E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi izolon 4 mijë nxënës gjatë ditës

26/11/2009  Shkollat e arsimit 9-vjeçar raportojnë mungesa më të shumta se shkollat e arsimit të mesëm

Frika nga përhapja e sëmundjes së gripit të derrave, por edhe shtimi i rasteve të prekura nga gripi sezonal është manifestuar me uljen e pjesëmarrjes së nxënësve në procesin mësimor. Kjo situatë është shfaqur më problematike pranë shkollave të arsimit 9-vjeçar, ku pohohet se numri i mungesave ka qenë disa herë më i lartë se ato të evidentuara në arsimin e mesëm. Sipas raportimeve të bëra nga specialistët e drejtorisë arsimore në kryeqytet, mesatarisht në shkollat e kryeqytetit gjatë ditës mungojnë 1700-3900 nxënës. Po ashtu i lartë paraqitet të jetë edhe numri i mungesave të evidentuara edhe në kopshte. Specialistët shpjegojnë se janë vetë prindërit ata që preferojnë t’i mbajnë fëmijët e tyre për trajtim në shtëpi sapo të shfaqin simptomat e para, teksa shtojnë se ka pasur edhe raste të shumta, ku në një klasë me 35 nxënës kanë munguar më shumë se 17 prej tyre nga frika e infektimit. Përkundrejt alarmit të hedhur gjatë ditëve të fundit për një shtim masiv të rasteve të prekura nga gripi i të dyja llojeve, monitorimi i mungesave të nxënësve në shkolla do të zhvillohet në mënyrë të rreptë nga ekspertët e drejtorisë arsimore, por dhe ata të shëndetësisë.

Situata

Analizat e bëra deri tani kanë evidentuar disa raste të prekurish, veçanërisht nga virusi i gripit të derrit A/H1N1, në disa shkolla 9-vjeçare të kryeqytetit. Konkretisht janë zbuluar dy raste në shkollën “Kongresi i Lushnjës”, një rast në shkollën “1 Maji” si dhe një tjetër nxënës i prekur në shkollën “Fan Noli”. Referuar numrit të mungesave të kryera, janë cilësuar si më problematiket mungesat e bëra në shkollat “Ali Demi”, ku numri i mungesave në një ditë varion nga 52-172, në shkollën “Fan Noli” evidentohen 120-195 mungesa në ditë, ndërsa në shkollën “Kolë Jakova” janë raportuar gjatë ditës 49-104 mungesa në ditë. Megjithatë, situata mund të rëndohet edhe më tej, pasi me rënien e temperaturave pritet të shtohet fluksi i të prekurve nga dy llojet e gripit. Nëse do të ketë shtime të shumta të këtyre rasteve, do të mendohet edhe për marrjen e masave drastike, siç është mbyllja e shkollave.

Rastet

Sipas të dhënave të raportuara nga institucionet shëndetësore, në vendin tonë gjatë javës së fundit janë prekur nga gripi i zakonshëm më shumë se 13 mijë persona në të gjithë vendin. Ndërsa virusi i gripit të derrave ka prekur deri tani rreth 169 persona të moshave të ndryshme. Vëzhgimet e kryera kanë treguar se karakteristike e këtij viti janë rastet me infeksione respiratore, të cilat kanë njohur një rritje, veçanërisht në moshat pediatrike. Gjeografia e pacientë të ekzaminuar me A/H1N1 përfshin të gjitha qytetet e vendit, ndërsa numrin më të madh e mban Tirana. Pjesa dërrmuese e tamponëve që kanë shkuar për ekzaminim janë marrë nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë pohuar se janë në një monitorim të vazhdueshëm të situatës në shkolla dhe qendra e institucionet publike dhe private ku ka grumbullime të mëdha të komunitetit dhe mundësia e përhapjes është më e madhe. Temperatura e lartë, kolla e fortë, dhembje fyti, dhembje muskulore, dhembje koke dhe diarre janë disa nga shenjat e virusit stinor dhe atij A/H1N1. Sipas mjekëve, mjaftojnë dy a më tepër nga këto shenja që qytetarët të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes dhe të mos e neglizhojnë situatën.

Shfaqja e gripit

Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, dhembje muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Në raste të caktuara personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme, nëse nuk trajtohen. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë, ky lloj virusi mund të prekë të gjithë popullatën, por mund të jetë më agresiv për një pjesë të popullatës me risk, si fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore. Ata që preken më shumë janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›