Divorci, Mula-Çako, avokati i sopranos kërkon shtyrjen e seancës
TIRANË - Vazhdon zvarritja e divorcit të çiftit Pirro Çako-Inva Mula. Këtë herë shkak është bërë kërkesa e avokatit mbrojtës të sopranos së njohur shqiptare, i cili ka dorëzuar pranë gjyqtares Elona Gjoka një kërkesë për shtyrjen e seancës, pasi në të njëjtën orë ai ndodhej në një tjetër proces gjyqësor dhe e kishte të pamundur të merrte pjesë. E ndodhur përpara këtij fakti, gjyqtarja ka vendosur të ndërpresë seancën dhe të caktojë një tjetër datë për zhvillimin e saj. Seancën e djeshme pritej të caktohej edhe kujdestaria e djalit, për të cilin është zhvilluar dhe një debat midis dy palëve. Lidhur më ketë çështje, Çako ka paraqitur një “plan”, me atë të të cilit bëhet e mundur kujdestaria sa më e mirë për djalin e tyre, por, nga ana e saj, Inva Mula, e cila ka kërkuar divorcin, nuk ka shprehur ende pëlqimin ose jo për kërkesën e depozituar nga ana e Çakos. Procesi i divorcit të çiftit të shumëpërfolur është duke u zvarritur prej gati 8 muajsh ku shkak janë bërë të dy personazhet e njohur të botës së artit. Me anë të kërkesave të herëpashershme për shtyrjen e seancave, e kanë tejzgjatur procesin gjyqësor, duke vënë në vështirësi dhe vetë gjykatën, e cila kërkon zgjidhjen sa më parë të kësaj çështjeje. Tashmë pritet që në seancën e radhës të vendoset përfundimisht kujdestaria e djalit të tyre, Antony, dhe të jepet vendimi përfundimtar për divorcin e njërit prej çifteve më të përfolur të kohëve të fundit.
Infarkti,i merr jetën të dënuarit, po luante futboll
PEQIN - Vdes duke luajtur futboll, nga një atak zemre, i dënuari Arben Ruku. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Burgun e Peqinit, ku Ruku ishte duke luajtur futboll me miqtë e tij. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, i dënuari Arben Ruku, 38 vjeç, nga Berati, ka ndërruar jetë gjatë shoqërimit për në Spitalin e rrethit të Elbasanit. Mësohet se i dënuari ka ndjerë shqetësime gjatë një loje futbolli në ambientet e ajrimit të burgut. Me gjithë ndihmën e parë mjekësore që iu ofrua nga mjeku i institucionit, 38-vjeçari nuk mundi të mbijetojë duke ndërruar jetë rrugës për në spital. Arben Ruku ishte dënuar me 5 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Banda Durrësit
I penduari i Drejtësisë u përgjigjet avokatëve
TIRANË - Ka vazhduar dhe ditën e djeshme procesi në ngarkim të bandës së Durrësit, ku është vijuar me marrjen në pyetje nga ana e avokatëve të të penduarit Adriatik Coli. Edhe pse seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se avokatët kanë vazhduar pyetjet e tyre. Ata janë munduar të saktësojnë disa pjesë të dëshmisë së dhënë pak kohë më parë nga ana e të penduarit, me anë të të cilave “fundoste” pjesëtarët e tjerë të bandës. Gjatë dëshmisë së tij që zgjati për disa seanca, ai tregoi episode të ndryshme të krimeve të kryera nga kjo bandë. Madje ai përmendi si bashkëpunëtorë të kësaj bande dhe një sërë emrash të njohur të botës së krimit. Dëshmia e Adriatik Colit u pengua për mëse dy vjet nga ana e të pandehurve, të cilët, me anë të avokatëve të tyre, arritën ta zvarrisnin këtë proces, por, më në fund, Gjykata e Krimeve të Rënda arriti të marrë dëshminë e shumëpritur të Colit. Pas përfundimit të rrëfimit, që zgjati disa seanca, avokatët e të pandehurve po i drejtojnë pyetje të penduarit të Drejtësisë, për të sqaruar rrethanat për detajet e veprave penale që jepen në dëshminë e Adriatik Colit.
22 Dhjetor 2009