AAK: Qeveria neglizhoi kushtet për liberalizim
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fajësoi sot qeverinë për mospërfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, institucionet e Kosovës i kanë neglizhuar kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian, siç janë: siguria e dokumenteve, emigrimi ilegal, rendi publik dhe i sigurisë dhe të drejtat dhe liritë themelore.
Kryetari i Aleancës së të Rinjve të AAK-së,Valon Tolaj, në një konferencë me gazetarë, shprehu shqetësimin e këtij subjekti politik lidhur për anashkalimin e Republikës së Kosovës nga ana e BE-së, në procesin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“AAK-ja vazhdon të qëndrojë pas deklaratave të saj në lidhje me gabimet e Qeverisë së Kosovës, sa i përket pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike, luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, kontrollin e territorit dhe kufijve, që janë parakushte për fillimin e negociatave për liberalizmin të vizave”, tha Tolaj.
AAK-ja vlerëson se kjo qeveri jo vetëm nuk i ka kapacitetet e duhura, por është bërë edhe pengesë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve në përgjithësi, e në veçanti procesit të liberalizimit të vizave.
“Nuk mund të akuzosh dike që nuk po ta japë një mundësi përderisa ti vetë nuk i ke plotësuar ato kushte të cilat t’u kanë dhënë. Bashkimi Evropian nuk po kërkon që ne të jemi pjesë e tyre, por ne po kërkojmë që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Tolaj.
AAK-ja bën thirrje që edhe Kosova të jetë e përfshirë sa më shpejt në proceset integruese. Por, për t’u arritur kjo, sipas kësaj partie, duhet të ndërrohet së pari kjo qeveri. (RTK)