Gripi, në gjendje të rënde emigranti shqiptar
Një emigrant shqiptar është shtruar në gjendje të rëndë në spitalin “Evangjelizmo” të Athinës. Ai është infektuar nga gripi i derrave dhe për shkak të një sëmundje kronike që ka, virusi i ka shfaqur komplikacione. Bëhet fjalë për emigrantin me banim në Athinë, Jani Metushi, i cili ka qenë në ishullin e Paros me pushime, ku ka marrë virusin A/H1N1. Pas kësaj ai ka shfaqur shenja, si vështirësi në frymëmarrje dhe është konstatuar se ky virus i ka shkaktuar pneumoni të rëndë në mushkëri, ndërsa është shtruar urgjentisht në spital në datën 19 gusht. Por ditë më vonë në sintezë me historikun e rëndë shëndetësor të tij, pasi ka pasur prej kohësh probleme kardiake, madje edhe valvul në zemër, virusi i gripit i ka shkaktuar komplikacione të tjera. Për rrjedhojë i është dhënë ndihma me oksigjen me anë të aparaturave në sallën e reanimacionit. Rasti i tij, konsiderohet si rasti i 8-të serioz i të infektuarve me gripin e derrave në Greqi, ndërsa jo më shumë se dy ditë më parë, një person i prekur nga ky virus por edhe shumë sëmundje të tjera kardiake ka gjetur vdekjen në Athinë. Ndërkaq, në shtetin fqinj numri i të prekurve ka kapërcyer tashmë të 1,700 vetët. Madje, sipas mediave vendase Greqia zë vendin e katërt në Evropë për sa i përket numrit të së sëmurëve. Nga ana e tyre organet shëndetësore greke bëjnë thirrje për qetësi, duke theksuar masat që ka marrë Qeveria. “Qytetarët grekë të ndjehen të sigurtë dhe të qetë. Të marrin masat personale të mbrojtjes, sepse janë të rëndësishme në këtë përpjekje të përgjithshme ndaj gripit dhe duhet të dinë se shteti ynë është në gatishmëri”, është shprehur ministri i Shëndetësisë, Dimitris Avramopulos. Sipas një programi të posaçëm të këtij këshilli janë planifikuar edhe 5 grupet e personave që do të kenë prioritet për t’u vaksinuar sipas shkallës së rrezikshmërisë. Në grupin e parë do të jenë personeli mjekësor, gratë shtatzëna deri në muajin e 3-të dhe gjithë ata që kujdesen për fëmijë nën moshën 6 vjeç. Në grupin e dytë personat me sëmundje kronike, diabetikët, pacientët me probleme kardiake, në mushkëri dhe në veshka.