këtë rast se për herë të parë kemi rast të infektuar, që ne e quajmë sekondar, që do të thotë nuk është drejtpërdrejt i importuar nga jashtë, por është pas kontaktit me ndonjë person të importuar, që do të thotë se kemi një përhapje të qëndrueshme tani”, tha Osmani. Ndërkaq në Greqi, numri i të prekurve i ka kapërcyer të 225 persona, ndërsa në Kroaci dhe Mal të Zi janë regjistruar tashmë 10 raste të infektuarish. Në Serbi virusi është përhapur në mënyrë më të shpejtë, duke arritur brenda shumë pak ditësh në 81 raste.