E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik, Akademia e Arteve propozon më shumë kuota pranimi

Petrit Malaj: “Këtë vit tarifat nuk do të pësojnë rritje. Do shtohen degë të reja”. Në tetor, Akademia e Arteve merr statusin universitet

Jonida Tashi

Akademia e Arteve propozon më shumë kuota pranimi, për vitin e ri akademik 2009-2010. Një vit më parë, në 25 degët e kësaj akademie, u pranuan mbi 200 studentë të rinj. Por, sipas rektorit të Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, numri i pranimeve të reja të studentëve, këtë vit, pritet të jetë më i madh se ai i vitit të shkuar. “Ne do të propozojmë më shumë kuota pranimi për vitin e ri akademik, numri i të cilave do të jetë më i lartë se një vit më parë, për vetë faktin se do të hapen edhe dy fakultete të reja”, - pohon rektori Malaj.
Kuotat
Por, edhe pse drejtuesit e Akademisë së Arteve kanë paracaktuar kuotat e reja të pranimit, ende propozimet e tyre nuk janë dërguar zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit, pasi Akademia e Arteve, i vetmi institucion i arsimit të lartë me këtë status në vend pritet të kthehet së shpejti në universitet. “Përveç hapjes së dy fakulteteve të reja, për vitin akademik 2009-2010, Akademia e Arteve do të marrë së shpejti statusin e një universiteti”, - shprehet rektori i Arteve. Statusi i ri i kësaj akademie, do të fillojë të zbatohet në fillim të vitit akademik 2009-2010. Pas marrjes së statutit të universitetit nga Ministria e Arsimit, Akademia e Arteve, do të funksionojë si të gjitha universitetet e tjera të vendit. Për rrjedhojë, studentët e Akademisë së Arteve do të kryejnë 3 vite universitet dhe më pas 2 vjet master. Një vit më parë, Ministria e Arsimit shndërroi në universitet Akademinë e edukimit fizik dhe sporteve “Vojo Kushi”.
Tarifat
Ndërsa përsa i përket tarifave të studimit, që duhet të paguajnë studentët e vitit të parë, që do të shpallen fitues në një nga degët e Akademisë së Arteve, rektori Malaj pohon se nuk do të propozojë rritje të tyre. Por, megjithëse drejtuesit e Arteve deklarojnë jo rritje të tarifave, Petrit Malaj sqaron se do të jetë qeveria ajo që do të miratojë përfundimisht tarifat e shkollimit për vitin e ri akademik. Vitin e kaluar, tarifa e studimit në programin e studimit “Regji Filmi” ishte 80 mijë lekë, ndërsa në të gjitha programet e tjera të studimit të Akademisë së Arteve 30 mijë lekë.

Kriteret e pranimit në Akademinë e Arteve

Akademia e Arteve ka publikuar edhe kriteret e konkurseve të pranimit për vitin e ri akademik 2009-2010, të cilat gjenden edhe në faqen zyrtare të saj. Programet e konkursit të pranimit, për të gjitha degët e tre fakulteteve të Akademisë, duke filluar nga ai i Muzikës, Artit Skenik e deri te Fakulteti i Arteve të Bukura përmbajnë jo vetëm çfarë duhet të mësojnë maturantët që do të konkurrojnë në Akademi, por edhe fazat e zhvillimit të konkursit, vlerësimi etj. Gjithashtu, kandidatët për studentë në Akademinë e Arteve, përveç provimit me shkrim si pjesë e konkursit, do të testohen edhe në praktikë për talentin që ata kanë. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve. Ashtu siç është përcaktuar edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2009-2010.

Organizimi i studimeve në Akademinë e Arteve

Në Akademinë e Arteve studimet universitare organizohen në sistemin me kohë të plotë në tre cikle të njëpasnjëshme.
Programet e ciklit të parë synojnë të japin njohuri themelore mbi metoda dhe parime artistiko-shkencore në specialitete të ndryshme. Ky cikël duhet të përmbajë jo më pak se 180 kredite dhe zgjatja normale është tre vite.
Programet e ciklit të dytë synojnë të japin njohuri të thelluara mbi metoda dhe parime artistiko-shkencore si dhe edukim për kërkim të pavarur artistiko-shkencor. Ky cikël duhet të përmbajë jo më pak se 120 kredite dhe zgjatja normale është dy vite. Akademia e Arteve në specialitete të veçanta të përcaktuara nga rregulloret e fakulteteve, ofron programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku, të cilat realizohen në jo më pak 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë”, u ofrohen të diplomuarve me një diplomë të nivelit të parë. Këto programe përmbajnë 60 kredite dhe zgjatja është një vit. Programet e studimeve “Master të Nivelit të Dytë”, u ofrojnë të diplomuarve një diplomë të nivelit të dytë, edukim më të thelluar e krijues artistiko-shkencor, përmbajnë jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja e tyre është minimumi një vit. Programet e doktoraturës janë programe të studimeve të ciklit të tretë me karakter plotësisht akademik që kanë në bazë kërkimin artistiko-shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura.

25 degët e Akademisë së Arteve

Regji Filmi dhe TV
Aktrim
Regji
Skenografi-Kostumografi
Koreografi
Pikturë
Skulpturë
Muzikologji
Kompozim
Dirigjim
Piano
Violinë
Violonçel
Violë
Kitarë
Kontrabas
Flaut
Oboe
Klarinetë
Fagot
Korno
Trombë
Trombonë
Bastub
Këngëtarë

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›