Dëshmia: Ju rrëfej flakën që solli tragjedinë e Gërdecit
Nikolin Hazizaj dëshmon në Gjykatë për shkaqet e shpërthimit në Gërdec
Thimi Samarxhiu
TIRANË - “Pranë grumbullit me barut ishte një karrocë me një thes baruti sipër, që ishte duke u djegur”. Këto kanë qenë fjalët e dëshmitarit Nikolin Hazizaj ditën e djeshme përpara Gjykatës së Tiranës, në procesin në ngarkim të dosjes “Gërdeci”. Hazizaj deklaroi përpara trupit gjykues se në momentin e shpërthimit ai ka qenë duke u larguar, pasi kishte mbyllur punën dhe ishte duke marrë pushimin e drekës. “Ishte ora 11:55 dhe unë, bashkë me familjarët e mi, sapo kishim mbyllur punën dhe po bëheshim gati për të ngrënë drekën, kur në moment kam parë një flakë të madhe që ngrihej rreth 2 metra. Në krah të saj kam parë një karrocë, nga ato që përdornim për të transportuar barutin, mbi të cilën ishte një thes baruti duke u djegur”, – tha dëshmitari. Ai vazhdoi më tej duke deklaruar se në këtë moment ka thirrur: “Dilni përjashta se u dogjëm!”. Më pas ai ka marrë familjarët e tij dhe i ka nxjerrë nga fabrika, por i ati gjeti vdekjen, pasi nuk arriti të largohej në kohë. Lidhur me pyetjen e prokurorëve, se ku rregulloheshin karrocat e dëmtuara, dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte dijeni, por karrocat e dëmtuara vendoseshin prapa magazinës.
Pa kontrata dhe rregulla
Ajo që ra në sy gjatë seancës së djeshme ishte fakti se të gjithë dëshmitarët e pranishëm në sallë pohuan se nuk kishin firmosur asnjë kontratë pune dhe se nuk i kishin parë rregullat e sigurimit teknik. “Sapo fillonim punë vinte përgjegjësi, Vangjeli, i cili na jepte një letër të bardhë ku shkruanim emrin dhe hidhnin firmën, por se çfarë ishte kjo letër, ne nuk e mësuam kurrë”, - deklaruan të gjithë dëshmitarët. Ata u shprehën se në asnjë moment nuk kishin lexuar ose parë ndonjë rregullore të afishuar, por udhëzoheshin herë pas here nga Minxolli ose nga përgjegjësi lidhur me kujdesin që duhet të tregonin gjatë punës së tyre. Gjatë dëshmisë së tij, Lutfi Gërdeci u shpreh se nuk kishte dijeni lidhur me saldimin e karrocave dhe se nga kush kryheshin ato, por organi i akuzës e kundërshtoi dëshminë e tij duke lexuar përpara Gjykatës deklarimet që ky dëshmitar kishte dhënë para oficerëve të policisë. Në këto deklarime, të cilat u bënë dhe pjesë e fashikullit, Lutfi Gërdeci shprehej: “Karrocat e prishura grumbulloheshin dhe saldoheshin te shtëpia e Qemal Deluit, i cili i merrte me lejen e Dritan Minxollit ose Vangjelit për t’i salduar”. Më tej, në dëshminë e tij ai përshkroi momentin e shpërthimit. “Ishte ora 11:48 minuta dhe na u dha urdhri nga Dritan Minxolli dhe Vangjeli që të linim punët që kishim dhe të transportonim barutin për në fabrikë. Transportova 2-3 rrugë dhe kur isha duke shkarkuar rrugën e fundit, ndjeva një nxehtësi të madhe dhe pash te dera e fabrikës një flakë të madhe”, - deklaroi Gërdeci. Më tej ai shtoj se gruan e la në fabrikë, se nuk kishte zgjedhje tjetër dhe vrapoi për të shpëtuar, duke iu ngjitur kodrës dhe duke shkuar në shtëpi për të marrë fëmijët. Sipas tij, gjatë shpërthimit të dytë ai kishte fluturuar 30 metra në ajër. Pasi kishte mbërritur në Vorë, kishte marrë vesh se e shoqja ishte djegur rëndë dhe ishte transportuar për në spital. “Në orën 17:00 mbërrita në spitalin e Tiranës dhe e gjeta gruan të djegur në 33% të trupit. Ajo qëndroi rreth 2 muaj në spital në gjendje kome dhe më pas arriti të përmirësohej”, – mbylli dëshminë e tij Lutfi Gërdeci.
Detajet
Lidhur me saldimin e karrocave, dëshmitari Murat Zguri deklaroi përpara Gjykatës se ai i kishte dhënë mjetet e saldimit Qemal Deliut, pasi e kishte mik familje: “I kam dhënë Qamilit saldatriçen dhe gurin fresibël se i donte për punët e veta në shtëpi, por nuk e mora vesh se për çfarë konkretisht. Qemali kryente punë private me saldim, pasi ai ishte mjeshtër në këtë fushë”, – u shpreh Zguri. Menjëherë pas kësaj dëshmie reagoi dhe Dritan Minxolli, i cili u shpreh se gjatë gjithë kohës që qëndron në paraburgim, në asnjë rast nuk është pyetur për marrëdhëniet e tij me Qemal Deliun dhe saldimet që bënte për llogari të fabrikës. Ai shtoi gjithashtu se prokurorët asnjëherë nuk e kishin pyetur lidhur me versionin e tij se pse ndodhi ngjarja në Gërdec. Por kryesuesi i trupit gjykues, Ridvan Hado, i kujtoi të pandehurit se në bazë të ligjit ai mund të bëjë deklarime sa herë ta shohë të arsyeshme, të cilat më pas do të bëhen pjesë e fashikullit gjyqësor. Gjatë seancës së djeshme, të pranishëm në sallën e gjyqit ishin 7 dëshmitarë, të cilët theksuan edhe njëherë faktin se shpërthimi mund të ketë ardhur nga karroca e saposalduar dhe se gjatë gjithë punës së tyre nuk kishin parë asnjë rregullore të sigurimit teknik. Seanca e radhës është ditën e premte dhe vijon me dëshmitarë të tjerë. Në akuzë për tragjedinë e Gërdecit janë 29 persona.
22 Dhjetor 2009