Taksat e larta rrisin çmimet e ushqimeve në prag të festave të fundvitit
Ervin KOÇI
Taksat e larta doganore kanë rritur në javët e fundit çmimet e produkteve ushqimore të importit. Ndryshimet në taksat e akcizave dhe referencave doganore, kanë bërë që shumë produkte ushqimore që kanë hyrë këto kohë nga importi, të vijnë më shtrenjtë se zakonisht. Këtij shtrenjtimi i shtohen edhe spekulimet që bëjnë tregtarët e pakicës sidomos me frutat dhe perimet, të cilat rriten shumë në prag të festave të fundvitit. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë mbi çmimet javore të produkteve bujqësore tregojnë rritje nga java në javë për këto produkte. Në tregjet e shitjes me shumicë në vend, pjesa më e madhe e prodhimeve bujqësore të importit dhe vendas kanë pasur rritje çmimi, rritje që është pasqyruar edhe në tregun e shitjeve me pakicë. Krahasuar me një javë më parë, nga 37 artikuj që gjenden në treg, për 21 prej tyre ka rritje çmimi. Në tregjet e pakicës, rritja për artikujt bujqësore ka varijuar nga 1-30 lekë/kilogrami.
Kush janë rritur
Rritje të çmimeve kanë artikuj si speci, patëllxhani, trangulli, kungulli etj. Ndërkaq, rritje ka pësuar edhe çmimi i disa frutave si ftoi, molla, hurma etj., nga 3-28 lekë/kilogrami. Për sa u përket çmimeve të prodhimit në ferma, nga 12 artikuj të krahasueshëm, 8 prej tyre kanë rritje çmimi si: trangulli me 17 lekë/kilogrami, domatja cilësi e dytë me 5 lekë/kilogrami, spinaqi me 4 lekë/kilogrami etj. Ndërsa nga frutat e prodhuara në fermë, molla e gështenja kanë rritje me 5 lekë/kilogrami, ndërsa hurma ka rritje çmimi me 1 lekë/kilogrami. Rritja e çmimit ka prekur jo vetëm prodhimet e importit, por edhe produktet vendase, të cilat gjenden me pakicë në treg.
Taksimi i ushqimeve
Sipas ekspertëve, taksimi i ushqimeve dhe produkteve të tjera bujqësore të importuara është një nga zërat më të rëndësishëm të të ardhurave për buxhetin e shtetit, pasi taksat dhe tatimet në total në këtë kategori mallrash arrijnë në 30-35 për qind. Te mallrat e tjerë, taksat nuk janë kaq të larta. Rritja e fundit me hop e çmimeve të produkteve bujqësore ka irrituar qytetarët të cilët mendojnë se biznesi po spekulon si gjithnjë në prag të festave të fundvitit. Tregtarët pranojnë se kjo rritje çmimesh është shkaktuar për shkak të skemës së re të tatimeve që pritet të aplikohet në janar të vitit të ardhshëm dhe për shkak të çmimeve të larta të referencës kur zhdoganohen mallrat. Edhe këtë fundvit, ndryshe nga si ndodh në çdo vend tjetër në botë, konsumatori shqiptar po përballet sërish me rritje të çmimeve.
22 Dhjetor 2009